Xhani de Biazi me “stekë të lartë”, kërkoi 500 mijë euro të marrë drejtimin e Flamurtarit. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht prapaskenat me italianin. Nuk është as çudi dhe as trillim, por më se e vërtetë.
Sinan Idrizi, përmes drejtorit të Milanit, Igli Tare, i bëri ofertë konkrete ish-trajnerit të Kombëtares, por italiani duket se ka kërkuar një shifër të çmendur. Plot 500 mijë euro në sezon. Nga një përllogaritje e thjeshtë del se sipas kërkesës që De Biazi ka bërë, i bie që paga e tij mujore të ishte mbi 40 mijë euro. Me gjithë kërkesën e lartë, mësohet se Sinan Idrizi nuk i ka thënë “jo” ish-trajnerit të Kombëtares.
Kreu i klubit vlonjat nuk e ka refuzuar kur ka dëgjuar kërkesën e parë të De Biazit, por direkt ka zhvilluar një takim me këshilltarët e tij për të parashtruar këtë dëshirë dhe alternativë për stolin. Por këshilltarët duket se ia kanë “prishur” qejfin Idrizit, duke e cilësuar si shumë të madhe kërkesën financiare të ish-trajnerit të Kombëtares, me gjithë këmbënguljen e administratorit se ishte i gatshëm të bënte çdo sakrificë për të ndërtuar një skuadër, që nuk e ka parë ndonjëherë Superiorja. Megjithatë, duket se ka ende një dritë në fund të tunelit, pasi, siç mësohet, Igli Tare ka kërkuar pak ditë në dispozicion për të negociuar me De Biazin për ulje çmimi.
KANDIDATËT E TJERË – Nga shqiptarët, më pranë Flamurtarit duket se është Shpëtim Duro. 65-vjeçari e ka drejtuar Flamurtarin në sezonin 2016-2017 dhe, nëse do të emërohet trajner, rikthehet në Vlorë pas 8 vitesh. Janë zbehur disi edhe pistat e Gentjan Mezanit, Qatip Osmanit dhe Sefat Pajazitit. Larg duken edhe Zoran Zekiç, Kristin Broki dhe Masimo Odo, megjithëse të gjithë janë pjesë e listës së gjatë që po shqyrtohet. Asnjëherë Flamurtari nuk ka pasur kaq shumë kandidatë për stolin. Por, me sa duket, kjo është filozofia e drejtuesve këtë vit, që kërkojnë të bëjnë zgjedhjen e duhur, ndaj po shqyrtojnë alternativa me bollëk.
ERMAL SIKA-