Gjykata e Apelit në Vlorë ka vendosur të rrëzojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë në çështjen e pronave, ku përfshihet familja Koço dhe kompania Jala Constructions.

Në dhomën e këshillimit është marrë vendimi nga kryegjyqtarja Iliba Bezati, duke pranuar kërkesën e Jala Constructions për vijimin e punimeve në qendër të Jalës.

Punime që u pezulluan pasi familja Koço dhe pasardhësi i kësaj prone denoncuan se kjo kompani ka falsifikuar dokumentet, edhe përmes njohjeve dhe ndërhyrjeve në institucionin e Kadastrës.

Pa prezencë të palës paditëse, gjyqtarja Bezati i ka dhënë të drejtë kompanisë Jala Constructions.

Kështu, kërkesa e Jala Constructions ka qenë rrëzimi i vendimit për pezullimin e punimeve në Jalë, që i hap rrugën ndërtimit të një kompleksi, pavarësisht pretendimeve të pronarëve të ligjshëm.

Avokati i familjes Koço tha për Fax News se klientët e tij do të bëjnë rekurs kundër këtij vendimi në gjykatën e lartë, dhe çdo instancë tjetër, pasi po iu mohohet një e drejtë themelore, si ajo e pron/ës.

Sipas mbrojtjes vendimi është i paligjshëm, dhe dëshmon dhe njëherë tjetër kapjen e drejtësisë nga politika, pasi Jala Constructions drejtohet nga familjarë të ish-ministrit Damian Gjiknuri.

Në një prononcim për Fax Neëws gjatë ditës së djeshme, avokati Rezart Kthupi denoncoi dhe parashikoi marrjen e këtij vendimi nga Gjykata Apelit, sa kohë që e gjithë faza paraprake ishte kryer pa dijeninë e tyre.

Kthupi dhe familja Koço kishin kërkuar përjashtimin e gjyqtares Bezati, pasi sipas tyre kishin indicie për konflikt interesi në vendimmarrje.

Kryetarja e Gjykatës së Apelit të Vlorës, është konfirmuar mes shumë dyshimesh në KPK, ndërkohë që vendimi është dërguar në KPA nga Komisioneri Publik. Sipas pretendimeve të Komisionerit Publik, Bezati nuk i është nënshtruar një hetimi të gjithanshëm, të plotë dhe shterues.

Ndaj saj ka pasur dy raporte negative të institucioneve ndihmëse për pasurinë dhe figurën.

Ishin të paktën KPK 32 denoncime nga publiku dhe nga mediet për shpalljen të pafajshëm apo lehtësimin e pozitave të zyrtarëve të akuzuar apo të pandehurve për vrasje, të cilat nuk u morën parasysh nga organet e Vetingut.

Në ankimin e Komisionerit renditen konkluzionet e KPK për dy apartamente, një me sipërfaqe 82 m2 në Vlorë dhe tjetri në Tiranë, me sipërfaqe totale 121.6 m², për krijimin e të cilëve janë deklaruar si burime krijimi edhe vlerat e dhuruara nga prindërit e bashkëshortit të përfituara nga vjehrra e subjektit prej shitjes së pronave në vitin 1997, që janë vlerësuar si të ardhura të ligjshme.

Komisioneri ngre pikëpyetje edhe mbi analizën e ligjshmërisë së burimeve që kanë shërbyer për një hua në vlerën 30 mijë euro të marrë nga Bezati dhe bashkëshorti i saj për blerjen e apartamentit në Tiranë.

Sipas Ballhyës, Komisioni ka vlerësuar se huadhënësi ka pasur burime të ligjshme për dhënien e huasë, ndërkohë që ka rezultuar se subjekti tregëtar që ai administron ka deklaruar fitim në shumën 572 mijë lekë për periudhën 1994-1996; për vitet 1997-2004 ka deklaruar vetëm xhiro vjetore, ndërsa për vitet 2005-2006 ka deklaruar të ardhura, por pa depozituar bilanc fizik në dosje.

Lidhur me vlerësimin e kryer nga KPK për profesionalizmin, Komisioneri veçon një çështje ku Bezati ka qenë anëtare e trupit gjykues në një vendimarrje për ndryshim të masës së sigurisë ndaj një personi të akuzuar për “pastrim të produkteve të veprës penale”, nga “arrest në burg” që kishte vendosur shkalla e parë, “në detyrim paraqitje”. Ky vendim është cënuar nga Gjykata e Lartë e cila vlerësoi të drejtë masën e cigurisë të caktuar nga shkalla e parë.

Komisioneri vlerëson se Bezati nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë dhe nënvizon nevojën për të arritur në përfundime në lidhje me ligjshmërinë e të ardhurave që kanë për burim dhurimet nga personat e tjerë të lidhur, duke u bazuar në jurisprudencën orientuese të Kolegjit.

Deri tani nuk ka ende një seancë për rivlerësimin e gjyqtares Bezati në KPA.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re