Të gjithëve na ka qëlluar të habitemi nga një faturë energjie e cila ka regjistruar një vlerë dukshëm më të lartë sesa ajo që ne perceptonim se kemi konsumuar. Nëse kjo përsëritet në disa raste, atëherë e keni ju në dorë të kërkoni verifikim.

Për t’i dhënë zgjidhje këtyre situatave, Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar një rregullore në të cilën përcakton mënyrën si procedohet për paraqitjen e një kërkese shqyrtimin e saj dhe afatet e njoftimit kur klienti dyshon në saktësinë e të dhënave të aparatit matës të energjisë elektrike.

Hapi i parë, në rast dyshimi, është ai i paraqitjes së një kërkese në zyrat e Operatorit të Rrjetit (në çdo rast mund të jetë operatori i transmetimit dhe/ ose i shpërndarjes) si dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës për verifikim.

Operatori përgjegjës duhet të paraqitet për të bërë verifikimin jo më vonë se 5 ditë pune nga paraqitja e kërkesës. Paraprakisht klienti njoftohet me shkrim për orën dhe datën e kryerjes së këtij verifikimi.

“Nëse gjatë verifikimit të matësit elektrik, nga ana e Operatorit të Rrjetit konstatohen parregullsi apo ndërhyrje të paautorizuara në sistemin e matjes, që ndikojnë në regjistrimin e konsumit të energjisë elektrike dhe nuk përbëjnë vepër penale, merr masa të menjëhershme për riparimin dhe zëvendësimin e pajisjeve, në të cilat është ndërhyrë, përllogarit dëmin ekonomik të shkaktuar nga ndërhyrjet e paligjshme, sipas metodologjisë së llogaritjes së dëmit të miratuar nga ERE dhe zbaton procedurat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi” thuhet në rregullore.

Në rastet kur verifikimi i i matësit është bërë me kërkesë të klientit dhe gjatë verifikimit të matësit nuk konstatohen pasaktësi, atëherë shpenzimet e verifikimit paguhen nga klienti që ka paraqitur kërkesën.

Rregulloja është tashmë në fuqi dhe çdo rast dyshimi dhe kërkesë për verifikim duhet të zbatohet sipas kësaj procedure.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re