Partizani zhvilloi të hënën miqësoren e parë në fazën përgatitore në Pogradec. Të kuqtë u mposhtën me shifrat 0-1 nga Struga, kampione e Maqedonisë së Veriut.

Pas kësaj ndeshjeje, për “Panorama Sport” foli trajneri Orges Shehi. Pavarësisht rezultatit, Shehi u duk i kënaqur me ritmin që skuadra pati, veçanërisht në pjesën e dytë. Trajneri i të kuqve ka mbresa të mira me dy afrimet, teksa evidentoi edhe paraqitjen e 17-vjeçarit Oresti Rifa, i cili vjen nga akademia dhe luan si sulmues i djathtë. Trajneri shtoi se nevojë emergjente në merkato janë dy sulmues anësorë.

Pavarësisht rezultatit, sa i kënaqur jeni për situatën fizike të skuadrës në këtë ndeshje miqësore?

Me gjendjen fizike jam i kënaqur, sepse kjo ishte ndeshja jonë e parë pas pothuajse një muaji. Kemi luajtur ndeshjen e fundit më 26 maj kundër Egnatias. Jam i kënaqur me gjendjen fizike, kishim pak frikë dhe ndamë minutazhi për Magetin, Saliun dhe Zguron, që kanë ardhur më vonë se pjesa tjetër e skuadrës. Të tjerët e përballuan shumë mirë. Kryesorja ishte për t’i dhënë ngarkesat e duhura lojtarëve si ndeshje e parë. Dihet që pas një ngarkese të madhe të marrë në stërvitje është e vështirë të shprehen në maksimum. Po marrin gradualisht shprehitë e ndeshjes dhe po futen në ritëm.

Si ju duk qasja e skuadrës sa i përket lojës? Prisnit më shumë?

Loja ishte me fragmente. Mund të bënim më mirë, të ndaheshim më shpejt me topin, të ndërronim krahun e lojës më shumë, të vertikalizonim më shumë dhe ta mbanim topin më shumë, por këto vijnë edhe për shkak të lodhjes. Muskujt nuk janë të freskët dhe rrjedhimisht edhe mendja nuk është e freskët. Kemi gjëra për të përmirësuar. Në pjesën e dytë u shfaqëm më mirë dhe më të kthjellët.

Nga sa dalluat kundër Strugës, çfarë i mungon Partizanit që duhet ta korrigjojë në merkato?

Ne na duhen dy sulmues anësor, që janë pika imediate, ku duhet të operojmë. Ka qenë e vështirë, por drejtuesit mesa di po punojnë. Megjithatë, ende nuk kemi gjetur zgjidhje me këtë problem.

Cilat ishin përshtypjet për dy afrimet e reja?

Zguro dihet që ka eksperiencë dhe në raste të caktuara di mirë kur ndahet me topin apo kur shkon në linjat anësore. Afër fundores ai ka një pasim të fortë dhe një krosim të mirë. Piloto lëvizi mirë, kishte edhe ai 2-3 momente kur mund të shënonte, por unë mendoj se është në rrugën e duhur. Nuk dua të harroj (Oresti) Rifën. Ai më ka lënë përshtypje të mira dhe e shoh si një lojtar me perspektivë.

Sa i rëndësishëm është rikthimi i Bytyçit?

Bytyçi e nisi nga minuta e parë kundër Strugës. Është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi. Shpresojmë që në këto miqësore që do të zhvillojmë ai të marrë ritmin dhe shprehitë e lojës. Dihet që kur ai është në fushë i jep një lloj sigurie dhe qetësie skuadrës. Jam i kënaqur është rikthyer dhe është pjesë e jona.

DENIS LALA-

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re