Të gjithë shpresonin se Kombëtarja do të ishte surpriza e këtij Europiani, por në të njëjtën kohë, të gjithë ishin të vetëdijshëm se ndodheshim në “grupin e ferrit”.

Përpos rezultateve, paraqitjet e Shqipërisë ishin pozitive, me disa pengje si rasti i Rei Manajt në fund me Italinë, apo ai moment kur Asllani mund të dyfishonte me Kroacinë. Megjithatë, Shqipëria nuk do të mbahet mend vetëm për këto, pasi në mënyrën e saj, ka lënë shenjë në Europianin e Gjermanisë, edhe pse aventura zgjati vetëm 9 ditë, nga ndeshja e parë, tek ajo me Spanjën që vulosi edhe eliminimin.

REKORDET

Nedim Bajrami vendosi rekordin e golit më të shpejtë në historinë e një Europiani. Pas vetëm 23 sekondash lojë, fantazisti arriti që t’i shënonte Italisë, në ndeshjen e parë të grupit. Një top i dhuruar nga Di Marko, bëri që Bajrami të futet në librin e historive të këtij turneu madhor. Mbrojtësi Mario Mitaj ka qenë një ndër që luajti të gjitha ndeshjet në Europian. Kundër Italisë, ai theu rekordin e Elseid Hysajt, si lojtari më i ri i Kombëtares që luan në një Europian ( 20 vjeç, 10 muaj e 9 ditë). Por, ky rekord zgjati vetëm pak ditë, pasi u thye nga një mesfushori. Medon Berisha i cili u aktivizua në minutën e 71- të vendosi rekordin e ri kundër Spanjës. Ai është rekordmeni i ri i Kombëtares (20 vite, 8 muaj e 3 ditë).

TRE GOLA

Ndryshe nga “Euro 2016”, kur kuqezinjtë u mjaftuan vetëm me golin e Armando Sadikut kundër Rumanisë, këtë herë ekipi përfaqësues shënoi tri herë. Një gol kundër Italisë dhe dy me Kroacinë, padyshim që është një arritje pasi nuk e kishim bërë kurrë më parë. Këtë Europian shënoi Nedim Bajrami, Qazim Laçi dhe Klaus Gjasula.

DËNIMI I DAKUT

Duket disi e çuditshme, por patjetër që sjellja e Dakut bëri bujë, pasi ndodhi në një kompeticion të përmasave gjigande dhe bëri xhiron në mediat botërore. Sulmuesi u pezullua dy ndeshje nga UEFA dhe ka shlyer vetëm një, atë kundër Spanjës. Është normale që sjellja e tij nuk do të harrohet shpejt nga tifozët.

TIFOZËT SHKËLQYEN

Nëse ka diçka që do të mbetet gjatë në mendjen e shqiptarëve, ishte performance që dhuruan tifozët në Gjermani, nga përpara ndeshjes së parë dhe një ditë pas humbjes me Spanjën. Dashuria e tifozëve për Kombëtaren është e pashpjegueshme. Udhëtime nga çdo cep i botës për të mbërritur në Gjermani dhe me një sjellje shembullore, ku për dy javë nuk u regjistrua asnjë incident. Përveç kësaj pjese, 50 mijë shqiptarë mbushën stadiumin e Dortmundit dhe mijëra të tjerë u vendosën në “Fan Zone”, 40 mijë në Dyseldorf me Spanjën dhe mbi 20 mijë me Kroacinë në Hamburg, ku në të tria rastet, u sollën si vëllezër me italianët, kroatët dhe spanjollët.

PARATË

Nga pjesëmarrja Federata Shqiptare e Futbolli arkëtoi 9.25 milionë euro, shifër kjo që u shpërnda nga UEFA për të gjitha kombëtaret që morën pjesë në Europian. Ndërkohë, barazimi me Spanjën i solli FSHF-së edhe 500 mijë euro të tjera, një shifër e paracaktuar kjo kur nisi turneu. Ndërkohë, nga sjelljet jo korrekte të tifozëve që ndezën flakadanë, federate u gjobit me 84 mijë e 750 euro në total. 47,500 euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes me Kroacinë dhe 37,250 euro për ndeshjen me Italinë.

KRISTI SEJATLLARI-

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re