VALENTINA MADANI/ Ndonëse emigrantët e parë pritet të mbërrijnë në vjeshtë, qendra e pritjes së tyre në Shëngjin tashmë është gati.

Giorgia Meloni vjen sot në Shëngjin, për të parë dy qendrat e menaxhimit të emigrantëve, strukturat e të cilave janë ngritur dhe janë marrë në menaxhim nga autoritetet italiane. Para nisjes në Shqipëri, ajo deklaroi se do t’i shprehë Edi Ramës solidaritetin për sulmet që i janë bërë për këtë çështje.

Meloni do të pritet nga kreu i qeverisë, Edi Rama. Në faqen zyrtare të qeverisë italiane, njoftohet se Meloni do të jetë në Shëngjin rreth orës 12:00 dhe së bashku me Kryeministrin Rama do të vizitojnë zonat që mbulon protokolli i bashkëpunimit Itali-Shqipëri për çështjet e migracionit, përfshirë edhe punimet në Gjadër, të cilat ende nuk kanë përfunduar. Në fund të inspektimit, Rama dhe Meloni do të kenë një konferencë të përbashkët për mediat. Ministrja italiane do të shoqërohet nga ministri i Brendshëm, Piantedosi. Në një prononcim publik në Itali, Meloni dha disa detaje për vizitën në Shëngjin.

“Nesër me ministrin Piantedosi do të shkoj në Shqipëri për të verifikuar zbatimin e protokollit që kam nënshkruar në muajin nëntor me kryeministrin Edi Rama, të cilit i rinovoj solidaritetin e gjithë qeverisë sime për sulmet që ka marrë. Do të verifikoj atje gjendjen e punimeve të qendrës të pritjes në Shëngjin dhe të përpunimit të të dhënave në Gjadër”.

Përgatitjet për këtë vizitë nisën më herët, pasi një ditë më parë në kampet e ngritura për emigrantët mbërriti edhe policia italiane për të parë terrenin për sigurinë e refugjatëve. Referuar mediave italiane, marrëveshjes pritet t’i hapet rruga e zbatimit duke filluar nga 15 shtatori. Kapaciteti maksimal i emigrantëve në këto qendra nuk do të jetë më shumë se 300 në muaj. Shpenzimet do të mbulohen nga qeveria italiane, ku është parashikuar që vetëm për marrjen me qira të anijes që do të shoqërojë emigrantët do të shpenzohen 13.5 mln euro për 90 ditë. Çdo operacion do të zgjasë deri në 6 ditë.

Marrëveshja mes Ramës dhe Melonit u nënshkrua më 6 nëntor 2023 dhe përmban ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve, të cilët shpëtohen në det nga anijet ushtarake italiane apo ato të Guardia di Finanza-s. Emigrantët do të qëndrojnë në Shqipëri dhe do të kryejnë procedurat derisa të merret një vendim për fatin e tyre, nëse do të pranohen ose jo në vendin fqinj.

REAGIMI

Kryeministri Edi Rama reagoi edhe dje ndaj investigimit të dytë të “Rai 3”, duke thënë se u hodh baltë ndaj Shqipërisë dhe se italianët pranuan se nuk janë ata, që mendojnë se vendi ynë është narkoshtet, por gjithçka ishte një “çorbë bio shqiptare”. Në një videomesazh, Kryeministri Rama akuzoi edhe njëherë “Rithemelimin” se ka prodhuar baltë mbi Shqipërinë dhe e ka ‘eksportuar’ në Itali me gjysmë të vërteta.

Sipas tij, e gjitha kjo ka vetëm një qëllim, luftën politike ndaj tij dhe qeverisë. Një koment e ka edhe për përfshirjen e ish-bashkëpunëtorit të tij, Arben Ahmetaj, por pa e përmendur me emër. Kreu i qeverisë thotë se figura të errëta u përdorën si heronj në emisionin e “Rai”-t: “Njëri i arratisur, i shpallur në kërkim nga SPAK – referuar këtu Ahmetajt, – si edhe tjetri një i mbyllur në arrest shtëpie – referuar ish-kryeministrit Sali Berisha, “non grata” nga SHBA e BE.

Për të dënuarin me 17 vite nga gjykatat shqiptare i referohet sipërmarrësit italian Francesco Bechetti. Këtë të fundit e shigjeton direkt si burimin e “baltës” mbi Shqipërinë, duke thënë se ajo çfarë u transmetua në “Rai” nuk ishte gjë tjetër veçse një çorbë “TikTok”-u dhe nuk tha asgjë të re, përveç jashtënxjerrjeve të ujërave të zeza të politikës “non grata” e të kanaleve mediatike në Shqipëri, që i shërbejnë atij llumi politik. “Ishte fyese, sepse përtej personales, keqardhjes, dhimbjes nga padrejtësia e imponuar e vendosjes në shënjestër, për shkak të fushatës elektorale në Itali e të luftës mediatike atje ndaj homologes sime në krye të qeverisë italiane, kjo eksperiencë kishte në përmbajtje shumë baltë për Shqipërinë. Baltë e prodhuar këtu, në Tiranë, për luftën politike ndaj meje e qeverise sonë dhe këtë ju e dini të gjithë.

Dhe e gjithë ajo baltë e eksportuar nga këtu në Itali dhe e ekspozuar në ekranin e Shërbimit Publik italian, me lloj-lloj emra shqiptarësh e me dyshime të pambështetura në fakte, pa asnjë interes për publikun italian, që as nuk di e as nuk i intereson kush është X-i e Y-ni në Shqipëri, ishte padyshim një baltë krejt e pamerituar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, – deklaroi Edi Rama. Duke e quajtur një pseudoivenstigim italo-shqiptar, Rama thotë se ky emision ishte një sulm mbi nderin, emrin dhe flamurin tonë kombëtar. “Koha kur shteti shqiptar, qeveria, Kryeministri i Shqipërisë, rrinin si skutha që bënin të fortin me të dobëtit këtu brenda dhe të menderosurin para të huajve, ka vdekur”, – tha Rama, ndërsa theksoi edhe njëherë se është i vendosur për t’ua ngritur kokën lart shqiptarëve dhe për të mos falur asnjë që përpiqet të hedhë baltë.

Madje, Kryeministri u bëri thirrje shqiptarëve të braktisin Sali Berishën e “Rithemelimin” dhe t’i dënojnë me votë në ‘ditën e gjykimit popullor’. “Unë e kam me të gjithë shqiptarët e zakonshëm dhe e kam të thjeshtë fare: Mos i falni më! Braktisini përgjithnjë në vetminë e ujërave të zeza të politikës së tyre.

Shumica që i ka braktisur prej kohësh, duhet të bëhet gati për t’i shkatërruar fare me votë në ditën e afërt të gjykimit popullor. Pakica që ende nuk i ka braktisur, është në të drejtën e Zotit të mos bashkohet me shumicën nëse nuk do, po jo të vejë më pas tyre, sepse ata nuk i duhen as dreqit, jo më Shqipërisë! Ata janë mishërimi i shpirtit të së keqes që po del nga jeta e Shqipërisë, duke u çjerrë në përpëlitjet e fundit. Ky vend ka kryer punë me atë shpirt të keq, që e persekuton qysh prej vitit 1912. Shqipërinë nuk e ndal më asgjë dhe nuk ia përcakton më të ardhmen askush, përveç nesh, shqiptarëve. Kokën lart dhe vetëm përpara!”, – deklaroi Kryeministri Edi Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re