Komisioni Europian ka hartuar një draft-raport për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri dhe u është dërguar institucioneve shqiptare.
Raporti, i cili mban datën 9 qershor ofron një panoramë të thelluar mbi ecurinë e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë në vend.
Komisioni vlerëson se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka vazhduar të japë rezultate në hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë, përfshirë politikanë dhe zyrtarë të lartë. Megjithatë, raporti thekson mungesën e stafit dhe infrastrukturës, si dhe një rënie të referimeve nga institucionet e tjera.
“SPAK-u vazhdoi të konsolidojë rezultatet e tij pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, ndonëse mbeten disa mungesa në lidhje me stafin dhe infrastrukturën. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kanë dhënë rezultate pozitive në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit, përfshirë ato që përfshijnë politikanë dhe zyrtarë të lartë, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. SPAK shfaq vizion strategjik të qëndrueshëm dhe pavarësi në kontributin e tij në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, pavarësisht presionit të shtuar politik, grupeve të krimit të organizuar dhe medias. Rritja e vazhdueshme e ngarkesës së punës për SPAK-un dhe mungesa e stafit dhe infrastrukturës vazhdojnë të jenë çështje që duhen adresuar. Numri i referimeve te SPAK-u nga autoritetet e tjera ka rënë më tej dhe mbetet i ulët”.
Draft-raporti ngre shqetësime mbi punën dhe metodologjinë e komisionit të posaçëm parlamentar për qeverisjen e mirë, drejtuar nga Fatmir Xhafaj.
Mungesa e transparencës, përfshirjes dhe efekti i kufizuar në proces kanë ngjallur shqetësim nga institucionet e drejtësisë, që kanë bashkëpunuar vetëm në mënyrë formale.
“Ekzistojnë mangësi lidhur me punën, metodologjinë dhe ndikimin e komisionit ad hoc parlamentar për thellimin e reformave për qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Shumica e institucioneve të drejtësisë vendosën të angazhohen me komisionin vetëm në mënyrë formale, me shkrim, duke shprehur shqetësime për procesin dhe çështje kushtetuese si pavarësia e tyre dhe detyrimet e përcaktuara për raportim ndaj Kuvendit. Ekzistojnë mangësi lidhur me punën, mungesën e transparencës, gjithëpërfshirjes, metodologjinë dhe ndikimin real, si edhe rrezikun për përsëritje të punës tashmë të kryer në kuadër të negociatave të anëtarësimit. Është e rëndësishme që puna e komisionit ad hoc të jetë gjithëpërfshirëse, transparente dhe në përputhje me rezultatet pozitive të reformës në drejtësi të vitit 2016”, thuhet në raport.