Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se fakti që Azerbajxhani i çliroi tokat e tij nga pushtimi, nuk do të thotë se ka përfunduar përpjekja, duke shtuar se Azerbajxhani nën udhëheqjen e presidentit, Ilham Aliyev do të vazhdojë të shkruaj epope.

Erdoğan mori pjesë në ceremoninë e “Paradës së Fitores” në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, me rastin e çlirimit të tokave azerbajxhanase në Malësinë e Karabakut nga pushtimi armen, ku dhe mbajti një fjalim.

“Fakti që Azerbajxhani i çliroi tokat e tij nga pushtimi, nuk do të thotë se ka përfunduar përpjekja”, tha ai duke shtuar se vendi vëllazëror do të vazhdojë të shkruaj epope nën lidershipin e presidentit Aliyev.

Duke folur për luftën që ndodhi në Malësinë e Karabakut mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, ai tha se “Ligji i luftës është shkelur seriozisht, është shkelur dinjiteti i njerëzimit. Detyra jonë është të kërkojmë llogarinë e kësaj në çdo platformë”.

“Udhëheqësit armenë burimet e popullit i kanë shpenzuar për të mbajtur nën pushtim territoret e Azerbajxhanit”, tha ai.

Presidenti i Turqisë potencoi se në rast se populli i Armenisë nxjerr mësim nga ato që ndodhën në Karabak, kjo do të jetë fillimi i një periudhe të re në rajon.

“Marrëdhëniet duhet të rishikohen, duhet të shihet se nuk mund të arrihet në ndonjë vend me nxitjen e imperialistëve perëndimorë”, tha Erdoğan duke shtuar se: “Ata që në Malësinë e Karabakut kanë sjellë vetëm rrënim, masakër, lot tashmë duhet të mendohen mirë”.

Erdoğan theksoi se Turqia dhe Azerbajxhani do të tejkalojnë vështirësitë dhe do të vazhdojnë të hapërojnë nga suksesi në sukses për sa kohë që mbështeten tek njëri-tjetri.

“Parada e Fitores” mbahet për të shënuar përmbushjen e suksesshme ushtarake të fundit të Azerbajxhanit në çlirimin e rajonit të Malësisë së Karabakut, rajon i cili ishte nën pushtimin armen për pothuajse 30 vite.

Konflikti në Malësinë e Karabakut

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor ndërkombëtarisht i njohur i Azerbajxhanit.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave të Azerbajxhanit si dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Gjatë konfliktit, Azerbajxhani çliroi nga pushtimi armen disa qytete dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra.

Më 10 nëntor, të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

Armëpushimi konsiderohet si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr në përputhje me marrëveshjen.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re