Janë të freskëta në kujtesën e gjithsecilit pamjet e ditëve të para të karantinës nga mesi i marsit, kur në rrugët e kryqytetit dolën mjetet e blinduara të ushtrisë. Në majë të tyre qëndronte një ushtar me mitraloz dhe për ca ditë bënte xhiro nëpër Tiranë.

U kuptua shpejt se “lufta” me Covid nuk bëhej as me mitralozë dhe as me pushkë dhe mjetet e blinduara u kthyen në bazat ushtarake, si një lëvizje që del bllof. Por duket se një përfaqësues i Rilindjes nuk është bindur, ndaj e ka rihapur edhe një herë këtë temë.

Në studion e abcnews, Ilir Beqja u shfaq i irrituar me të rinjtë që bëjnë “shkuma party” dhe që festojnë në orët e drekës nëpër plazhe, pishina, “beach bar”, lokale, festa restorantesh etj. Për t’i ndalur këto, Beqja kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë, sepse policia nuk po ia del dot, siç u shpreh ai.

Nuk dihet se çfarë i ka ndodhur Ilir Beqes kohët e fundit, por herë pas here, ai “godet” në publik me deklarata jo shumë normale. Pak kohë më parë, kërkoi që sakrifica për pasojat e karantinës në ekonomi, të shpërndahej mes shtresave, duke mos përjashtuar uljen e pensioneve. Nuk kaloi shumë dhe propozoi shtimin e ditëve të pushimit për administratën (tri ditë në javë), ndërsa tani kërkon të nxjerrë ushtrinë në rrugë kundër të rinjve që bëjnë shkuma party.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re