Qyteti i Durrësit është në një krizë mjedisore prej disa kohësh. Ditët e fundit pika të ndryshme të grumbullimit të mbetjeve janë shfaqur në qytetin bregdetar, edhe pse thuhej që kjo situatë do të merrte fund në vitin 2020, kohë edhe kur u mbyll vend-depozitimi i mbetjeve në Porto Romano.

Që prej asaj kohe Durrësi po i dërgon mbetjet në landfillin e Sharrës.

Sipas burimeve jo zyrtare janë afërsisht 20 kamion që dërgohen çdo ditë nga Durrësi drejt Sharrës.

Kjo është bërë falë një financimi prej 3.8 miliardë lekësh që qeveria ka bërë për menaxhimin e mbetjeve në këtë qytet për periudhën 2021-2030.

Kjo supozohet të ishte edhe një zgjidhje që do i jepte fund situatës së rëndë të krijuar nga keqmenaxhimi i mbetjeve urbane por siç duket nuk është vënë në zbatim.

Në qytetin e Durrësit qytetarët po denoncojnë vend-grumbullime të reja, në zonën e ish-Kënetës, Lagjen 14 apo Shkozet.

Këto zona të “kuqe” në hartën e grumbullimit të mbetjeve janë krijuar prej 2 faktorësh:

1.Me keqmenaxhimin e situatës nga Ndermarrja e Sherbimit Komunal, NSHK. Faxnews kontaktoi me drejtorin e kësaj ndërmarrjeje por kërkuan kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve.

2. Ndërgjegjesimin e ulët që kanë banorët dhe bizneset për çështjet mjedisore. Kjo pasi ka raste kur vetë qytetarët i derdhin mbeturinat në kanalin më të afërt apo në një zonë të braktisur, duke e kthyer këtë pjesë në një burim infeksionesh

Ditën e djeshme Faxnews raportoi rastin e kanalit të kullimit në lagjen “Vllazërimi”, që shërben për derdhjen e ujrave të kullimit në Hidroborin e Durrësit.

Kjo pikë tashmë është kthyer në një vend-grumbullim për mbetjet e ndryshme dhe vatër infeksioni për afro 45 mijë banorët e zonës.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re