12 shtator – Banesat karakteristike të qytetit të Beratit, reflektojnë influencat e traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 të erës sonë. Këto banesa janë gjithnjë e më shumë në vëmendjen e specialistëve të monumenteve të kulturës.

Ditët e fundit punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Berat po punojnë për restaurimin e banesës së Llazar Zanati, lagjja Goricë.

Puna ka nisur me heqjen e materialit drusor të amortizuar në pjesën e frontonit të çatisë si dhe zbërthimin e pjesshëm të kësaj të fundit. Më pas do të punohet për vendosjen e strehës me një palë bishta e cila do të mbrojë kreun e murit të gurit, që ishte i ekspozuar nga agjentët atmosferikë (shirat, etj).

Muratura e gurit në pamjen veriore të banesës kishte disa çarje në muraturë dhe degradim të materialit lidhës (llaçit). Punimet do të vijojnë me injektime, konsolidime të muraturës së gurit dhe aty ku është e nevojshme, do të ketë zbërthime të pjesëve të murit me teknikën shqep-qep.

Gjithashtu banesa do të trajtohet edhe me ndërhyrje të tjera restauruese sipas projektit të hartuar nga specialistët e DRKK Berat dhe të miratuar nga institucionet vendimarrëse.

Pamja fillestare e kësaj banese ka qenë me çardak në gjithë ballin e saj dhe me një arkitekturë interesante.

Kjo banesë sot gëzon statusin juridik monument kulture, kat. II, në lagjen Goricë, e cila është në proces restaurimi falë bashkëpunimit të DRKK Berat me CHWB Albania.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re