Prokuroria e Posaçme ka dërguar në gjyq një ndër grupet më të fuqishme kriminale të vendit tonë. Në fakt janë disa ngjarje të njohura tashmë nga publiku, por në materialin hetimor të dërguar në Gjykatën e Posaçme dalin edhe detaje të reja që lidhen me sulme me tritol e deri te vrasje të mbetura në tentativë të të atit të viktimës së atentatit të bujshëm ku u plagos ish-prokurori i Durrësit Arjan Ndoja.

Bëhet fjalë për grupin e Plaurent Dervishit dhe të nipit të ish-deputetit socialist, të cilët ka dalë në biseda të zbardhura nga autoritetet franceze të hetimit se kanë dashur të eliminojnë edhe të atin e Andi Malokut, të riut që fatkeqësisht humbi jetën në atë pritë fatale që iu bë ish-prokurorit dhe “Rrumit” të Shijakut.

Në fakt, tentativa për të vrarë të atin e një të pafajshmi që iu kishte marrë jeta në atë atentat, nuk është praktikë e panjohur. Ai po interesohej për të zbardhur vrasjen e të birit, por me sa duket grupi kriminal kishte marrë informacione.

Po ashtu është hedhur dritë mbi një konflikt mes grupit kriminal të Durrësit dhe Ervin Matës, biznesmenit që u përfshi në një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në Tiranë, ku u përplasën me grupin e Ervis Martinajt, ku humbi jetën një i ri. Po ashtu në ato biseda, të zbardhura nga SKY ECC del edhe tentativa për të vrarë një jurist, përveç një morie aktesh të tjera.

MBYLLJA E HETIMEVE

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe çon në gjyq 9 persona si anëtarë të një grupi të s kriminal që ndër vite kishin planifikuar 3 herë vrasjen e Arjan Ndojës, i cili në atë kohë kishte postin e prokurorit në Prokurorinë e Durrësit. Një nga këto është dhe atentati më 1 nëntor 2019 tek mbikalimi i Shkozetit ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku.

Përveç Redjan Rrajës që është dënuar me burg për jetë dhe Arjol Halilaj i dënuar me 35 vite burg, SPAK dërgoi për gjykim 9 persona, mes tyre porositësi Plaurent Dervishaj dhe Ramazan Rraja, nipi i ish-deputetit socialit Rrahman Rraja. Pjesa më e madhe e dërguarve për gjykim janë ish-anëtarë të bandës së Durrësit, konkretisht, Julian Meçaj, Amar (Dritan) Shkëmbi, Endrit Sinani, Bledar Polovina, Genti Nderjaku (Kili), Bashkim Haxhiaj dhe Julian Pjetri.

Zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin “SkyECC”, si dhe dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani kanë ndihmuar SPAK për të zbardhur të plotë atentatin dhe rolin e secilit në këtë krim, ndërkohë në njoftimin e SPAK zbulohet se grupi i Plaurent Dervishaj kishte planifikuar edhe 2 plane të tjera për të vrarë prokurorin Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahon (Pëllumb Muharremin).

Një plan ishte planifikuar para atij të 1 nëntorit 2019 dhe pasi Ndoja dhe ‘Rrumi i Shijakut’ i shpëtuan atentatit në mbikalimin e Shkozetit, grupi i Plaurent Dervishaj kishte planifikuar një tjetër plan për t’i hequr qafe edhe pas 1 nëntorit 2019. Por, këto dy plane nuk u konkretizuan. I vetmi plan që u vu në jetë ishte më 1 nëntor 2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku grupi i Dervishajt qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin Arian Ndoja, Aleksandër Laho dhe shoferi Andi Maloku, i cili mbeti i vrarë. Pasi i vranë të birin, grupi i Dervishajt donte të vriste edhe babanë e Andi Malokut, Genci Malokun, i cili kërkonte drejtësi. Po ashtu në shënjestër, sipas SPAK kishin vënë edhe vëllanë e “Rrumit” të Shijakut, Vullnet Muça (alias Muharremi).

Dervishaj e donte kokën e “Rrumit” të Shijakut, Aleksandër Laho, sepse dyshonte se ai kishte organizuar sulmin me armë ndaj tij dhe dy miqve, Julian Meçes Bashkim Haxhisë në 20 qershor 2019. Por mbetet e paqartë se përse donte të vriste edhe ishprokurorin Ndoja, i cili shoqërohej me një person me precedent penal si Laho. SPAK thotë se ka evidentuar rolet e secilit prej të pandehurve, si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në këto ngjarje. Të pandehurit kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) madje kanë siguruar dhe informacion mbi lëvizjet e tyre nga bazat e të dhënave shtetërore

“Të pandehurit ka rezultuar se kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) që do të përdornin për të ndjekur viktimat, të cilët nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e tyre edhe nga bazat e të dhënave shtetërore”, – njoftoi sot SPAK.

Përpos kësaj, pasi SPAK zbardhi tentativën për të vrarë prokurorin në 2019, grupi i Dervishajt u kishte kërkuar të arrestuarve që të mos zbulonin detaje të tjera dhe mos të implikonin bashkëpunëtorët në krime duke iu premtuar se do t’u lehtësojnë pozitat në përballjen me drejtësinë.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e përfshirë në këto krime”, – njofton SPAK.

FAKTE TË REJA

Është zbardhur ngjarja e ndodhur mbrëmjen e 30 majit 2020, ku rreth orës 22:35 ka shpërthyer një sasi e dyshuar lëndë plasëse në hotelin e Ervin Matës përballë Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’, në Tiranë. Mësohet se eksplozivi ka shpërthyer në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata, babai i Ervin Matës dhe pas kësaj ngjarje qëndrojnë Ramazan Rraja si edhe shtetasit Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj. Sipas SPAK, Ramazan Rraja ka siguruar një automjet te njohjet e tij shoqërore në Durrës dhe ka dërguar një nga të afërmit e tij për ta marrë makinën dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së eksplozivit në hotel.

Gjithashtu shpjegon se: “Ka rezultuar se i pandehuri Ramazan Rraja, është njëri nga personat që ka kërkuar dhe siguruar një automjet, tek njohjet e tij shoqërore në Durrës, dhe në vijim ka dërguar një nga të afërmit e tij me qëllim për ta marrë këtë automjet, dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së lëndës eksplozive, në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata, ngjarje e ndodhur më datë 30.05.2020, ora 22:35. Lidhur me këtë episod i pandehuri Ramazan Rraja akuzohet se e ka kryer veprën penale në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juljan Meçaj”.

AKUZAT E SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi hetimet paraprake të procedimit penal nr.184/1, të vitit 2021, dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurve: Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:

“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, në dëm të viktimave Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), për periudhën para ngjarjes së datës 01.11.2019 (sipas episodeve respektive); “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/ a/1/2, i Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal. Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), dhe bashkëpandehurit në një procedim të lidhur Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme: “Vjedhja”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 134, paragrafi i parë dhe 28/4, të Kodit Penal (sipas episodeve respektive); “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278, paragrafi i parë dhe 28/4, të Kodit Penal;

“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenit 278, paragrafi i tretë i Kodit Penal; “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të viktimës Arjan Ndoja, për episodin e datës 01.11.2019, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/a e 22 dhe 28/4, të Kodit Penal;

“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e të ndjerit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të viktimës Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), për episodin e datës 01.11.2019, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79, shkronja “dh” dhe 28/4, të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1, i Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, – parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re