VALENTINA MADANI/ Ish-ministri i Finacave Arben Malaj shpreh shqetësimin për rritjen e e rasteve potencialisht korruptive deri në nivelet e larta të qeverisjes.

Sipas tij, rritja e rasteve të të korruptuarve rrit zhgënjimin e opinionit publik nga politikanët. Malaj thotë për gazetën “Panorama” se paratë e pista kanë pushtet të madh korruptues sidomos te ligjvënësit, te vendimmarrësit për fondet publike, investimet publike te koncensionet dhe partneritetet publike private. Në rastin “Berberi” ai flet për përgjegjësitë e ministres Belinda Balluku pasi shumë bashkëpunëtorë të saj, drejtues në kompani të mëdha publike, janë arrestuar apo janë nën hetim për korrupsion.

Ish-ministri socialist përmend detyrimin moral për një ndjesë të sinqertë publike, por edhe përgjegjëtitë e titullarit për mënyrën e përzgjedhjes së individëve që katapultohen në funksione të larta politike dhe administrative. Z. Malaj vlerëson deklaratën e kreut të SPAK se nuk do ndalen para presioneve dhe kërcënimeve me besimin se do të thellohet ndërshkimi për kriminelët dhe politikanët.

Z. Malaj, kohët e fundit është rritur numri i zyrtarëve të arrestuar për afera korruptive, si Fredi Beleri apo ish-drejtori i Përgjithshëm i rrugëve Evis Berberi. Pse kjo përfshihje gjithnjë e në rritje e titullarëve në korrupsion?

Personalisht, në të gjithë angazhimin tim politik dhe publik, nuk kam akuzuar asnjë individë për përfitime politike apo personale. Për qeveritarë, deputetë, drejtues të kompanive të mëdha publike nga cdo forcë politike, që përballen me akuza dhe në rastin konkret nga SPAK, ndjej zhgënjim, por nuk mund ti akuzojë si të korruptuar pa një vendim nga gjyqësori. Kjo sepse çdo person edhe gjatë hetimit gëzon të drejtën e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Këtë parim të rëndësishëm duhet ta respektojmë, pasi kjo ul përbaltosjet politike reciproke e të përditëshme. Edhe si qytetar e studiues shqetësohem për rritjen e e rasteve potencialisht korruptive.

Kjo sepse rritja e rasteve të të korruptuarve rrit zhgënjimin e opinionit publik nga politikanët. Paratë e pista kanë pushtet të madh korruptues sidomos te politikanët, te vendimmarrësit për fondet publike, investimet publike te koncensionet dhe partneritet publike private. Paralajmërohet se: “Paraja e pistë ndot këdo që i prek”. Zhgënjim publik është në rritje. Sipas EBRD në sontazhin në vitin 2023 shqipëtarët rezultuan populli më i zhgenjyer nga tranzicioni. Kjo është një nga faktorët shtytës që i shtyu shqiptarët të largohen nga vendi. Politikanët, të cilët ndjehen viktima të etjes për pushtet dhe para, politikanët që udhëhiqen nga “instiktet kafshërore” për para dhe pushtet duke shpërdoruar fondet publike, duhet të vlerësojnë riskun mes një përfitim korruptiv afatshkurtër dhe kostot afatagjate të femijëve dhe familjeve të tyre.

Kur ka shumë raste në hetim për korrupsion, padyshim kërkohet një ndjesë publike për (pa) përgjegjësinë publike në përzgjedhjen e individëve që katapultohen në funksione të larta politike dhe administrative. Ndërsa përgjegjësia ligjore vjen vetëm nga vendimi i gjykatës. Vetëm gjykata ka autoritetin kushtetues për të shpallur fajtorë dhe dënuar personat e përfshirë në afera korruptive.

Në rastin “Berberi”, a duhet të mbajë përgjegjësi ministrja Belinda Balluku pasi shumë bashkëpunëtorë të saj, drejtues në kompani të mëdha publike, janë arrestuar apo janë nën hetim për korrupsion? A duhet të dorëhiqet ministrja?

Theksoj detyrimin moral për një ndjesë të sinqertë publike, por nuk mund të akuzoj të korruptuar asnjë individ përfshi edhe ministrat, nëqoftëse kjo gjë nuk është e vërtetuar me vendim gjykate. Sigurisht që ka shqetësim për faktin se rastet janë shtuar. Kjo nuk kërkon justifikim, por përmirësim të procesit të përzgjedhjes së personave të mandatuar me mandate të larta politike dhe qeveritare. Keynes një nga ekonomistët më të mëdhenj në historinë e mendimit ekonomik në lidhje me skemat piramidale, theksonte se nëse një flluskë financiare shfaqet në një ndërmarrje, ky nuk është problem i madh. Problemi është kur e gjithë ndërmarrja kthehet në një flluskë. Ky parim gjendet edhe tek teoria e probabilitetit. Kur nga 1 në 10, gogla e parë bie në numrin 6, kjo është një rastësi, kur gogla e dytë bie përsëri në numrin 6 propabiliteti rritet.

Por, edhe kur gogla e tretë bie sërish te numri 6, ngjarja është një fakt. Pra, çdo i përzgjedhur jashtë parimeve dhe procedurave konkuruese dhe aftësive manazhuese të certikuara, korruptimi i tyre nuk është më një risk potencial por një realitet kritik. Shqetësimi i opionit publik është i përligjur. Domosdoshmëria për të shmangur përsëritjen dhe përhapjen e korrupsionit bëhet më kritike. Parandalimi është strategjia më e mirë. Studimet tregojnë se rreth 99% e parave të pastruar nuk kapen dot. Ndërsa kostoja e gjejtes së parave të pastruara është rreth 10 herë më e madhe se shuma e zbuluar dhe arkëtuar, si pasuri fizike dhe monetare.

Sa të rëndësishëm e shikoni betejën kundër korrupsionit?

Lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave është jetike. Po e filloj me përcaktimin që ka bërë ish-zëvendësndihmëssekretari i Thesarit i SHBA-së Juan Zarate duke qartësuar se: “Paratë e pista janë gjaku i krimit të organizuar. Ato u lejojnë kriminelëve të shijojnë frytet e krimeve të tyre, të investojnë në aktivitete të mëtejshme kriminale dhe të korruptojnë institucionet tona”. Eshtë e vërtetë që kudo ka korrupsion dhe pastrim të parave. Diferenca qëndron kur korrupsioni dhe pastrimi i parave tentojnë të kapin shtetin. Pasojat nuk janë vetëm ekonomike por edhe politike. Në ekonomi efekti kryesore është deformimi i tregjeve, ngushtimi i konkurencës, rritjen e cmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Kjo sepse korrupsioni në thelbin e tij është një taksë mbi të varfërit. Kjo qartësohet në lidhjen propocionale midis korrupsionit dhe varfërisë. Sa më i madh korrusioni aq më e madhe varfëria, jo vetem ekonomike. Shqiptarët po i ndiejnë koston e parave të pista.

Asnjë individ, asnjë kompani dhe aq me pak asnjë vend nuk mund të pasurohet në mënyrë të qëndrueshme dhe në këndvështrim afat gjatë duke toleruar paratë e pista në ekonomi dhe politikë. Parandalimi është strategjia më e mirë, prandaj kërkohet një ndërgjegjësim më i plotë i prokuroreve, gjyqtarëve, politikanëve dhe organizatave jo qeveritare për domosdoshmërinë dhe dobishmërinë e luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. ish Presidenti i Afrikës së Jugut nobelisti Nelson Mandela qartësonte se: “Lufta kundër pastrimit të parave nuk ka të bëjë vetëm me kapjen e kriminelëve. Ajo ka të bëjë me ndërtimin e një bote më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë”.

Si e vlerësoni deklaratën e fundit të kreut të SPAK lidhur me rritjen e presioneve kërcënuese mbi hetuesit dhe prokurorët dhe gjyqëtarët e SPAK?

Deklarata e kreut të SPAK është e thellësisht profesionale. E vlerësoj faktin që z. Dumani komunikon rregullisht me publikun, por edhe që nuk përfshihet në sulmet e targetuara kundër tij dhe kundër SPAK nga politikanë apo grupe kriminale. Vullneti i deklaruar për të mos u tërhequr nga asnjë presion i kriminelëve dhe politikanëve është një shpresë se kultura e ndërshkimit për kriminelët dhe politikanët do të thellohet dhe nuk do të zbehet. SPAK është një model i suksesshëm në disa vende të Europës Lindore. Rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, duke filluar nga politikanët, në Bullgari, Rumani, Kroaci dhe Slloveni u provuan dhe dënuan ligjërisht vetëm nga strukturat e reja si SPAK. Baza ligjore, baza institucionale dhe pavarësia e burime financiare u kushtëzua nga SHBA-të dhe BE. E njejta gjë ndodhi edhe në Itali e mbërthyer keq nga korrupsioni dhe bashkëpunimi i disa politikanëve me mafien. Procesi u shpërbë vetëm kur ndërkombëtarët mbështetën operacionin e “duarve të pastra”.

Sa shqetësues është fakti që mund të ketë një kompromis mes PS-së dhe PD-së për rishikimin e ligjit të dekriminalizimit dhe ngushtimin e zonave dhe kompetencave të strukturave të SPAK?

Ky rrezik mund të ekzistojë sepse modeli i përpjekjeve të partive politike për ngushtimin e fushavet dhe kompetenca të SPAK-ut, vjen nga vende si Rumania dhe Bullgaria. Nuk besoj se do të bëhen hapa prapa, sepse reforma në drejtësi në luftën kundër korrupsionit është faktori pozitiv që e largoi vendin nga lista gri e pastrimit të parave. Ecuria e kësaj reforme do të jetë treguesi më ndikues për të ecur përpara në procesin e integrimit. Ecuria e kësaj reforme do të ketë mbikëqyrje të rreptë nga BE. Çdo hap prapa do të rrezikonte të ngadalësonte dhe vononte integrimin e vendit në BE. Edhe fondet nga plani i rritjes të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimorë që janë fillimisht 6 miliardë euro do të kenë kushtëzime të forta për mundësitë dhe përmasat përfituese nga ecuria e reformës në luftën kundër korrupsionit të politikanëve dhe kundër krimit të organizuar.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re