Emiljano Shullazi i cili ndodhet në qelitë e paraburgimit është rebeluar sërish brenda ambienteve të burgut 313.

Shullazi, i cili është vendosur në sistemin e regjimit 41-bis, pasi ka konstatuar se në qelinë e tij ishte kryer kontrolli rutinë nga gardianët e burgut ka filluar të ulërijë, bërtasë dhe më pas ka dalë në korridor duke shkelmuar edhe një kovë me ujë. Ndërsa më pas ka thyer edhe xhamat e dritares së qelisë së tij.

Sipas dosjes së gjykatës Administrative, të siguruar nga Descript.al, ngjarja ka ndodhur në tetorin e vitit të kaluar, kur të shtunën e datës 31 tetor, i paraburgosuri Emiljano Shullazi  është kthyer nga ajrosja dhe është njoftuar për kontrollin rutinë në qelinë e tij. Kjo e ka bërë atë që të ulërijë dhe godasë xhamin e dritares dhe xhamin e derës së tualetit duke i thyer ato.

Shullazit i është kërkuar më pas që të nënshkruajë procesverbalin mbi dëmin e shkaktuar por ai ka refuzuar të nënshkruajë.

Më pas, ndaj Emiljano Shullazit është marrë edhe masa disiplinore duke vendosur përjashtimin e tij “nga veprimtaritë e përbashkëta për 14 dite” me motivacionin dëmtim me dashje të pasurisë së institucionit”, theksohet në dosjen e gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, në të cilën Shullazi ka apeluar edhe masën disiplinore të ndërmarrë ndaj tij.

(descript.al)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re