Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, iu përgjigj kreut të shtetit për çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.

Sa i përket çështjes së rendit të zgjedhjes, Dvorani tha se argumentimi nuk qëndron pasi në rast të mungesës së vullnetit nga organet e emërtesës, do krijoheshin ngërçe.

“Nëse vërtet ky do të ishte interpretimi dhe zbatimi i Kushtetutës, nëse vërtet organi i emërtesës që ka vakancën e parë për të plotësuar, do të tregonte përgjegjshmëri, vullnet të mirë, integritet dhe koherencë deri në fund, përfshirë edhe respektimin e parimit të bashkëpunimit mes organeve të emërtesës, atëherë, do të ishin të shumta situatat, kur në mënyrë të qëllimtë apo për rrethana objektive, do të krijoheshin pashmangshmërisht situata bllokuese me emërimin dhe plotësimin me gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese,” tha Dvorani.

Megjithatë kreu i shtetit deklaroi një ditë më parë se ai ka pasur vullnetin për bashkëpunim.

Dvorani nuk sqaroi se përse janë dërguar dy lista tek presidenti me firmën e tij, por tha se Meta nuk mund të dalë përtej tri emrave në listë.

“Ndër të tjera Kushtetuta është e drejtpërdrejtë dhe nuk përcakton asnjë përjashtim: organi i emërtesës është i detyruar të përzgjedhë vetëm ndërmjet tre kandidatëve të listuar në tri vendet e para nga KED.

Pa asnjë përjashtim në raste dhe pa asnjë dallim mes organeve të emërtesës, përfshirë Presidentin, Kushtetuta nuk i njeh asnjërit prej tyre ‘lirinë’ për të emëruar përtej tri emrave të parë të renditur nga KED, e cila në thelb do të përbënte uzurpimin e kompetencës unike kushtetuese të renditjes së kandidatëve nga KED, i cili është organ kushtetues.

Madje këto organe duhet ta ushtrojnë këtë kompetencë brenda 30 ditëve, i cili, si afat prekliziv, nuk mund të zgjatet përtej këtij afati. Nëse nuk e ushtrojnë kompetencën në këtë afat, kandidati i renditur i pari është gjyqtari i zgjedhur/emëruar. Kjo nuk është më çështje interpretimi, por e përcaktimit të drejtpërdrejtë të Kushtetutës.

Për shkak të rrethanave të veçanta në të cilat gjendet Shqipëria, si rrjedhojë e zbatimit të reformës në drejtësi, rezultoi që të kishte të njëjtët kandidatë për disa vakanca.

Kushtetuta dhe ligji nuk e ndalon ushtrimin e kësaj të drejte. Për rrjedhojë, duke qenë se listat e kandidatëve i sjellin vetë organet e emërtesës, duke qenë se në to gjendeshin kandidatë njëkohësisht të kandiduar në disa lista, si edhe duke qenë se ligji zbatohet më mënyrë të barabartë dhe për të gjithë, si në procedurën e verifikimit, ashtu edhe në atë të vlerësimit e të renditjes që bazohet vetëm në aftësitë dhe meritat, në përfundim të procedurave të ndjekura, rezultoi që në Listat e Renditjes së kandidatëve të ketë përsëritje të listimit të tyre për secilën vakancë.

Në rastin kur organi i emërtesës nuk arrin të zgjedhë apo nuk e ushtron të drejtën e zgjedhjes brenda këtij afati, atëherë vendimi i KED për listën e renditjes së kandidatëve ka efekt të menjëhershëm ex legge, të njëjtë me dekretin e Presidentit, vendimin e Kuvendit apo vendimin e Gjykatës së Lartë për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

E njëjta vlerë dhe efekt duhet ti njihet edhe Vendimit me nr. 132 datë 21.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku kandidatja e renditur e para në Listën Përfundimtare, znj. Arta Vorpsi, konsiderohet e emëruar si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese”, tha Dvorani.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re