Në qytetin e Beratit ka përfunduar restaurimi i banesës së familjes Xhindole në lagjen “Mangalem”.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtar Berat bën të ditur se “ndërhyrja u krye në bashkëpunim me Chwb Albania dhe konsistoi në zëvendësimin dhe trajtimin e elementëve të drurit të tavanit të strehës së çatisë dhe riparimin e suvasë së dëmtuar të fasadës”.

Sipas DRKK, punonjësit kryen një punë delikatë për restaurimin e çatisë, pasi kërkonte konservimin e elementëve drusorë, të cilët ishin më pak të dëmtuar. Ato u zëvendësuan me elementë të tjerë sipas modelit tradicional të banesave karakteristike.

Pjesë e punës restauruese ishte edhe riparimi i suvasë së dëmtuar dhe trajtimi me vaj lini të elementëve të drurit.

Arkitektura unikale e banesave në Berat duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.

Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, i bëjnë këto banesa një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.

Një hijeshi të veçantë arkitekturës së lagjes “Mangalem” i jep edhe prezenca e radhës së dyqaneve në rreshtin e parë, aty ku aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznese të ndryshme të qendrës historike të qytetit.

Në shumicën e literaturës turistike për vetë kompozimin arkitekturor të ansamblit të Mangalemit, Berati cilësohet ndryshe edhe si “qyteti i një mbi një dritareve”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re