Fëmijë që nuk ushqehen pa pasur telefonin para, që nuk shtrihen për të fjetur pa luajtur edhe një herë lojën e preferuar apo që nuk pranojnë të ikin në shkollë pa telefon. Këto dhe raste të ngjashme mund t’i keni parë apo dëgjuar çdo ditë, aq sa tashmë është bërë normale.

 

Çdo fëmijë, ka në dispozicion një telefon, tablet, apo ekranin e një televizori, ku qëndrimi është për orë të zgjatura.

 

“E përdor telefonin për të folur për të luajtur. Në klasë nuk e përdor, por pas shkolle, harxhoj rreth 2-3 orë.”

“Jam 10 vjeç dhe kam 2 vite që prindërit më kanë blerë telefon. Harxhoj rreth 3-4 orë në ditë por edhe më shumë, për të komunikuar për të luajtur me lojëra”.  

 

Ky fenomen për prindërit tashmë është kthyer në një sfidë të madhe, pothuajse gati e pamundur që të kufizojnë sa shumë kohën e fëmijëve përpara ekraneve.

 

“Vetëm kukullat i hap në televizor gjysmë ore, paradite është në kopsht, ndërsa pasdite e nxjerrin prindërit. Kemi edhe lojëra në shtëpi kur nuk e nxjerrim.”

“E argëtoj me lodra dhe duke i kënduar që ta mbajmë sa më larg telefonit.”

 

Ekranet me prekje, ngjyrat dhe lëvizja ngjallin interesin e tyre por ekspertët japin alarmin se ekspozimi i gjatë ndaj tyre ka bërë që fëmijët të krijojnë  një realitet të tyrin, duke lënë pasoja në përqendrim, vonesa në të folur dhe zhvillim gjuhësor. Me nisjen e vitit të ri shkollor, logopedët janë përballur me një fluks të fëmijëve 6-7 vjeç që kërkojnë kujdes të dedikuar.

 

 ENRIK SELIMI

LOGOPED

“Ky numër është trefishuar. Sjellja, përqendrimi, vëmendja, fëmija ka vështirësi të qëndrojë ulur, kërkon të prekë gjërat që janë rrotull dhe prindërit na vijë ankohen që fëmijët nuk po përshtaten. Ka dhe një tjetër problem që na del në këtë aspekt, janë mësuesit mbështetës në shkolla që nuk janë të trajnuar si duhet që si të sillen me fëmijë që kanë vështirësi për tu integruar. për aq kohë sa kalon 1 javë 2 javë dhe ky fëmijë nuk përshtatet duhet të kërkohet një mendim profesional.”

 

Pavarësisht thirrjes së mjekëve dhe studiuesve se përdorimi i celularëve që në moshë të hershme dëmton shëndetin e fëmijëve dhe ndikon negativisht në zhvillimin e tyre duket se është thuajse e pamundur në që në kohën e zhvillimit teknologjik, të mund ta eliminosh atë nga duart e vogëlushëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re