Komisioni Evropian ka reaguar pas marrëveshjes së migracionit të arritur midis Italisë dhe Shqipërisë.

Brukseli ka kërkuar që marrëveshja duhet të jetë në përputhje me ligjin e BE-së dhe atë ndërkombëtar.

“Ne jemi në kontakt me autoritetet italiane sepse duhet të shohim detajet. Ne kërkojmë të marrim informacion të detajuar mbi këtë lloj marrëveshjeje,” tha një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Më pas shtoi: “Shtetet anëtare nuk janë si të tilla të përjashtuara nga miratimi i masave sipas ligjit kombëtar për të lejuar aplikimet për azil (nga) persona nga vendet e treta. Megjithatë, kjo duhet të bëhet në zbatim të plotë të rregullave të BE-së për azilin”.

Marrëveshja, e para e këtij lloji për një vend të BE-së, u njoftua të hënën nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama gjatë një takimi dypalëshe në Romë.

Sipas marrëveshjes, Italia do të ndërtojë dy qendra pritjeje në Shqipëri për të strehuar emigrantët e shpëtuar në Detin Mesdhe nga autoritetet italiane, të cilët më pas do të zbarkohen në qytetin bregdetar shqiptar të Shëngjinit.

Çdo qendër do të ketë kapacitetin për të strehuar deri në 3.000 migrantë në të njëjtën kohë, shpjegoi Meloni, me synimin për të akomoduar rreth 36.000 aplikime në vit. Nga skema do të përjashtohen gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat vulnerabël.

Infrastruktura do të paguhet nga Roma, ndërsa Tirana është angazhuar të ofrojë shërbime sigurie dhe mbikëqyrje të jashtme. Nisja është caktuar për pranverën e vitit 2024.

Veçanërisht, qendrat do të qeverisen nën juridiksionin italian, një pikë që ka ngritur shqetësime për zbatimin jashtëterritorial të ligjit italian dhe të BE-së në një vend jashtë bllokut 27 anëtarësh.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re