Studiuesi Jaho Brahaj i ftuar në emisionin ‘Identitet’ foli mbi origjinën e simbolit kombëtar, shqiponjën dykrenare. Sipas Brahajt, shqiponjën e kemi të dokumentuar në motive grafike që janë ndërtuar në objekte arkeologjike që i përkasin shekujve III-IV para erës së re.

Ndër të tjera studiuesi pohoi se shqiponja ishte një ogur i mirë ku në raste se e shikonin ata që ishin nisur për luftë ajo do të sillte fat në plotësimin e asaj nisme që luftëtarët kishin.

“Origjinën simboli ynë, shqiponja dykrenare është shumë i lashtë në mitologjinë, në besimet pagane të popujve nga më të ndryshme që nga persët e deri në Romën, pastaj perandoria Romake. Këtu nuk mund të themi që e kishim vetëm ne ilirët apo parailirët sepse faktet tregojnë që ka një hapësirë shumë më të gjërë të qytetërimeve botërore. Ilirët e kemi të dokumentuar që në shekullin e VI para erës së re shqiponjën me dy krerë në një mburojë të një luftëtari ilir.

E kemi të dokumentuar në motive grafike të cilat janë të ndërtuara në objekte arkeologjike të shekujve III-IV para erës së re të gjetura edhe në truallin e Shqipërisë së Mesme apo edhe në zona të tjera. Kemi dhe vula që kanë qenë të fisnikërisë dhe fisnikëria kuptohet që merrte nga masa, nga populli.

Shqiponja ishte dhe një ogur shumë i mirë të cilin e ruajnë dhe është e dokumentuar që po ta shikoje kur ishe nisur për një luftë apo një përpjekje, ajo do të sillte fatin ose plotësimin e asaj dëshire për të cilën kishin nismën ai grup njerëzish. Shqiponjën e kemi në veshjet popullore, përmendim xhubletën”- u shpreh studiuesi Brahaj.

(S.D/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re