Ishte 13 vjeç kur u nis në vitin e largët 1998 nga Fieri drejt Italisë. Në shtetin fqinj, e prisnin vëllai e kushëriri. Antonion Plaka la pas prindërit dhe u nis në emigrim për një jetë më të mirë. Në atë kohë kushëriri i tij kishte mundur të hapte një stendë të vogël me fruta- perime në Pistoia.

“Në vitin 1998 isha 13 vjeç, por të vazhdoja të jetoja në Shqipëri ishte e pamundur. Në ato vite vendi im u copëtua nga një luftë e tmerrshme civile. Nuk kishte punë, nuk kishte paqe, nuk kishte të ardhme. Kështu që hipa në anije dhe u bashkova me një pjesë të familjes sime. Në atë kohë kushëriri im kishte tashmë një stendë fruta-perimesh në via Clemente IX, ku punonte edhe vëllai im, i cili është nëntë vjet më i madh se unë. Aty nisa të hidhja hapat e parë në industri. Sigurisht, nuk ishte e lehtë. Ditët tona fillojnë në tre e gjysmë të mëngjesit kur bie alarmi. Çdo ditë, edhe sot, shkoj në tregun gjeneral Novoli për t’u mbushur me fruta dhe perime. Shtatë ditë në javë, me ditët që vazhdojnë deri në mbrëmje, me përjashtim të së dielës kur punojmë gjysmë dite”-tregoi 39 vjeçari për median italiane.

Vitet kaluan dhe tashmë mbiemri Plaka është i njohur në të gjithë qytetin, ndërsa Antionioni ka mundur të hapë edhe dy dyqane të tjerë me fruta-perime.

“Asgjë nuk ishte e lehtë por puna e vështirë, në fund, na lejoi të arrijmë këtu. Dhe kjo është shtytja më e mirë për të vazhduar… Kur vendosa ta bëj këtë orvatje, qoftë edhe pak në errësirë,​ mendova për vajzat e mia, të cilat tani janë tetë dhe dhjetë vjeç. Uroj që vajzat të studiojnë sa më shumë, gjë që fatkeqësisht mua më ka munguar. Unë do të doja që ato të bëjnë atë që u pëlqen më shumë dhe atë që ndiejnë të bëjnë. Megjithatë, nëse një ditë duan të vazhdojnë këtë biznes familjar, uroj që të paktën të qëndrojnë larg shiut.”-tha 39 vjeçari.

Sot Antonion Plaka ka shtatë punonjës të ndarë në tre dyqane.

“Sakrificat ishin të shumta, megjithatë sot kënaqësia është vërtet e madhe. Me familjen time ne kemi zgjedhur të jetojmë në Pistoia dhe të ndërtojmë jetën tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë këtu. Dhe për këtë, nga zemra, më duhet të falënderoj njerëzit e Pistoias që na kanë dhënë gjithmonë besim të madh.

Ajo që dua të them është se nëse bëni përpjekje për diçka, gjërat bëhen. Me familjen time filluam me pak dhe ndërtuam shumë. Sigurisht, përpjekja ka qenë dhe është ende. Por asgjë nuk vjen nga hiçi dhe besoj se ky është mësimi më i rëndësishëm për fëmijët tanë.”-përfundoi 39 vjeçari në një intervistë për iltirreno.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re