Ministria e Drejtësisë pas një procesi të gjatë gjyqësor ka arritur të fitojë gjyqin kundër bashkimit të operatorëve për kontratën e byzylykëve të mbikqyrjes elektronike në fushën penale të cilët do të shërbenin për të paraburgosurit apo të dënuarve me arrest shtëpie.

Gjykata Administrative e Tiranës i dha të drejtë Ministrisë së Drejtësisë për shërbimin e pakryer të pajisjeve të mbikqyrjes elektronike duke rikthyer në Buxhetin e Shtetit 2.2 miliardë lekë.

Gjyqtarët kanë urdhëruar Bashkimin e Operatorëve Ekonomikë, Ratech shpk, Fastech shpk dhe Soft & Solutions që të depozitojnë në Buxhetin e Shtetit shumën prej 150 mln lekësh që kishte marrë nga marrëveshja nënkontraktore e nënshkruar që në 2017 me Ministrinë e Drejtësisë.

Nën vëmendjen e drejtpërdrejtë të Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, përfaqësuesit ligjorë të Ministrisë kanë arritur të bindin Gjykatën të rikthejë shumën e paprecendentë në favor të Shtetit Shqiptar, duke detyruar kompanitë të rikthejnë fondet e përfituara në mënyrë abuzive.

Kontrata e pajisjeve të mbikqyrjes elektronike ka qenë e trashëguar nga titullarët e mëparshëm të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa ndjekja e çështjes në rrugë gjyqësore ka qenë një prioritet i Ministres aktuale të Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Në muajin shkurt të vitit 2017, ashtu siç është raportuar, Ministria e Drejtësisë bleu me kontratë 300 byzylykë elektronik, pas një verifikimi u konstatuar se ato nuk ndodheshin në këtë dikaster dhe mbaheshin në kundërshtim me ligjin dhe kontratën e firmosur nga kompania private, e cila është një bashkim operatorësh ekonomik.

Gjykata Administrave e Tiranës vendosi që Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë të kontraktuar nga titullarët e mëparshëm të Ministrisë së Drejtësisë të drejtuar nga zyrtarët e LSI-së, ka dështuar totalisht në përmbushjen e detyrimit bazik dhe themeltar të kontratës, ate të mbikqyrjes elektronike.

Raportohet se sistemi i ofruar nga kompanitë nuk ofron minimumin e sigurisë që kërkohet në këtë rast, pra pajisja e mbikqyrjes nuk ofron informacionin e nevojshëm mbi vendndodhjen e subjektit dhe nuk ofron aspak siguri për sinjalizim në rast heqjeje/prerje te byzylykut.

Sipas ekspertëve ky ishte edhe synimi final i kontratës, pra të sigurojë mbikqyrje të sigurtë. Qartësisht rezultoi se ky synim nuk është përmbushur dhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë nuk mund të vazhdohej më tej me kontratën. Ministria e Drejtësisë nuk mund të paguajë për një shërbim që nuk e ka, por as nuk e ka pasur asnjëherë me kapacitetet e parashikuara në kontratë.

Referuar faksimiles së përcjellë më poshtë, duke mos qenë sistemi funksional ose kur sistemi nuk ofron dot minimumin e sigurisë, atehere Gjykata dhe Prokuroria nuk mund të kërkojnë apo të japin vendime, të cilat kërkojnë mbikqyrjen elektronike; së dyti me mospërmbushjen e detyrimeve kontraktore shperdorohen fondet e Buxhetit të Shtetit.

Kjo pasi nëse do te vazhdohej të paguhet ky shërbim dhe nëse nuk kërkohen të rikthehen shumat e marra nga kompanitë prej 150.000,000 lekë të reja, atëherë cënohet Buxheti i Shtetit, pra paguhen lekë nga taksapaguesi për një sistem i cili nuk funksionon dhe nuk ka funksionuar.

Kjo kontratë, nuk ka qenë një kontratë e një shërbimi të zakonshëm. Kjo kontratë është përtej kostos financiare për shkak të specifikës së objektit të saj pasi mbikëqyrja elektronike dhe zbatimi i saj cënon sigurinë publike. Ky ishte dhe shkaku kryesor pse kjo kontratë, konsiderohet e zgjidhur që në momentin kur ajo nuk po përmbushte qëllimin e saj. Strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit të Provës, nuk mund të kishin një garanci për vendndodhjen e subjektit të dënuar dhe zbatimin e dënimit të tij dhënë më vendim giyqësor. Mbikqyrja elektronike ka një rëndësi në ekzekutimin e vendimeve penale, në rastet kur jepen dënime alternative apo në dhënien e masave të sigurimit.

Gjykata Administrative e Tiranës mori vendim të detyrojë bashkimin e operatorëve të kthejnë në Buxhetin e Shtetit pagesat e kryera për një shërbim të pakryer, pra një shumë totale prej 2,2 miliardë lekësh.

Vlen të theksohet se Prokuroria vendosi të pushojë hetimet por ka qenë gjyqtarja Rexhina Merlika e cila me anë të një vendimi ka urdhëruar Prokurorinë e Tiranës të regjistrojë procedim penal, pas ankimimit të bërë nga Ministria e Drejtësisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re