Presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), Ersin Tatar ka deklaruar se vendi i tij duhet të njihet në nivel ndërkombëtar për të arritur një zgjidhje të përhershme në ishull.

Komentet e presidentit Tatar erdhën një në video-mesazh të regjistruar në një seminar të mbajtur online nga Fondacioni Rrethi, Shoqata e Këshillit të popullit të Qipros Turke dhe Shoqatës Qiproja Turke-Britani.

Tatar tha se në vitin 1960 populli i tij ishte i barabartë me popullin e Qipros Greke si një nga dy popujt themelues të Republikës së Qipros.

Por, për fat të keq, shtoi ai, në vitin 1964 qipriotët turq u dëbuan nga lëvizja EOKA dhe forcat e Makarios-it, “Republika e Qipros vazhdoi të njihet si i vetmi shtet i njohur, i cili padyshim ishte pushtuar nga qipriotët grekë”.

“Që nga ajo kohë, qipriotët turq kanë drejtuar shtetin e tyre”, tha Tatar, duke shtuar se u ndanë nga qipriotët grekë që nga viti 1960.

EOKA ishte një lëvizje e armatosur pan-helene që synonte bashkimin e Qipros me Greqinë dhe kryepeshkopi Makarios ishte ish-president i Republikës së Qipros.

Qipriotët turq meritojnë shtetin e tyre

“Prandaj, ne i themi komunitetit ndërkombëtar se meritojmë që shteti ynë të njihet, sepse gjatë historisë, në një farë mënyre ne kemi gëzuar sovranitetin tonë. Politika ime tani, si president i ri i zgjedhur i qipriotëve turq, është se ne kemi dy shtete të barabarta, sovrane në ishull, sepse në çdo mënyrë ne kemi qenë sovran”, deklaroi Tatar.

Ai tha se shumë përpjekje për të zgjidhur çështjen e Qipros tani janë “shteruar”, sepse sipas tij, qipriotët grekë kanë gëzuar njohjen ndërkombëtare të Republikës së Qipros si i vetmi shtet në ishull. Ai shtoi se ata nuk i dhanë përgjigjen e nevojshme përpjekjeve të zgjidhjes bazuar në një strukturë të federatave.

“Të gjitha ato përpjekje janë shteruar dhe kanë qenë të pafrytshme. Prandaj, politika jonë e re dhe ne këtë politikë po e drejtojmë 100 për qind në përputhje me qeverinë turke, ne themi se bisedimet e reja duhet të bazohen në barazinë sovrane. Ne duhet të kemi dy shtete të barabarta dhe sovrane në Qipro, në veri shteti i Qipros Turke, në jug shteti i Qipros Greke”, tha Tatar.

Ai shtoi se për një zgjidhje të qëndrueshme duhet të ketë dy shtete në ishull, të cilat do të njohin njëra-tjetrën.

Të hënën duke folur me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, presidenti Tatar tha se një zgjidhje e mundshme për Qipron duhet të vendoset “mbi bazën e dy shteteve ekzistuese dhe barazisë sovrane”.

Në një njoftim, TRNC tha se Guterres “preferonte” një takim joformal të OKB-së mbi Qipron, përfshirë të dyja palët e Qipros dhe vendet garantuese, por për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) data dhe koha ende nuk janë vendosur.

Qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar në çështjen e Qipros

Më tej, duke dërguar një mesazh në të njëjtën ngjarje online, ministrja e Zyrës së Jashtme Britanike për Fqinjësinë Evropiane dhe Amerikane, Wendy Morton tha se Britania mbështet një zgjidhje të bazuar në një “federatë dy-zonale, dy-komunale”.

“Siç jeni të vetëdijshëm të gjithë, Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë zgjidhjen gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes së Qipros, bazuar në modelin e pranuar në nivel ndërkombëtar të një federate dy-zonale, dykomunale, siç përcaktohet në rezolutat përkatëse të këshillit të sigurisë”, tha Morton.

Ishulli i Qipros është i ndarë që nga viti 1974, kur një grusht shtet i qipriotëve grek u pasua nga dhuna kundër turqve të ishullit. Më pas, Turqia ndërhyri si fuqi garantuese.

Ishulli viteve të fundit ka kaluar një proces paqësor aktiv dhe jo-aktiv, përfshirë iniciativën e dështuar të vitit 2017 në Zvicër nën kujdesin e vendeve garantuese, Turqisë, Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

TRNC u themelua në vitin 1983.

Në vitin 2004, plani i sekretarit të përgjithshëm të atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, për një zgjidhje u pranua nga qipriotët turq, por u refuzua nga qipriotët grekë në dy referendume.

Konferenca Crans-Montana e vitit 2017 në Zvicër, e mbajtur me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, përfundoi pa sukses.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re