Një fushatë e re e kryeministrit Edi Rama kundër “armiqve” të tij të vjetër –gjyqtarë dhe prokurorë të Shqipërisë është pritur me shqetësim nga shoqatat që përfaqësojnë njerëzit e drejtësisë në vend.

Në një reagim të përbashkët, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve dënuan qëndrimet agresive dhe deklaruan se ato përbëjnë kërcënim ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe sjellin pasoja të dëmshme për reformën në drejtësi.

“Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale, por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Parimi i ndarjes së pushteteve qëndron në themel të demokracisë sonë kushtetuese dhe presupozon që asnjë pushtet nuk është epror ndaj tjetrit,” thuhet në deklaratën e dy shoqatave.

Kryeministri Edi Rama dhe funksionarë të tjerë të qeverisë ashpërsuan tonet dhe iu rikthyen sulmeve ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve gjatë javëve të fundit- duke i fajësuar ata si shkaktarët e vetëm të pengesave që po has Shqipëria në hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Rama i targetoi prokurorët dhe gjyqtarët si grupi KÇK [Kap çfarë të kapësh] dhe shpalli njjë luftë mes Parlamentit dhe këtij grupimi, pa dhënë shpjegime se me ç’mjete Parlamenti do të duhet t’i kundërvihet zyrtarëve të një pushteti tjetër.

“Nuk mund ta lejojmë ne që Shqipëria të mos bëjë kapërcimin e fundit historik në raport me këta palaço në prokurori dhe në gjykatë. Do ta bëjmë ne. Ti kundërvihemi me forcën më të egër KÇK-së dhe mbeturinave që janë rrugëve dhe nuk mund të presim që KÇK t’i çojë pas hekurave,” deklaroi Rama, vetëm pak ditë pasi sulmoi nominalisht një prokuror për shantazh ndaj zyrtarëve të shtetit dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Shoqatat e gjyqtarëve deklarojnë se mënyra më e mirë për të adresuar problemet me sistemin e drejtësisë janë tashmë të adresuara në Kushtetutë dhe në ligjet përkatëse dhe i konsiderojnë deklaratat e qeverisë, në kohën kur sistemi po kalon tashmë një reformë të thellë si dëmtuese.

Shoqatat e gjyqtarëve ftuan edhe institucionet e reja apo ato ndërkombëtare në mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, duke u kërkuar të mbajnë qëndrime ndaj sjelljeve të fundit.

“Shoqata Kombëtare dhe Unioni i Gjyqtarëve dëshirojnë të ftojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si institucioni i ngarkuar me garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor si dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të palodhur për konceptimin dhe vënien në jetë të reformës në drejtësi, për të mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me sjelljet shfaqura kohët e fundit,” përfundon deklarata./ Aleksandra Bogdani-BIRN/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re