Mjeku Artan Koni ka folur lidhur me konçesionin e sterilizimit të mjeteve të përdorura për operacionet në spitalet shqiptare. Sipas Konit, nuk ka një shifër të saktë për numrin e infeksioneve post operatore pasi mjekët nuk kanë një databazë on line me anë të së cilës të klasifikojnë arsyet e përdorimit të antibiotikëve që lëshohen.

Në një intervistë për gazetaren e Fax News, Rovena Cerka, mjeku theksoi se nuk ishte i domosdoshëm ky koncesion pasi cdo spital i kryen vetë sterilizimet.

“Nuk ishte i nevojshëm sepse sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale nëpër spitale shtetërore bëhej ashtu si edhe sot që flasim në spitalet private. Nuk kanë koncesion spitalet private. Të gjitha spitalet sterilizojnë vetë aparaturat, kështu që nuk ishte fare e nevojshme të jepet me koncesion.

Kontata që ka lidhur shteti është mesatarisht 100 milionë euro për 10 vjet, që është shifër e lartë. Përvec saj, këto 2-3 vitet e para pamë që Ministria po paguan më shumë. Ka raste paguajmë 13-14 milionë euro në vit.

Nuk e di se nuk kemi një databasë të saktë. Është e pamundur që të gjykohet saktë a kemi më pak infeksion apo jo. Ministria nuk e ka sepse nuk qëndron vetëm tek ministria si godinë, por tek shëndetësia shqiptare. Në të gjitha pikat ku kemi spitale, nuk kemi databasë të saktë. Ne akoma ilacet i shkruajmë në kartelat e pacientëve. I shkruajmë në blloqet e mëdha të operacioneve. Ka raste që nuk e shkruajmë një nga fluksi i madh i pacientëve dhe ai operacion, zëre se nuk është bërë fare. 

Ose në një kartelë nga fluksi i madh ka raste që ka mangësi të vogla, nuk shkruhen të gjitha ilacet, nuk komentohen 100% fiks ashtu sic është bërë puna, nuk do komentohet nëpër kartela. Jo për gjë por dokumentimi në kartelë është shumë i vështirë. Është e pamundur ta dokumentosh 100% të gjithë punën që i ke bërë një pacienti. Duhet që i gjithë ky sistem që funksionon me laps e letër të kalojë në kompjuter që ta kenë vetë departamentet, sekretariat, spitalet duhet të kenë një sistem qendror dhe në fund gjithë informacioni, jo shkresa në kartela, ta grumbullojë ministria, aty del database si në të gjithë botën”, tha Koni.

Sa i përket deklaratave të ministres së Shëndetësisë se infeksionet post operatore janë reduktuar me 155, thotë se kështu i thonë, ndaj bën deklarata të tilla por i sugjeron që ti kërkojë më shumë llogari këshilltarëve.

“Ministrja për aq kohë sa nuk është mjeke, nuk kam cfarë i them kësaj deklarate. Ajo nuk e kupton dhe e merr të mirëqenë fjalën e atyre këshilltarëve që marrin vesh nga kjo punë dhe e thotë në publik dhe duke mos qenë e fushës, nuk e kupton që është deklaratë e gabuar. 

Mund ti kërkoja ministres që ti kërkojë më shumë llogari këshilltarëve të vet që e dinë këtë punë dhe e dinë shumë mirë dhe nuk mund të bëjnë deklarata kaq të sigurta sa i përket infeksioneve spitalore pa pasur një database të saktë, një studim shkencor që të ketë numër të madh pacientësh se nuk bëhen kërkime shkencore ashtu sic deklarohen nga Ministrja e Shëndetësisë me 50 apo 100 pacientë. Ju mund të zgjidhni një grup më të prirur për infeksion dhe një grup tjetër më pak të prirur për infeksion dhe kemi rezultate të gabuara. Është e kotë ti them dicka ministres se nuk është e fushës, nuk i kupton këto që po them. Por i rekomandoj që ose ti ndërrojë këshilltarët, ose ti kërkojë më shumë llogari për këto që po them”, tha Koni.

Në lidhje me antibiotikët që jepen për pacientët që marrin infeksione post operatore, Koni thotë se nuk ka një informacion për arsyen e shitjes dhe problemi qëndron vetëm tek sistemi.

“Nuk ekziston një informacion i tillë. Nuk ka një statistikë të detajuar se sa ilace përdoren për një sëmundje specifike apo problem specifik shëndetësor sepse marrin infeksionet post operatore. Pacienti operohet, del nga spitali, të nesërmen ose pas 2 ditësh vjen për kontroll, ka një infeksion të plagës dhe për sa kohë është i hershëm, themi që ka lidhje me infeksionin që e ka marrë në spital. Në këtë rast, doktori shkruan një recetë me një antibiotik. 

Receta shkon në farmaci dhe nuk hidhet direkt online dhe përvec kësaj nuk klasifikohet me llojin e problemit për të cilin është dhënë antibiotiku. Farmacia e jep antibiotikun por nuk con informacion online tek Ministria. Nuk mund të gjykojmë vetëm koncesionin e sterilizimit dhe t’ia adresojmë të gjitha sukseset vetëm koncesionit të sterilizmit. Sterilizimi bën vetëm pastrimin, vdekjen e mikrobeve te aparaturat që përdorim në kirurgji. Infeksionet ndodhin nga probleme të tjera sepse kujdesi personal shëndetësor nuk është aq i mirë. E zëmë ka shumë persona në një dhomë, nuk janë kushtet, jemi akoma në ndërtim e sipër në atë oborrin e spitalit. Nëse kemi ndërtime të tjera, të gjitha janë faktorë që e shtojnë infeksionin. Kështu që të thuash se vetëm sterilizmi është përgjegjës për më pak apo më shumë infeksione, është e gabuar”, u shpreh Koni.



/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re