Ka tërhequr jo pak vëmendjen e mediave botërore por edhe të liderëve më të rëndësishëm, akti i qeverisë turke për të kryer një studim sizmik në një zonë në Mesdheun Lindor, veprim që Greqia e konsideron të paligjshëm.

Ngjarja në fjalë vetëm sa ka shtuar tensionet mes palëve e për këtë Greqia ka vënë në dijeni edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, e nga ana tjetër kryeministri ka mbledhur në mënyrë emergjente kabinetin qeveritar për të gjetur mënyrën se si i duhet përgjigjur shtetit turk.

Pamjet e mëposhtme janë publikuar nga Ministria e Mbrojtjes në Ankara mbrëmjen e sotme të cilat tregojnë një anije luftarake por pa treguar vendndodhjen e saj.

“Forcat e Armatosura Turke kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në kuadër të përcaktimit dhe vendosmërisë së tij për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona që rrjedhin nga ligji ndërkombëtar në zonat tona të juridiksionit detar”, shkruan ministri krah fotove.

Ndërkohë, në fotot e publikuara nga mediat greke por jo vetëm, duken 7 anije që shoqërojnë anijen e madhe kërkimore, ndërsa 18 të tjera janë të vendosura ne zonën mes Rodosit dhe ishullit Kastelirozo.

Sipas autoriteteve turke, kjo marinë do të veprojë në zonë gjatë dy javëve të ardhshme ndërsa të dy vendet kanë mosmarrëveshje për shkak të pretendimeve territoriale mbi burimet e hidrokarbureve në rajon.

Pritet që në vijim të ketë një qëndrim edhe nga vendet e BE-së apo SHBA-të duke qenë se presioni në Mesdhe po rritet, ndërsa palët nuk bëjnë lëshime ndaj njëra-tjetrës./faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re