Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, këtë të enjte i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut të tij italian, Gabriele Gravina, për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të famshëm, Paolo Rossi. Në mesazhin e tij, Duka shkruan se Rossi ishte një burim frymëzimi edhe për shqiptarët në periudhën e vështirë të komunizmit, duke na dhuruar emocione dhe gëzim me paraqitjet e tij në fushën e lojës, veçanërisht në Botërorin e vitit 1982 ku ai ndihmoi Italinë të shpallej kampione e botës.  Ndër të tjera, kreu i FSHF-së shprehet se Paolo Rossi ishte një idhull për shumë breza dhe ka një vend të veçantë në historinë e futbollit botëror.

“Me trishtim mësova lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të Paolo Rossit, një ish-futbollist i shkëlqyer i klasit botëror dhe një idhull për shumë breza. Ai ishte një burim frymëzimi për shumë shqiptarë gjatë periudhës së vështirë të komunizmit përmes emocioneve dhe gëzimit që na dhuroi në finalet e Botërorit 1982. Sot futbolli humbi një tjetër emër të madh dhe Paolo meriton një vend të veçantë në hollin e famës të historisë së futbollit. Në emër edhe të Federatës Shqiptare të Futbollit dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Rossi, Federatës Italiane të Futbollit dhe komunitetit italian të futbollit”, – shkruan Presidenti Duka në mesazhin e ngushëllimit dërguar Federatës Italiane të Futbollit.

Letra e presidentit Armando Duka.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re