Vijon puna në xhaminë e Beqarëve, Berat. Pas procesit të dranazhimit dhe përforcimit të themeleve të objektit, po vijohet me punimet restauruese, konkretisht me restaurimin e çatisë.

Ky proces ka vijuar me zbërthimin e kujdesshëm të çatisë, zëvendësimin e elementëve të degraduar, petavrimin e çatisë, mbulimin me letër hidroizoluese dhe më pas do të mbulohet me tjegulla vendi.

Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare mbikëqyrin në mënyrë të vazhdueshme ecurinë e punimeve në 5 kantieret e ngritura në xhamitë e qyteteve Tiranë, Berat dhe Gjirokastër, të cilat janë edhe pjesë e programit “Rrugët e Besimit”.

Pak historik rreth xhamisë…

Për të njohur më mirë ndërtesën dhe historinë e saj, me interes janë të dhënat që na jep Vexhi Buharaja dhe që konfirmohen nga Kiel, të cilat nxirren nga interpretimi i mbishkrimit të xhamisë. Shkruesi i vargjeve është poeti Arif Hiqmet, i cili ishte edhe Kryegjyqtari ushtarak (Kadiasqer) i Rumelisë.

Nga mbishkrimi mësojmë se xhamia nuk është ndërtuar nga esnafi i Beqarëve, por duket se u shërbente si vend pushimi e faljesh. Xhamia është ndërtuar nga Sulejman Pasha, djali i Ibrahim Pashë Vlorës, që u bë guvernator në vitin 1824-25 (1240H). Por Buharaja na thotë se, në dëshmi të shkruara të shekullit XVIII-të, xhamia përmendet me emrin e Beqarëve, domethënë nga Sulejman Pasha kemi pikturimin dhe ndonjë rindërtim të saj.

Këtë xhami tradita popullore e quan xhamia e Beqarëve ose xhamia e Tabakëve. Në një burim dorëshkrimor turqisht (regjistër ku shënohen disa godina të kultit mysliman në Berat dhe të ardhurat e tyre), xhamia na del me emrin Xhamia në Tabakhanë dhe jo xhamia e Sulejman Pashës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re