Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve vjen këtë vit nën sloganin “Peizazhet Rurale”, dhe në kuadër të kësaj teme në çdo sit arkeologjik dhe parqe në vendin tonë u zhvilluan aktivitete të ndryshme ku fokus janë ndërthurja e peizazheve rurale me objekte të trashëgimisë kulturore.

Në kuadër të kësaj dite, DRKK Berat ka realizuar edhe disa fletëpalosje informuese rreth disa monumenteve në qarkun e Beratit. Gjithashtu DRKK Berat zhvilloi dhe aktivitetin ”Peizazh dhe Trashëgimi” në mjediset e kishës së Sinjës me nxënësit e shkollës ”Jani Dodi”. Të rinjtë u njohën me vlerat historike, arkitektonike por edhe artistike për pikturën murale të saj. Gjatë takimit diskutuam nevojën e ruajtjes së peizazheve dhe lidhjes së saj me trashëgiminë dhe shoqërinë.

Kisha e ”Shën Mërisë” në fshatin Sinjë të Beratit është e ndërtuar në faqen shkëmbore të malit të Shpiragut. Kjo kishë mendohet të jetë ndërtuar në shekullin XI-XII, kur pati një lulëzim të madh të arkitekturës së kishave–shpellë, periudhë e cila shquhet për realizimin e kishave dhe ambienteve përreth në disa raste me volume të vogla, duke shfrytëzuar me mjeshtëri gjithë hapësirën e mundshme që jepte shpella natyrore në atë pjesë të formacionit shkëmbor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re