Ishte fillim nëntori i vitit 1946, kur inxhinierët më të mirë, Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri, Vasil Mano, bashkëshortja e tij Zyrika, Pandeli Zografi dhe Mario Guarnieri ndaluan së punuari për tharjen e kënetës së Maliqit.
 
Befas, ata u akuzuan se kishin bashkëpunuar me anëtarin e misionit amerikan, Harry Fultz.
 
Nuk kishte shumë prova, por ata pranuan thuajse gjithçka ne gjyq. Gjatë 10 ditëve u dëgjuan të akuzuarit, që nuk i shpëtuan pushkatimit.
 
Sot, 71 vite më vonë familjarët nuk dinë ende se ku u vranë ata dhe as se ku janë trupat. Megjithatë, nuk është asnjëherë vonë për të thënë disa të vërteta, e këto përmes dokumenteve, që publikohen për herë të parë nga Autoriteti mbi dokumentet e sigurimit.
 
Pak vite më vonë, Fatmir Gjata botoi librin “Këneta” duke fshehur shumë të vërteta që sot zbulohen me hapjen e dosjes. Kjo histori grishi edhe kinostudion “Shqipëria e re” që realizoi filmin “Vitet e para”.
 
Pushkatimi i inxhiniereve, mes të cilëve edhe një grua shtatëzanë shfaqej si vepër patriotike e sistemit komunist për të mbrojtur Shqipërinë nga të huajt.
 
Dosja e bërë publike këtë të martë është vetëm fillimi i një hetimi për të zbuluar ku janë eshtrat e inxhinierëve, për të ngritur memorialin apo për të bashkëpunuar me Departamentin e Shtetit Amerikan nëse ka ndonjë dokument ku përmenden emrat e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re