Në futboll, si në jetë, gjithçka varet nga koha. Dhe këtë herë, duket qartë se Federata Italiane e Futbollit e ka humbur ritmin dhe drejtimin. Në ditët e fundit, FIGC dhe presidenti Gravina kanë dëshmuar mungesë totale të strategjisë dhe vizionit, duke u zhytur në një tjetër krizë, e cila mund të kushtojë shtrenjtë.
Largimi i Luçiano Spaletit dhe kaosi që ka pasuar në zgjedhjen e pasuesit të tij. Spaleti është larguar në mënyrë të heshtur, pothuajse në prag të një ndeshjeje vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës. Një vendim i beftë dhe i papërgatitur, që më shumë tregon për një reaksion të nxituar, sesa për një plan të mirëmenduar. Dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh. Një tjetër “pastiço” nën vulën e Gravinas dhe strukturave të FIGC-së. Për më tepër, me shumë pengje të mëdha.
PENGJET- Kjo mungesë vizioni ka sjellë edhe një tjetër dështim, moskapja e momentit për të sjellë në pankinën e “të kaltrit” dy nga emrat më të mëdhenj të trajningut italian, Karlo Ançeloti dhe Masimiliano Alegri.
Ançeloti, prej kohësh i lidhur me një projekt kombëtar pas përfundimit të ciklit të tij me Real Madridin, zgjodhi Brazilin, një emër që do të kishte sjellë autoritet dhe qetësi në një kombëtare në krizë. Ndërkohë Alegri, pasi u largua nga Juventusi, ishte i disponueshëm, por FIGC nuk lëvizi në kohë. Tashmë ai është rikthyer në stolin e Milanit. Të dy ishin aty, në distancën e një telefonate. Por atë telefonatë askush nuk e bëri në kohën e duhur.