Për të tretin vit, fermat e konsoliduara të serrave po përballen me humbje sidomos në mbjelljet e dyta, si rrjedhojë e rritjes së kostove dhe rënies së çmimeve. Tarifat e larta të inputeve (plehrave, plastmasës, farave etj.) i çuan kostot e prodhimit të një kilogrami domate në 33-35 lekë, ndërsa çmimet e shitjes me shumicë shkojnë 20-30 lekë për kilogram. Fermerët po braktisin mbjelljet, në pritje të një skeme mbështetjeje. Ministria e Bujqësisë është në shqyrtim të një varianti që synon mbështetjen direkte, ose kompensimin e humbjeve. 

 

Blerina Hoxha

Gentian Ziu mbylli derën e serrës së tij në Kutalli të Beratit, duke lënë pas një aromë të rëndë nga domatet e kalbura dhe u nis për protestë në Tiranë. Ai ka shpenzuar 3 milionë lekë për të mbjellë 10 dynymë me domate të vonë, e cila nuk po shitet për mungesë tregu, ose në rastin më të mirë, çmimi nuk mbulon as 70% të kostove.

Me dy fëmijë adoleshentë që e kanë kaluar verën duke punuar në temperatura përvëluese, pa parë një ditë pushim, tani Gentiani ndihet i humbur dhe i fyer. Tre vitet e fundit, serra për të cilën ka më shumë se dy dekada që po investon të gjithë mundin dhe të ardhurat, tani e ka zhytur në borxhe. Fara e dobët uli rendimentin e prodhimit, ndërsa çmimet e larta të plehrave ia rritën koston.

Me gjithë problematikën gjatë prodhimit, tani nuk ka treg. Grumbulluesit refuzojnë blerjet me argumentin se nuk ka kërkesë për eksport, ose në rastin më të mirë, po blejnë nën kosto. Ndërkohë, shteti as nuk subvencionon dhe as rolin e rregullatorit nuk e bën. “Pranvera që vjen do të jetë prova e fundit. Do ta mbjell për herë të fundit serrën. Më pas do të emigroj”, thotë fermeri Ziu.

Kjo është drama e shumë fermerëve në zonat më prodhuese në vend, Fier, Lushnjë dhe Berat dhe në të gjithë Shqipërinë. Puna në bujqësi është rraskapitëse, me fitime të ulëta, ndaj të gjithë botën shtetet i ndihmojnë ata që prodhojnë me mbështetje direkte financiare.

Prodhuesit duhet vetëm të prodhojnë, nuk duhet të stresohen për çmimet dhe gjetjen e tregut, në vende normale qeveritë i zgjidhin këto punë. Rritja e kostove të lëndëve të para e kombinuar me mungesën e tregut dhe çmimet e ulëta i kanë çuar drejt greminës bizneset bujqësore, sidomos ato të serrave këtë vit. Humbje këtë vit kanë pësuar edhe më profesionistët, njohës të mirë të sekreteve të bujqësisë.

Ministria e Bujqësisë dhe Kryeministri u takuan javën e kaluar me një përfaqësi fermerësh dhe ranë dakord që të shqyrtojnë një skemë e cila të mbrojë prodhuesit. Disa variante janë në diskutim, mbështetja me subvencione direkte ose kompensimi i humbjeve, sqaruan burimet nga Ministria e Bujqësisë, pa dhënë detaje.

Prodhimi i perimeve në serra në vitin 2020 zuri 32% të prodhimit të perimeve gjithsej dhe ka ardhur në rritje të dukshme nga viti në vit. Bujqit e serrave përfaqësojnë pjesën më të organizuar të bujqësisë, pasi pjesa më e madhe e tyre janë të formalizuar, kanë NIPT dhe bëjnë edhe transaksione me banka. Të dhënat zyrtare numërojnë mbi 1798 hektarë me serra në të gjithë vendin, më 2020, me zgjerim gati 100% në krahasim me vitin 2013. Me të njëjtat ritme është rritur edhe prodhimi dhe eksporti i këtyre produkteve.

Vitin e kaluar, eksporti i perimeve shënoi gati 100 milionë euro, por të dhënat nga tregtia e jashtme e këtij viti reflektojnë shqetësimet e fermerëve. Gjatë 10-mujorit, eksportet e perimeve janë rritur me vetëm 1.5% nga mbi 10% në vitet e shkuara.

Çmimet e larta të lëndëve të para kanë dekurajuar shumë fermerë. INSTAT raportoi se, në tremujorin e dytë të vitit 2021, kur shënohet edhe kulmi i vjeljes në serra nga sezoni i parë, prodhimi bujqësor shënoi rënie me 0.6% ndryshe nga sektorët e tjerë të ekonomisë që njohën një rritje jo të zakontë. Me gjithë problematikën që ka, bujqësia vijon të jetë sektori kryesor i ekonomisë me kontribut 18% në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe mbi 44% të totalit të punësimit.

 

Burimi: INSTAT

 

Kostot janë dyfishuar, çmimet kanë rënë 

Historikisht bizneset bujqësore, sidomos fermat prodhuese, kanë vuajtur nga norma të ulëta të fitimit, por së fundmi rritja e kostove të lëndëve të para dhe mungesa e tregut po lë pa mbjellë qindra hektarë tokë për sezonin tjetër. Në zonat e Fierit dhe Lushnjës, këtë vit, ureja shitet 120% më shtrenjtë dhe nitrati gati 250% më shumë se vitin e kaluar.

Gjithashtu janë rritur kostot për të gjitha helmet dhe pesticidet e tjera, plastmasën dhe hekurin e serrave. Fermeri Ziu tha se kostoja kosto e prodhimit të një kilogrami domate tani ka arritur në 330-350 lekë, në varësi të kulturës dhe farës, nga rreth 290 lekë ose 30 lekë vitin e kaluar. Ndërkohë çmimet e shitjes kanë rënë ndjeshëm poshtë kostos. Pikat e grumbullimit nuk po tërheqin domate për shkak të rënies së kërkesës nga rajoni.

Përfaqësues të kompanisë “Gogo eksport”, që eksportojnë kryesisht në rajon, raportuan rënie të kërkesës. Me hyrjen në stinën e dimrit, kërkesa për domate dhe kastravecë pëson rënie, ndërkohë që në serrat shqiptare, prodhimi është njësoj, për shkak se shumica e tyre mbillen dy herë në vit me të njëjtat kultura, domate dhe kastravec, shpjegojnë eksportuesit.

Plehrat kimike dhe pesticidet, përveçse tregtohen me çmime shumë të larta për buxhetin e fermerëve, nuk janë as cilësore.

Ilir Mile, fermer në zonën e Fierit, tha se, prodhimet bujqësore në serra po dëmtohen rëndë nga tregtarët e pesticideve. “Fajin e kanë tregtarët e mëdhenj, që e fusin helmin në Shqipëri të parët. Helmi që vjen këtu nuk ka lëndën aktive të duhur që të ngordhë insekti, të cilën ata e porosisin qëllimisht nga fabrika, domethënë nga 100% që duhet të jetë, në 50% me kosto më të ulët. Fermeri detyrohet të spërkasë disa herë dhe kostoja rritet disa herë më shumë. Faji tjetër është i shtetit që nuk i kontrollon” – tha fermeri Mile.

Ai dhe fermerë të tjerë të sektorit të serrave fajësojnë hallkat e tjera të zinxhirit bujqësor, pasi ata sigurojnë fitime të larta, ndërsa prodhuesit në shumicën e rasteve, janë të humbur.

Tregu i plehrave në fillim të këtij viti u përfshi në hetim nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili gjeti prova se tregtarët e plehrave kimike kishin rënë dakord për të fiksuar çmimet. Në fund të hetimit, të paktën dy kompani u gjobitën me 2 milionë lekë dhe një tjetër 500 mijë lekë.

Alban Zusi, sipërmarrës në sektorin e përpunimit, i cili kohët e fundit është futur në sektorin e prodhimit të inputeve për bujqësinë, thotë se, kostot mund të lehtësohen duke e sjellë prodhimin e një pjesë të plehrave në Shqipëri. Ai tha se Shqipëria trashëgon një përvojë nga e kaluara në këtë drejtim, e cila mund të shfrytëzohet në disa procese në vendin tonë.

Z. Zusi shprehet se mund të importohen ingredientët bazë dhe më pas në Shqipëri të kryhet procesi i përzierjes dhe paketimit. Në këtë mënyrë shkurtohen kostot e transportit dhe hapen mundësi të reja për biznes. Z. Zusi vuri në jetë një projekt që rezultoi i suksesshëm për prodhimin e ushqimeve për pularitë.

Të vënë nën presion nga kostot e larta që po krijon importi i lëndëve të para, shumë kompani dhe biznese po realizojnë disa procese prodhimi brenda vendit, me qëllim shpëtimin e aktivitetit.

 

Farat jocilësore, laboratorët nuk funksionojnë

Genti Ziu mori vetëm 60 kuintalë domate për një dynym serrë, por që të justifikojë mundin dhe të nxjerrë të ardhura, ai duhet të vjelë të paktën 100 kuintalë për një dynym serrë. Kur mbolli serrën për prodhimin e dytë të domates, ai tha se bleu farë F1 (Kategoria e parë), por në fakt fara ka rezultuar jocilësore, duke mos dhënë rendimentin e duhur.

Një pjesë të humbjeve që pësoi këtë sezon, ai thotë se vjen pikërisht prej farës së keqe. Laboratorët bujqësorë që u ngritën disa vite më parë nuk funksionojnë dhe fara mbillet vetëm me mirëbesim në të shumtën e rasteve. Z. Ziu tha se, në këtë rast është shumë i vlefshëm roli i shtetit si rregullator. Ofrimi i shërbimit laboratorik nga drejtoritë e bujqësisë do t’i mbronte fermerët e serrave nga humbjet që po vijnë nga farërat jocilësore. Disa kompani grumbullimi që kanë kontratat me fermerët u japin atyre edhe farat.

“Problemi nis që nga fara. Ato duhet të jenë të standardit F1, por këtë sezon ato ishin kategori F2 apo F3, pasi laboratorët që verifikojnë cilësinë e tyre nuk punojnë. Për këtë arsye, prodhimi ishte shumë i ulet, as 60 tonë për dynym dhe për rrjedhojë, domatja nuk është cilësore. Në anën tjetër, eksportet janë bllokuar dhe si pasojë, çmimi ka rënë, në një kohë që çmimet e lëndëve të para dhe plehrave kimikë janë rritur me dy apo tre herë. Kostot për mbjelljen e një dynymi nuk i kalojnë të 200 mijë lekët (të reja).

“Të gjithë fermerët që kishin serra kanë pësuar humbje të mëdha këtë vit. Kam shpenzuar gati 3 milionë lekë për mbjelljen e rreth 12 dynymë serra, por ndërkohë arkëtimet nga shitjet ishin vetëm 1 milion lekë. Kam një mal me borxhe në pikat e shitjes së fidanëve, plehrave kimike dhe ende nuk kam marrë paratë nga shitjet, pasi edhe grumbulluesit nuk i bëjnë pagesat në kohë. Bankat nuk kreditojnë dhe ky është viti i fundit që do të mbjell në serrë. Vitin tjetër do të emigroj edhe unë si gjithë të tjerët” – tha z. Ziu.

 

Burimi: INSTAT

 

Prodhuesit me humbje, tregtarët me fitim

Teksa bizneset e serrave shkuan drejt rrënimit këtë sezon, ndërmarrjet e mëdha eksportuese rritën të ardhurat me ritme dyshifrore vitin e fundit dhe gjithashtu ishin me fitim pavarësisht vështirësive që krijoi pandemia. Operatori më i madh i tregut, “Doni Fruit” vitin e kaluar realizoi mbi 1 miliard lekë shitje dhe një rritje 13.5% në krahasim me një vit më parë.

Kompania, e cila nuk ka një histori të gjatë në treg, është një investim nga më të mëdhenjtë në sektorin e grumbullimit dhe eksportit, i vetmi me kapacitete të mëdha frigoriferike që ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me fermerët dhe ka çuar eksportet shqiptare në nivel të ri organizimi.

Kompania tjetër e eksportit, “Tomato Al”, realizoi 824 milionë lekë shitje në vitin 2020, me rritje 24% nga viti i kaluar.

Edhe pse në vit pandemik, operatorët kryesorë të eksportit ruajtën qëndrueshmërinë e shitjeve gjatë pandemisë, të ndihmuar nga përqendrimi i kërkesës rajonale dhe europiane te konsumi i produkteve ushqimore.

Në grupin e vendeve në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria, qeveritë i ndihmojnë prodhuesit në bujqësi si hallka më e rëndësishme e zinxhirit ushqimor, edhe për shkak të vështirësisë dhe rreziqeve, me të cilat po përballet kultivimi nga ndryshimet klimatike që po shpeshtojnë thatësirat dhe përmbytjet.

Ministria e Bujqësisë pak më herët këtë vit i dorëzoi një kërkesë Ministrisë së Financave me qëllim që në buxhetin e vitit 2022 t’i shtohen edhe 3 miliardë lekë (24 mln euro) për skemën kombëtare, që ka në themel kompensimin e fermerëve.

Ministria e Bujqësisë kërkon që me këtë shtesë, të shtojë fondet për skemën kombëtare, në një total prej 4 miliardë lekësh, ose 32 milionë eurosh, duke tentuar të 4-fishojë fonde në këtë zë.

Kërkesa për subvencione po rritet vit pas viti, për shkak të organizimit dhe formalizimit më të lartë të fermerëve.

Tani gjithnjë e më shumë fermerë i plotësojnë kushtet për subvencion, por qeveria ofron fonde të pakta në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe Europës.

Në vitin 2019, Kosova e mbështeti bujqësinë me 53 milionë euro nga buxheti i shtetit, Mali Zi me 61 milionë euro, ndërsa Shqipëria me vetëm 6 milionë euro. Me këtë mbështetje, fermerët shqiptarë, jo vetëm nuk prodhojnë me çmime konkurruese, por shpesh përballen me humbje të mëdha, për shkak të kostove të larta që nuk kompensohen nga subvencionet.

 

 

 

Domatet dhe kastravecët e serrave dominojnë eksportet bujqësore

Domatet dhe kastravecët e serrave janë baza e eksporteve shqiptare të produkteve bujqësore. Sipas të dhënave mbi tregtinë nga Kombet e Bashkuara, në vitin 2020, eksportet e domateve dhe kastravecëve arritën 49.4 milionë dollarë, me rritje 10% në krahasim me vitin 2019, kur vlera e tyre ishte 45 milionë dollarë. Vlera e eksporteve të zarzavateve gjithsej ishte 72 milionë euro vitin e kaluar, 67% e tyre përfaqësoheshin nga domatet dhe kastravecët.

Eksportet e domateve dominojnë, me vlerë 37 milionë euro, duke zënë më shumë se 40% të eksporteve të zarzavateve.

Shumë sektorë të ekonomisë u përfshinë në ngërç nga pandemia Covid-19 vitin e kaluar, por eksportet e prodhimeve bujqësore kanë shënuar rritje të ndjeshme në vitin 2020, tendencë, që ka vijuar me ritme të larta edhe këtë vit.

Sipas ekspertëve, nxitja e eksporteve bujqësore, më shumë se sa nga prodhimi në fushë, po vjen nga përmirësimi i zinxhirëve të tregtisë dhe eksportit, si dhe investimeve në kapacitete frigoriferike.

Sektori me ecurinë tregtare më të mirë brenda sektorëve agroushqimorë është ai i perimeve. Në sektorin e perimeve vihet re një rritje e konsiderueshme e eksporteve, nga pothuajse inekzistent në fillim të viteve 2000, në nivele të konsiderueshme në vitet e fundit, si rezultat i rritjes së nivelit të prodhimit dhe shtrirjes më të madhe (kohore) të kalendarit të prodhimit.

Ndërkohë që Shqipëria ka një deficit tregtar të konsiderueshëm për shumicën e produkteve bujqësore, ajo ka një bilanc tregtar pozitiv për domaten dhe kastravecin. Eksportet e domates dhe kastravecit ndodhin në kushtet e një kërkese ndërkombëtare të qëndrueshme për këto produkte ndërkombëtare.

Vladimir Çela, i cili kultivon prodhimet e serrave që në vitin 1991, tha se problemin e ka i gjithë zinxhiri që nga farat, pesticidet jocilësore, kostot e larta dhe çmimet e ulëta.

“Qe të justifikoj mundin, duhet të shes një kilogram domate 50-70 lekë ndërkohë që çmimi në treg nuk është më shumë se 30-35 lekë. Tre vitet e fundit, situata është rënduar nga çmimet e larta të inputeve dhe nga ana tjetër, nga çmimet e ulëta të produkteve finale.

Aktualisht kam 1 milion lekë borxh, ndërkohë që kam investuar në serrë 3 milionë lekë. Nafta pa akcizë që dha qeveria nuk e zgjidh problemin, pasi 70 litra naftë që kam përfituar, kushtojnë 10 mijë lekë, ndërkohë që sot hodha në serrë 30 mijë lekë për një lloj pesticidi për rrënjët”, tha Ziu

 

Marrë nga Monitor.al

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re