E ardhmja e Armando Brojës mund të jetë në Serinë A. Në orët e fundit në median italiane po qarkullon lajmi se sulmuesi i kombëtares shqiptare është vënë në shënjestrën e Cagliarit për të përforcuar repartin e sulmit.

Drejtuesit e klubit sard kërkojnë të kenë në skuadër një futbollist me forcë fizike, të shpejt dhe me nuhatjen për golin dhe kanë parë të Armando Broja profilin ideal.

Lajmi bëhet i ditur nga gazetari i specializuar i merkatos, Gianluca di Marzio sipas të cilit, Broja që aktualisht është në radhët e Burnley pëlqehet shumë te Cagliari pikërisht për karakteristikat fizike dhe teknike që konsiderohen ideale për lojën e skuadrës sarde që në javët e ardhshme pritet të bëjë ofensivën vendimtare për të.

I formuar në akademinë e Chelsea, Broja ka pasur mundësinë për të shkelur skenat më të rëndësishme të futbollit. Megjithatë Broja nuk është një emër i panjohur në ambientet e futbollit italian. Në të kaluarën, sulmuesi kuqezi është kërkuar me këmbëngulje edhe nga Milani, por një transferim i tij në Milanello u sfumua.

Transferimi i Brojës te Cagliari duket se është një bast i vërtetë për klubin sard duke parë edhe statistikat e sulmuesit. Në sezonin e tij te Burnley, Broja ka shënuar 1 gol e ka dhënë 1 asist në 24 ndeshje, shumë pak për një sulmues si ai. Por një kalim i mundshëm i tij te klubi sard mund të rezultojë një lëvizje e goditur për sulmuesin shqiptar pasi Cagliari është i bindur se mund ta rilindë Armando Brojën dhe të kthejë atë në futbollistin që kemi njohur të gjithë dikur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re