Filip Najdovski mund të konsiderohet lojtar i Tiranës. Edhe pse nuk ka asnjë zyrtarizim, mësohet se mbrojtësi do të bashkohet sot në stërvitjen e bardhebluve, duke shtuar radhët e Tiranës për sezonin e ri futbollistik.
Më në fund, palët kanë rënë dakord për të qenë edhe një vit bashkë. Ekipi i ka paguar një pjesë të parave që kërkonte Najdovski dhe ai do të dalë në stërvitje, duke i plotësuar dëshirën presidentit Refik Halili, i cili e kërkonte me ngulm në ekip mbrojtësin maqedonas. Najdovski prej katër vitesh luan në Shqipëri, por kërkon të vazhdojë aventurën në kampionatin tonë edhe për një vit tjetër.
RIBLERJA E HASAJT
Tirana dëshiron të afrojë në skuadër Françesko Hasajn. Lojtari ka bërë një sezon fantastik me ekipin e Kukësit dhe për këtë qëllim ka rënë në sytë e Tiranës. Gjithsesi, verilindorët nuk e lëshojnë lojtarin. Për futbollistin në fillim kanë kërkuar 100 mijë euro, por më pas shuma është rritur në 200 mijë euro. Shumë që nuk është paguar nga Tirana. Në këto kushte bardheblutë janë tërhequr nga blerja e lojtarit, vlera e të cilit tani është 250 mijë euro. Për çudinë e madhe, Hasaj ka dalë nga akademia e Tiranës dhe pasi ka luajtur me U-19- ën, është lënë i lirë. Lojtari ka kaluar te Turbina dhe më pas në Kukës. Çudia tani është që tani, Tirana do të marrë lojtarin e saj, por pa lekë.
HESHTJA PËR SHORTIN
Tirana duket se ka humbur sharmin e skuadrës së madhe. Vjet çuditërisht i frikësohej fjala titull dhe dha urdhër në ekip që të mos përmendej më në intervista kjo fjalë, sikur ta dinte që nuk do të hynte as në katërshe. Sivjet i frikësohet deklaratave. Ende nuk ka një reagim për shortin e Europës. Për t’u mburrur dhe reklamë janë të parët, por për të thënë dy fjalë për shortin kanë humbur gojën.
OLSI AVDIAJ-



