Udha e mundimshme drejt suksesit e Afrimit, Metit, Manes dhe Agronit. Emrat e dashur për publikun shqiptar pas viteve ’90, që me paroditë e tyre kujtohen edhe sot në çdo skaj të botës ku shqiptarët punojnë si emigrantë

 

 Gëzim Llojdia; Qyteti bregdetar

Netët romantike në bregdetin jugor të Vlorës fillojnë qysh nga pranvera dhe përfundojnë ne fund gushti, sjellin një përqasje prej zgjimi ëndërror. Më tërheq edhe mua si në çdo verë, show turistik ,që thyen rutinën e këtyre mbrëmjeve të qeta detare,ku ndihet duhma e lehtë e valëve.

Shëtitjet e tyre turistike siç dua ti përkufizoj janë një shou e filluar nga skena verores,brenda konceptit të tyre shtrihen në hapësirat, që kanë plazhet dhe përgjatë gjithë vijës bregdetare. Vitet e shkuara këtu ishin prezentë edhe :”Grupi i parodistëve”, mirëpo me ikjen e Metit…

 

Parodistët

Parodistët të robëruar nga realiteti shqiptar, tashmë e njohin kaq mirë humorin shqiptar. Brenda elementit kohë,vrapimi i tyre ka qenë më i shpejt se era e detit jugor. Personazhe që njohin deri në thellësi humorin e përditshëm, por dhe thinja që u mbulojnë flokët. Por parodia vlonjate ka një histori të vetën, ngërthyer gati çuditshëm me lemerinë e kohës, kur lindi.

Vetë protagonistët e saj, që kanë bërë emër nëpër këtë udhë të vështirë e përshkruajnë atë të gjatë, të lodhshme, por gjithsesi të bukur. Por ky emër, që u solli parodia dhe humori i ka bërë ata,që të kërkohen deri në skajet dhe vendet, ku shqiptarët punojnë si emigrantë nëpër botë.

 

Diamantët e shpirtit

“Humori na shton jetën”. Kjo është deviza e tyre, e këtyre zërave harmonik, njihen si parodistët e Vlorës. Për më tepër se 30 vjet ata thirren si Afrimi, Meti, Mane, Agron. Ata nuk kanë ardhur në mënyrë spontane, por ardhja e tyre e ka rrënjën në bërthamën e hershme të humorit vlonjate. Muzika e pjesëve të tyre nuk është ndihmesë, por një pjesë e fuqishme. Të katër ata krahasohen me detin, valën, bregun, pulëbardhën.

Ndërsa një piktor i këtij qyteti ca vite të shkuara i vuri të katërt të vozisnin në një varkë, por me kah të kundërt, dy nga djathta, dy nga e majta. Dhe vetë germa e parë e emrave të tyre formojnë 2M+2A. Njëri nga të katërt thirret:Afrim Agalli. Rrëfimi i tij,është ekspresiv,një rrëfim që e ka bërë shumë kohë më parë, por biseda mbetet e freskët, dhe aktuale.

Ai rrëfeu historinë e tij të çuditshme,që është e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e këtij grupi humori të famshëm. Dhe nga kjo histori e ngjizur,e këtij personazhi shfaqet një histori e tërë e një grupi humori,me emër në parodinë shqiptare,në të dy kohët. Me të njëjtin sukses. Ndoshta në këtë kohë me më tepër preokupime.

 

Ushqimi për patriotët

Një traditë e mjaftueshme ka ushqyer breza të tërë tek agallinjtë në Vlorë. Familja ime, thotë Afrimi ka qenë ndër familjet e para qytetare të pasura të Vlorës. Gjyshi, Beqir Sulo Agalliu, patriot kundër turqve. Me I. Qemalin në ngritjen e flamurit, nënkryetar i Komitetit të Mbrojtjes. Në 1943 internohet nga nazistët në Mathauzën. Digjet në ferrin e çmendur në krematoriumet e vdekjes.

Gjyshi njihet si Beqir Sulo. Agalliu si mbiemër, lihej në hije si familje e pasur. Kam ardhur në jetë në 9 Tetor 1949. Shtëpia jonë gjendet në lagjen “Partizani” kur ngjitesh për në spitalin e qytetit. Shkollën modelore e kam kryer në “Topana”.”Topana”,është një lagje e hershme në qendër të qytetit poshtë kodrinës së qytetit të Kuzum Babait.

Familjet e njohura si të pasura nuk iu shmangën dot këtij fati,pra të hiqnim shumë dhe të provonim vuajtjet,pra deri në palcë futej hekuri,deri në kockë ndihej thika. Rronim me rrogën e vetme të nënës,që na kishte lidhur fort me veten. Babai ishte sëmurë. Në këto kushte kam kryer shkollën e rezervave.

Një ditë u bëra elektricist madje futa në xhep edhe kategorinë e 4-të. Një mëngjes përfundova te ndërmarrja e ndërtimit “P. Rexhepi”. Nuk ka dhimbje më të madhe se sa të kujtosh ditët e pasurisë, në kohën e mjerimit të madh thotë një filozof. Ishte kohë paradoksi. Kam përfunduar natën shkollën e mesme.

Si protagonist në art kërkova në arte, por nuk ma dhanë. Edhe motra në ’72 pësoi këtë “fat”, kurse vëllai në ’71, kishte marrë të njëjtën përgjigje. Të gjitha kërkesat tonë, për shkollën mbetën pa përgjigje.

 

Pasioni për muzikën

Muzika ndryshe nga gjinitë e tjera vepron mbi vullnetin, pra mbi ndjenjat, pasionet, dashuritë, që të ngre lart ose të turbullon. Qysh në fëmijëri jam marrë me vallet. Korçari Jani K më vendosi në krye të 10 çifteve të baletit. Në 1971, kur ansambli “Labëria” shkoi në Kosovë, nuk më morën. Doja të shikoja trojet shqiptare, që i kishte prerë kirurgjia e pamëshirshme serbe.

Drejtuesi më tha:” Nuk bëhet Afrim, s’ ke ç’ ti bësh”! Një bërthamë e vogël e estradës së Vlorës kishte formuar grupin e parodisë. Njëlloj si një godinë ku përbërësit janë gurët. Pra ishte konturuar aty rreth viteve ’66. Ndërtuesit e saj ishin artistët e humorit vlonjate. Gaqi. Vishi, Qirjako Sava, Leka Kruta dhe regjisori Myqerem Ferra.

Këta ndërtuan këtë ngrehinë të humorit,që ishte kthyer në një ëndërr të largët për mua. Ishte viti’66, ndërkohë kishte vdekur elektriciteti për t’ ia lënë vendin një pasioni dehës atë të artistit të humorit. Kam zbritur në rolin e parë, të një ushtari me aktorët Myqeremin dhe Lekën. Humorin ata e gërmonin me pasion, sidomos ata mbështeteshin tek populli.

Formimin tim ia kushtoj regjisorit Myqerem Ferra. Ai është larguar nga jeta, por mbahet mend si regjisor, që i kushtoi jetën këtij arti. Përpara tij kanë kaluar breza të tërë. Ai merrte brumin e përpunonte për të nxjerrë artistë. Në fillim më shikonte me sy dyshues:”Shiko Afrim, më tha, ti ke zë vokali dhe do të provosh të këndosh në parodi”. Parodia ishte një ndërthurje mes humorit dhe muzikës.

 

Pëllumb Kulla

Fryma e vjeshtës,pluskoi artin që do të digjej vajtueshëm nën një pyll harrimi. Cikli i lodhur i stinëve të dënimit, kapërdiu edhe artistët. Pak kush e njeh rrugën e krijuesit si Pëllumb Kulla. Ai ishte hequr nga teatri duke u degdisur me kurorën e malit të Shashicës. Në një farë mënyre krijimtaria e tij në zymtësinë e kohës ishte bërë varri i fatit të vet.

Për të ndryshuar diçka në jetën e tij, për ta shmangur nga jeta në gurore i them kryeinxhinierit për ta sjell njeriun me shpirt artisti në ndërmarrjen tonë. Ai pranoi dhe Pëllumb Kulla zbriti nga gurorja për të punuar xhenerik në ndërmarrjen e ndërtimit “P. Rexhepi”. Në atë kohë të djallëzuar krijuesi i vërtet ishte një mallkim i vërtetë.

P. Kulla për fatin e mirë të humorit shqiptar, ndikoi në rrjedhat e humorit vlonjate dhe më pas fierak,ku u ngjit në lartësi tepër të mëdha,sepse Fieri ishte pak më liberal se sa qyteti ynë që bënte gjoksin gropë,kur flitej për politikë. Ai shkroi një parodi për një nën punës që quhej Demir, muzika ishte e Xhorxhio Garben. Parodinë e mësova.

Ishte e ndërtuar nga një dorë mjeshtri, ishte stili i P. Kullës. Qeshi u kënaq kur e dëgjoi, ti e bën bukur, tha, por imiton Lekën. Përse të mos e imitoj, e pyeta. Ti duhet të imitosh Afrimin, jo të mbetesh një imitues i Lekës. Pëllumbi ishte artist i jashtëzakonshëm, që mes atij trazimi nxori perla për sa kohë ishte në Vlorë. Me gjithë kusuret, që kaloi ai ruante peshën e humorit me arin vjeshtor, brymën dimërore, erën e fshatit.

 

Kujtimet; Si arti i shndërroi në profesionistë 4 amatorët

Përpara ardhjes së mëngjesit,që do të sillte kohë terri,”mulliri” i ëndrrave ngeci në vend. Misteret e “biografisë”. Po të rrëmosh në “biografinë” e katër vlonjateve do të mësosh një fakt të çuditshëm. Afrim Agalliu nuk ka qenë asnjëherë profesionist. Për 20 vjet ka punuar si elektricist dhe ka bërë artistin. Për 20 vjet ka ngritur e ka zbritur nga skena në peshën e artistit, por në jetë mbahej me rrogën e elektricistit.

Në ’72 vjen Th. Milaj nga Saranda dhe më besoi një monolog në estradën e Vlorës. U ndava nga baleti dhe hyra në botën e ëndërruar të artistit të humorit. Në sallën e estradës atë natë ndjeva lotët. Në orën 15:00 lija punën dhe shkoja në prova. Në ’71 shkova elektricist në peshkim. Aso kohe deti na dha materiale boll.

Peshkimi nuk realizonte planin kurrë. Krijuesi Flamur Laro bëri një parodi: “O ne rrjeta na është shpuar/ose peshku është racë e zgjuar”. Duke më lënë amator, shpesh nuk më afronin për shfaqje. Familja vinte nga shtresa e pasur, kjo ishte e keqja. Aty nga ’72 shkova tek Myqerem Ferra, ai ishte një artist i madh, por edhe ai vuante njëlloj taksën si unë. -Unë nuk di ç’ të them, shko tek drejtori”- tha.

Nuk më dha ndonjë shpresë. Im atë me lot më tha:” Shko tek Leka Kruta se ai është komunist. Shkova. “T’i mund të më ndihmosh se je komunist të dëgjohet zëri”. Leka m’u përgjigj: “Ka parti, që do t’i zgjidhë”. Ka një m…” ju përgjigja. Kam pritur i brengosur pasojat, por ai e la në hije. Asgjë nuk më thoshin, më largonin. Im atë thoshte: Ne jemi familje patriotësh, e kemi dashur Shqipërinë, gjyshi vdiq në internim, nuk e kuptoj, ç’është kjo luftë e pashpallur?

 

Si u krijua”Katërshja”, Parodia si pulëbardha.

“Sapo ishim kthyer nga ushtria”. Në fillim të vitit ’70 u bashkova me Agronin. Parodinë e frigoriferit e ka shkruar F. Laro. Flitet për shitjen frigoriferëve,ngase aso kohe nuk kishte,kështu që shiteshin nga pylli i sodës. “Frigoriferë ke për të nxjerrë/na bëre derr/lavatriçe s’ kemi parë/që del i shet nëpër mullarë”. Si lindi ideja? Ne mblidheshim tek shtëpia e Nestor Jonuzit, piktorit, sot Artist i Popullit, i binim kitarës dhe këndonim për gjimnazistet me flokë të arta.

Në fillim ishim dy. Në ’76 vjen nga ullishta ku punonte Mania (Lumani). I treti në skeç, ne në parodi. Parodia e peshkatarëve u krijua për 3. Në ’78 vjen Meti nga ushtria. Grupi kont urohet në ’80. Ndërtuesi i tij ishte regjisori M. Ferra. Prej asaj kohe mbetëm së bashku deri në këtë kohë. Megjithëse dalin teknika të reja, parodia për ne mbetet thelbi i grupit. Në grup vlerat janë maksimale.Aty gërshetohet vokali, plastika, mimika, gjestikulacioni. Nga kjo rrjedh efekti i harmonisë së gjallë.

Fondi i parodive tona janë: “Mosketjerët”, “Opus 89”, “Raxh Kapuri”, “Miss ’95”, “Pensionisti”. Paroditë tona mbajnë penën e F. Laros. Paroditë e P. Kullës janë “Hallet e Demos”, “Nuse vjen dhëndri”. Gafur Shameti mbetet përherë në ndihmën tonë me penën e tij. Për shumë kohë, kemi bërë pjesë në elitën e humorit shqiptar. Në 1990 jam bërë profesionist. Dikush pyeti: Ku është ai aktori që bënte parodi? E kanë hequr për biografi. Ç’ biografi, ai është artist!

 

Paroditë; Rrëfime nga jeta artistike e katërshes vlonjate

Rrëfimi parë:” QYPI ME MJALTË”. Në pallatin e Kongresit, ishte maj 1988. Meti bëri monologun e qypit. Anëtarja e byrosë qeshi me gjithë shpirt gjatë kohës. Kur mbaroi shfaqja mbajti qëndrim të ashpër. Kërkoi të dënohej pjesa,por urgjentisht dërgoi një përfaqësi në Vlorë.

 

Rrëfimi i dytë:”LOJA E FSHATARIT”

Nga turnet në fshatra mbaj mend atë varfëri, që mbizotëronte kudo. Në një fshat na mori dikush për darkë. Ec e ec dhe s’po dukej shtëpia e tij. Muzgu ishte thyer,nata ishte pus. -Ku e keni shtëpinë, ja këtu dhe ec e ec dhe s’kishte të sosur. Mbërritëm por na punoi një lojë. I tha gruas:” Kam sjellë këta karagjozët e Vlorës.

Ajo sikur ta kishte kapur lojën e tij i tha:” Po përse mor burrë, s’kemi ç’të hamë!. Po ju na u drejtua ai, përse erdhët. Duam të flemë, i thamë. Një minutë, tha ai hapi tepsinë me mish. Hani tani, tha, nuk dini vetëm ju të bëni logje, dimë edhe ne fshatarët.

 

Rrëfimi i tretë:”Si e hëngrën sapunin për djathë “

Sapo ishim kthyer nga turneu në Amerikë. Bie telefoni. Alo, jam Dervish Hyseni. Ju presim në Ulqin, tha. Pyetëm sa ishte pagesa. Na tha,çdo gjë është e jona. Fitimi juaj nga 1 milion lekë. U takuam të katërt. Do të shkojmë thamë, ndonëse të lodhur. Dervishi herë pas herë i binte telefonit. Meqenëse ai nuk ishte keq financiarisht,i thamë,po duhet edhe një muzikant dhe një këngëtare.

S’ka problem,na telefonoi merrni sa të doni. Morëm Manen, se ai kishte makinë,të katërt parodistët ishim bashkë në udhëtim. Para nesh muzikanti dhe L.Baballëku këngëtarja me të shoqin na lanë haber se ishin nisur edhe ata.”Piqemi tek kafja e madhe në Shkodër “Mbritëm.Në atë orë 11 e natës vetëm ne të gjashtë. Rojen e pyetëm. Na njihni, posi, tha.

Jeni parodistët dhe aktorët e Vlorës. I thamë:”Na ka ftuar Dervish Hyseni. Mos, tha ai jeni të dhjetët, ju që e hani gënjeshtrën. Ku ka Dervish Hyseni!. Aty kuptuam mashtrimin e madh. Para jush ka ardhur edhe Skënder Sallaku dhe Koço Devole, edhe ata më thanë se i kishte ftuar Dervish Hyseni. Por , tha roja, flisni tek ai aktori. Shkuam tek Edmond Halili.

Doli në ballkon, hajde lart, tha. Jo i thamë na ka ftuar Dervish Hyseni. -Mos,tha edhe ai,është mashtrim. Ikëm të zhgënjyer. Në Lezhë,kur po bënim rrugën e kthimit, po mbërrinte Sejfulla Myftari ose “Cekja i Beratit”. E ndalëm. Ku shkon o Ceke? Më, ka ftuar Dervish Hyseni për në Ulqin.”Të ka mashtruar or Ceke! Jo, tha Cekja, ku mbahej Cekja dhe iku drejt vendit ku ishim mashtruar të paktën dhjetë aktorë nga kryeqyteti dhe rrethet.

 

Rrëfimi i katërt:”Ngatërrimi i tekstit”

Agroni është “bukuroshi plak” i parodisë vlonjate. Është thinjur në këtë grup humori. Me Agronin kemi qenë në një shkollë. Në fillim ishim dy. Në vitin 1974, për fatin tim jo të mbarë, nuk ndodhesha në estradë, erdhi Mania. Në 1976, u kthye Meti i liruar nga ushtria. Mania dekonspirim, hyrjen në estradë.

Ka qenë diçka, para “Peshkatarëve”. Por “Opus’, ka qenë po, po ajo ka qenë, që Mania, nuk e kishte mësuar mirë tekstin. Në pallatin e sportit, mbushur me gra. Mania e kishte të shkruar në partitura. Partitura, papritur i ra në shesh. Ai filloi nga vetja të thoshte fjalët:

“Figaro1, Figaro 2…”, hëm, eci sa eci kështu dhe ngeci, teksti ishte në shesh. S’kishte ç’të bënte.-Hë u tha grave së na tërhoqët vëmendjen. Mori partiturën, por ndodhi befasi tjetër ajo ishte partitura e Metit, por u ngatërrua më keq, aty filloi edhe humori i hollë, që kishte zënë fjollë.

 

Përthithje pranverore

Ora e ndryshimeve është çasti më me rëndësi në jetën e një artisti. Artisti është i lindur rebel nga natyra. Artisti e ka pasur censurën mbi kokë. Punonim gjithë kohën, përgatisnim, zgjidhnim humorin e bukur. Vinte dikush nga partia dhe pjesën më të bukur do ta hiqte, ose do t’i nxirrte bisht.

Pikërisht kjo kohë tranzicioni filloi me vështirësi për artistët. Njerëzit merrnin anijet dhe iknin nga Vlora. Dhe nga Shqipëria nga sytë këmbët. Artisti i shkretë mbetej në qerthullin e artit. Mania iku në Greqi, Agroni filloi tregtinë, unë dhe Meti u morëm me dizenjo.

Me futjen e ligjit të 90% të fitimit nga biletat pati një stimul të mirë. Me erën e viteve ’90 kam vënë në skenë 4 shfaqje si regjisor. “Ne dhe ajo”, recital i Anita Bitrit, “Raxh Kapuri”, “Humor i rinovuar”. Vështirësia ishte materialet. Kemi bashkëpunuar me Ferdinand Hysin dhe Gafur Shametin.

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re