Mustafa Bajrami

Historia, feja, politika, shteti dhe pavarësia e kurdëve.

Kurdët janë një popull, një etni e përafërt me persët (iranianët) të cilët historikisht kanë jetuar dhe jetojnë në një territor të gjerë gjeografik në Lindje të Mesme dhe përtej në Lindje. Hapësira ku jetojnë ata, fillon nga malet e Torosit e deri tek malet Zagros të Iranit. Ata shtrihen edhe në jug-lindje të Turqisë, e më poshtë, në atë që dikur quhej Mesopotami. Ka veriu, territori i kurdëve përfshinë një pjesë të konsiderueshme edhe të Armenisë së sotshme.

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

Për kurdët thuhet se janë një popull prej 25-30
milion banorë. Sot jetojnë kryesisht në regjionet malore të Turqisë, Irakut,
Sirisë, Iranit dhe Armenisë. Edhe pse përbëjnë grupin e katërt etnik më të madh
në Lindje të Mesme, ata kurrë nuk kanë arritur të krijojnë një shtet-komb të
pavarur. Historia e tyre e dhimbshme është e ngjashme me historinë e popujve
tjerë të Lindjes së Mesme. Regjioni i banuar me kurdë, që shtrihet në një hapësirë
kaq të madhe, me gjuhën e politikës quhet, territori apo shteti i Kurdistanit.

Edhe pse kurdët janë një popull heterogjen,
në bazë të hulumtimeve që janë bërë në lidhje me ta, ata rangohen si kategori iraniane.
Me gjithë që thuhet kështu, populli kurd dallon nga popujt tjerët të Iranit
edhe nga pamja e jashtme. Nëpër libra të historisë shkruhet se dikur një fis i
quajtur “Kardu”, paskësh lëvizur nga Lindja e Iranit në drejtim të Perëndimit. Ai
fis ndalet në rrafshnaltat e maleve të Zagrosit dhe aty vendoset dhe jeton edhe
sot e kësaj dite.  

Fjala “Kurd”, është fjalë shumë e vjetër.
Daton nga koha e sumerëve 5 mijë vjet p.e.s. Mbase, fjala “Kurd” përmendet në
libra të historisë që flasin edhe për Nuhin a.s. Tek sumerët, fjala “Karda” që
është përdorur si emërtim i popullit kurd, e ka kuptimin e saj që në turqishte quhet
“Mali me borë”. Më vonë, kurdët janë quajtur edhe “Akkad”, që donë të thotë “hero”.
Një mijë vjet më vonë, asiritët fjalën “Kardu” e përdorin për kurdët, e që e ka
kuptimin e “Heroit”, apo, “Njeriut të fortë”.

Sipas disa studimeve që i janë bërë historisë
së popullit kurd, kurdët ishin të njohur edhe për helenasit. Ksenofani, nxënësi
i Sokratit, është i pari filozof helen që shkroi për kurdët. Në vitin 401
p.e.s. ai përmend fjalën “Kardaka” si emërtim i një populli që kishte
jetuar në territorin të cilin sot kurdët e konsiderojnë për atdhe të tyre. Ksenofani
shkruan se ky popull ishte trim dhe jetonte nëpër male të larta.

Para se të pranojnë Islamin, kurdët i takonin
fesë zoroastre. Kur ushtria muslimane pushton Persinë, shkatërron Perandorinë Kurdo-Persiane,
dhe nga ajo kohë, sikur edhe iranianët, kurdët pranojnë fenë islame në shumicë
dërmuese. Kurdët më vonë do t’i takojnë drejtimit sunnit, ndërsa pjesa tjetër e
popullatës së asaj perandorie krijojnë atë që më vonë quhet shiizëm.

Vetë fakti që persët krijuan një drejtim të
ri në historinë e mendimit islam, tregon se ky popull, për dallim nga kurdët
dhe popujt tjerë, edhe pse pranoi fenë islame, nuk pranoi lehtë kulturën arabe
e cila në masë të madhe vepronte si koncept sunnit.   

Shikuar nga aspekti fetarë, pra, pjesa
dërmuese e kurdëve janë muslimanë sunnit, por ka edhe shii dhe alevi. Nga ana
tjetër, pjesa dërmuese e iranianëve janë shii, e një pjesë e vogël e tyre, janë
sunnit. Nga kurdët sunnit, shumica e tyre i takojnë medhhebit shafi’i, ndërsa
një numër i vogël janë hanefi. Prej kurdëve ka edhe jazidi, zoroastritë, të krishterë
dhe hebrenj.

Pas pranimit të Islamit, kurdët i dhanë një
numër të madh dijetarësh e shkenctarësh, kulturës dhe civilizimit islam.
Amidiu, Shemsudin Shehrezuriu, Abu’l Fidai, Ibn Salah el-Kurdi, Mubarak
al-Mustavfi, Siraxhuddin Urmeviu, Ahmed Ashnehiu, Musa Kemaleddin, Ali Ibn el-Esiriu,
Taxhuddin Kurdiu e Fahreddin Ahlatiu, janë vetëm disa nga emrat e njohur të
dijetarëve muslimanë.

Përgjatë Perandorisë Osmane, kurdët sikur
edhe popujt tjerë shtet-formues nuk njiheshin si etni e pavarur. Që nga fillimi
e deri në shekullin 19, atëherë kur fillojnë lëvizjet nacionaliste brenda
Perandorisë, kurdët ishin pjesë e pandashme e tërësisë demografike të
Perandorisë. Me lëvizjet nacionaliste safavide iraniane, edhe kurdët, sikur
edhe disa popuj tjerë fillojnë të ngritin zërin e tyre për atë që më vonë do të
quhet kombi kurd. Deri në këtë periudhë, thuajse të gjithë etnitë që përbënin
shtetin islam, pra edhe shqiptarët, njiheshin ose/vetëm sipas përkatësisë fetare,
ose sipas përkatësisë medhhebiste.

Me gjithë që janë shkruar shumë libra në
lidhje me historinë e kurdëve, vetëm në kohët e fundit historia është marrë
seriozisht me ta. Kjo lë të nënkuptohet se pikërisht politika është ajo që nxiti
historinë dhe historianët të merren më shumë me popullin kurd.

Shikuar nga këndvështrimi analitik i
historisë, historia e këtij populli është shumë e paqartë, në rastin më të
lehtë, e panjohur mirë, e pashkruar mirë dhe me plotë dallime e stërmadhime.
Kjo ka ndodhur për shkak të rrugëtimit të këtij populli nëpër histori.
Përderisa historianët kurdë shkruajnë për territore, data, vite e ndodhi në
favor të etnikumit që i përkasin, popujt përreth, historinë kurde e kanë
shkruar në bazë të interesave të tyre nacionale dhe politike.

Edhe në Perëndim ka dallime të mëdha sa i
përket historisë kurde. Përderisa disa historianë anglosaksonë shkruajnë më
tepër në favor të popujve tjerë të rajonit, por jo të kurdëve, disa historianë
francezë, holandezë e rus, përpilojnë tekste kryesisht me një gjuhë më të
favorshme për historinë kurde.

Gjithsesi, nga prizmi i historisë, kurdët janë populli më i pafat në Lindje të Mesme. Si etni që janë, në njëqind vjetët e fundit ata më së miri kanë kaluar në Turqi. Për këtë shkruajnë edhe vetë kurdët. Në vendet tjera, deri vonë, kurdët as që guxonin të deklarohen se janë kurdë. Por, në vend të kësaj, ata janë deklaruar ose arabë, ose iranianë, ose armenë. Varësisht prej vendit ku kanë jetuar.

(VAZHDON)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re