Tregu europian i futbollit regjistroi të ardhura rekord prej 38 miliardë eurosh në sezonin 2023-24, një rritje prej 8% krahasuar me 35.3 miliardë euro në sezonin 2022-23, sipas edicionit të 34-t të raportit “Rishikimi Vjetor i Financave të Futbollit” të “Deloitte”, i cili analizon ndikimin ekonomik dhe tregtar të gjeneruar nga ligat kryesore të futbollit të Evropës.Pesë ligat kryesore të Evropës – Premier League, Bundesliga, La Liga, Serie A dhe Ligue 1 – gjeneruan të ardhura prej 20.4 miliardë eurosh, duke u rritur me 4% dhe duke tejkaluar 20 miliardë euro për herë të parë. Sipas analizës së “Deloitte”, të ardhurat totale për klubet në pesë ligat kryesore të Evropës parashikohet të kalojnë 21 miliardë euro në sezonin 2024-25, përpara se të stabilizohen në sezonin 2025- 26, kryesisht për shkak të pasigurisë mbi marrëveshjen e të drejtave televizive të Ligue 1 nga viti 2025-26 e tutje.
RRITJE E FORTË PËR LA LIGËN – La Liga ishte liga e dytë kryesore evropiane me përqindjen më të lartë të rritjes (+6%), vetëm pas Ligue 1. Kjo i lejoi asaj të arrinte 3.764 miliardë euro të ardhura gjatë sezonit (229 milionë euro më shumë). Një nga arsyet për këtë rritje ishin titujt që Real Madrid fitoi atë sezon (La Liga dhe Liga e Kampioneve), duke e bërë atë klubin e parë që fitoi më shumë se 1 miliard euro në një sezon. Megjithatë, Liga spanjolle dështoi të kalonte Bundesligën (3.797 miliardë në Bundesligë kundrejt 3.764 miliardë në La Liga) si gara e dytë europiane me fitimet më të larta (parashikimet tregojnë se do ta arrijë këtë në sezonin 2024-25). Dy klubet me fitimet më të larta në La Liga, Reali dhe Barcelona, përbënin pothuajse gjysmën e të ardhurave totale të kampionatit spanjoll (48%).
HENDEKU – Me rritjen galopante të dyshes Barça-Madrid, kjo ka bërë që hendeku midis klubeve me fitimet më të larta dhe më të ulëta të zgjerohet nga 15 në 19 herë krahasuar me sezonin e kaluar. Ndikimi financiar i investimeve në stadium ishte i dukshëm, me një rritje prej 28% (149 milionë euro) në të ardhurat e ndeshjeve në të gjithë La Liga-n, duke arritur në 700 milionë euro. Rinovimi i stadiumit “Santiago Bernabéu” çoi në dyfishimin e të ardhurave të Realit të Madridit nga ndeshjet (126 milionë euro) dhe kontribuoi në një rritje prej 19% të të ardhurave komerciale (78 milionë euro). Në të kundërt, Barcelona përjetoi një rënie prej 38% (63 milionë euro) në të ardhurat e ndeshjeve, duke luajtur në një stadium me kapacitet më të vogël, ndërsa po kryhen rinovimet e “Camp Nou”.