Së fundi, PDIU-së, partisë së njohur si “të çamëve”, iu larguan dhe dy deputete. Kryetari Shpëtim Idrizi, që sheh t’i shkërmoqet forca e tij politike me një defaktorizim të stuhishëm, siç dhe u faktorizua, e sheh këtë si komplot të mazhorancës, a më saktë PS-së, partisë prej nga u njoh dhe vetë ai si emër. Por si erdhi deri në këtë pikë?

Çamët ishin një komunitet përgjithësisht të lidhur me njëri-tjetrin dhe me vetëdije të plotë për të adresuar kërkesat e tyre në një rast të mundshëm. Por në vitin 1990, ata, në vend që të formonin një formacion politik, zgjodhën t’i bashkoheshin PD-së, ta gjenin aty, te partia e parë anti-komuniste, atë çfarë u mungonte e kërkonin. Dhe kjo pati rezultat imediat për PD-në: arriti të bëhet forcë e parë politike në disa zona të jugut ku çamët dominonin, kjo deri në vitin 1994.

Ndërsa në vitet 2000, të ngacmuar nga një vetëdije e re politike, edhe për faktin se PD ishte në rënie shpërfytyrim identitar, tek komunitet nisën përpjekjet për t’u veçuar, spikatur e lobuar në politikë.

Si fillim u forcua shoqata Çamëria, ku dhe falë kontributeve të disa biznesmenëve të fuqishëm me origjinë çame, Top Channel u shndërrua ni një portë mediatike të hapur për ta.

Në vitin 2004, u formua Partia për Drejtësi dhe Integrim, një grupim që u drejtua nga Tahir Muhedini. Por në krijimin e kësaj force pati rol të madh familja Demi, pra Resul e Gaz Demi, të cilët duhet thënë se ishin nga pjesa “e majtë” e çamëve të cilët kishin miqësi me Fatos Nanon.

PDI e nisi aksionin politik me një protesët në Sarandë, ku do të zhvillohej takimi ndërmjet Presidentit të asokohshëm, Alfred Moisiu dhe atij të Greqisë, Karolos Papulias.

Takimi do të zhvillohej pikërisht në hotelin e Gaz Demit, pikëb më të rëndësishme të Sarandës, ish-Turizmin.

Me të marrë vesh se çamët do të bëjnë protestë, Papuljasi anulloi vizitën. Dhe kështu çamët morën njohjen e parë ndërkombëtare që ata jo vetëm ekzistojnë por politikisht janë organizuar fort, madje kanë konsensus si majtas dhe djathtas.

Fatos Nano, asokohe kryeministër kishte afruar pas ndërhyrjes edhe të Gaz Demit, por edhe të Gramoz Pashkos, një ish-student të dhjetorit i cili ishte çam Tirone.

Bëhet fjalë për Shpëtim Idrizin, të cilin Nano e bëri edhe drejtor doganash edhe drejtor tatimesh. Me një fjalë Idrizi u kthye në një nga njerëzit më të fuqishëm në Shqipëri, duke qenë çam sigurisht.

Në vitin 2005, Fatos Nano e kandidon Shpëtim Idrizin për deputet në Vlorë dhe ai fiton në një zonë të dominuar nga komuniteti çam.

Vjen epoka Rama. Idrizi i qëndron luajal kryetarit të ri, por të qënit opozitë ia ngacmoi idenë e një kalimi në një stad tjetër: të merrte në dorë frenat e çështjes çame, si një formë e rrugë për t’u faktorizuar politikisht. Modeli ekzistonte dhe ishte tundues: Ilir Meta dhe LSI. Kështu dhe u përvijua PDIU, parti e re e themeluar nga Idrizi, i cili menjëherë iu bashkua qeverisë Berisha në mandatin e dytë, duke marrë ca  porcione pushteti mu aty ku ishte qarkullonte një para jo e vogël: te qarkullimi, patentat. Ndërsa ndërrimi i pushteteve në 2013-ën, e kthen sërish te Rama, edhe duke nuhatur nevojën e këtij të fundit për vota.

Idrizi shpik aksiomën “çam nuk lind por bëhesh” dhe arrin të fitojë në Dibër e Peqin, duke u mbështetur tek të emrat të fortësh që mendonte se do të rrisnin aksionet e PDIU-së. Partia e tij përjetoi kulme faktorizimi, gjë që u tregua gjatë zgjedhje të pjesshme lokale në Dibër. Në këtë zonë ku nuk ka këmbë çami, ai sajon një bastion me ndihmën e një “të forti”, Imer Lalës, bija e të cilit del deputete.

Por shpejt të fortët e nxjerrin jashtë loje Idrizin duke krijuar raporte direkte me Edi Ramën. Aqif Rakipi dhe Ymer Lala ia marrin hapësirën PDIU-së duke e bërë kryetarin pa pushtet.

Efekti ishte paradoksal: Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda dalin jashtë loje pas zgjedhjeve të 2017-ës, pa arritur të marrin mandat deputeti.

Deklarata e dy deputeteve n që i përkasin tashmë grupit të PS-së, ishte vetëm epilogu i një skenari që vetë Idrizi duket se e kishte shkruar, normalisht por pa e kuptuar, në bashkëautorësi me Edi Ramën.

Gjithë çpo ndodh me partinë e tij, Idrizi e përkthen si një “kalë troje” ndaj tij, një pakt Athinë – Tiranë për ta zhbërë. Kjo mund të jetë, apo dhe është, vetëm njëra anë. Tjetra është dështimi në aplikimin e modelit LSI.     

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re