VALENTINA MADANI/ Jorida Tabaku e sheh të zymtë situatën ekonomike në vend, teksa paralajmëron se Shqipëria do të përballet me një tjetër krizë edhe përgjatë 2014-ës. Deputetja e PD-së thotë për gazeta “Panorama” se kjo është pasojë e një keqmenaxhimi të ekonomisë përgjatë një dekade të qeverisjes socialiste.

Sipas saj, politikat fiskale të implementuara nga qeveria “Rama” që prej 2013-ës kanë thelluar pabarazinë, kanë krijuar një sistem të pandershëm taksimi, që nuk subvencionon formalizimin dhe konkurrencën.

Jorida Tabaku e vlerëson SPAK-un si një institucion që po thyen disa tabu, teksa apelon që para drejtësisë duhet të shkojë kushdo që ka përgjegjësi morale dhe ligjore. Lidhur me situatën brenda Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shprehet se gabimet i kushtuan rëndë PD-së, por mazhoranca socialiste sipas saj nuk është e pamposhtur. Ajo flet për reflektim dhe ndërtimin e një opozitë që ka synim shqiptarët.

Zj.Tabaku! Çfarë lamë pas përgjatë 2023-it dhe çfarë i pret shqiptarët përgjatë 2024-ës?

Shqipëria po përballet me një krizë të thellë ekonomike, që do të vazhdojë edhe në vitin 2024 si pasojë e një keqmenaxhimi të ekonomisë përgjatë një dekade të qeverisjes socialiste. Politikat fiskale të implementuara nga qeverisja socialiste që prej 2013-ës kanë thelluar pabarazinë, kanë krijuar një sistem të pandershëm taksimi, që nuk subvencionon formalizimin dhe konkurrencën.

Efekti financiar në xhepat e shqiptarëve, sidomos të shtresës së mesme, ka qenë një barrë fiskale prej 3 mld eurosh, që do të zgjerohet edhe për vitin 2024. Një goditje ndaj kësaj shtrese është në të vërtetë një goditje ndaj pjesës më vitale të ekonomisë dhe gjallërisë së një shoqërie. Nga 1 janari 2024 profesionet e lira do të taksohen me gati 23%, ndërkohë që një biznes i madh taksohet me 15%. Një qytetar që përdor shtëpinë e tij për ta dhënë në platformat “AirBnb” do të taksohet deri në 23%, ndërkohë që një hotel me 5 yje taksohet me 5%.

Kjo mungesë e ndershmërisë nuk ofron një sistem më të formalizuar, pasi siç kemi parë që nga viti 2013 kur mazhoranca implementoi taksimin progresiv socialist mbi të ardhurat nga puna, qytetarët nisën të krijojnë skema për të dalë nga kjo mënyrë taksimi. Kështu u krijuan shumë NIPT-e për personat fizikë që preferuan taksimin e biznesit të vogël dhe jo taksimin progresiv. Pra, qeveria socialiste ka prishur në një farë mënyre ekosistemin fiskal, që ishte ndërtuar deri në atë kohë.

Ky nuk ishte ekosistemi më i mirë dhe padyshim kishte nevojë për rregullime por ajo që bëri maxhoranca socialiste ishte shkatërrimi i këtij sistemi duke krijuar një sistem fiskal abuziv dhe të pandershëm. Krijoi shumë mundësi për të evituar pagesat dhe i hapi rrugë informalitetit. Sot që flasim, në vitin e 11 të qeverisjes socialiste, informaliteti është thuajse sa 40% e ekonomisë sonë, edhe pse Ministria e Financave ka që prej vitit 2014 që ka nisur aksione antiinformalitet. Aksione që kanë përfunduar në një dështim me përmasa të rënda në buxhetin e shtetit, ku sot e kësaj dite mblidhet ende 26% e PBB-së nga taksat njësoj si dhjetë vite më parë.

Cilat janë pasojat e kësaj situate?

Kjo situatë ka krijuar një ngërç ekonomik dhe një rënie të besimit të bizneseve dhe gjithashtu edhe investimeve të huaja direkte, që kanë dështuar të impaktojnë vendin tonë. Ndonëse bota po kalon zhvendosje të mëdha gjeopolitike dhe ekonomike, Shqipëria ka dështuar të jetë konkurruese në raport me këto sipërmarrje. Asnjë kompani ndërkombëtare e semikonduktorëve dhe investimeve në të nuk ka ardhur në Shqipëri, asnjë sipërmarrje e zhvillimit të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale nuk ka ardhur në Shqipëri.

E gjithë kjo shterpësi vjen edhe pasi Shqipëria është kthyer në mikpritëse të samiteve ndërkombëtare të Bashkimit Europian. Dëshmi se në fakt ne nuk jemi konkurrues dhe për rrjedhojë, ekonomia jonë vazhdon të lëngojë me nivelin më të ulët të pagave në rajon dhe inflacionin në shportë të lartë në raport me të ardhurat. Mungesa e investimeve, kriza në sistemin fiskal që është shndërruar në një gangrenë që takson padrejtësisht vetëm qytetarët e ndershëm teksa i favorizon padrejtësisht një pakicë që përfiton edhe nga fondet e buxhetit dhe ligjet me porosi, ka prodhuar një ambient ekonomik të pafavorshëm dhe abuziv.

Sipërmarrjet vendase po dështojnë të zgjerohen dhe kjo nuk bën habi. Kryeministri ankohej në konferencën e fundvitit se bizneset nuk rrisin rrogat për të punësuarit, ndërkohë që në fakt të gjithë habiten me këtë habi pasi sipërmarrjet janë taksuar abuzivisht dhe ato para që do t’i investonin në rritje pagash dhe teknologji i kanë çuar në arkën e shtetit që ky i fundit t’i shpërndajë tek një pakicë përmes PPP-ve.

Prej kohësh nuk kemi të bëjmë me nivelet e një korrupsioni të vogël, por tashmë korrupsioni po mvishet në mënyrë të koncentruar nga kryeministri dhe qeveria që ai drejton. Ku është burimi i gjithë këtij korrupsioni?

Një ekonomi e dështuar prodhon një sistem të korruptuar. Ky postulat është i vlefshëm në çdo sistem politik. Ekonomia komuniste dështoi dhe prodhoi një nivel dhe lloj korrupsioni që e shkatërroi edhe më keq ekonominë dhe nivelin e jetesës në atë kohë. Edhe ekonomia e promovuar nga kjo mazhorancë dhe qeveria ka prodhuar një nivel të lartë korrupsioni si pasojë e dështimit për të prodhuar një ekonomi stabël dhe që përballet me krizat. Historia me skemën korruptive të inceneratorëve nuk është thjeshtë një vizion i qeverisë që mendon se mbetjet duhen inceneruar. Dmth., nuk është realisht një debat politik në duhen inceneruar apo jo mbetjet. Në të vërtetë është një skemë vjedhje të 430 mln eurove përmes korrupsionit të zyrtarëve më të lartë të shtetit. Ky është një korruptim moral dhe jo vetëm i një elite politike që e mendon veten të paprekshme dhe mbi çdokënd.

SPAK duket sikur po godet njerëzit që janë duke rënë, por që janë në oponencë me Edi Ramën, siç ishte rasti i Tahirit, Dakos, Ahmetajt, ku fillimisht sulmohen politikisht, pastaj merret SPAK… Pse një gjë e tillë? A ngjan me një strategji…?

SPAK është një kërkesë specifike që Partia Demokratike ka pasur kur nisi debati për reformën në drejtësi. Kur ligjet shoqëruese të reformës në drejtësi u miratuan, ne ramë dakord veç për ligjin që rregullon SPAK dhe BKH, ndërkohë që nuk u arrit dakordësi për të 6 ligjet e tjera. A ka sot prokurorë që mund të influencohen? A ka sot trafik influencash? Sigurisht që po, por kemi nga ana tjetër një institucion që besoj po thyen disa tabu. Në rastet që thoni ju më shumë jam e predispozuar të shoh një qeveri që kupton se kur patatja bëhet shumë e nxehtë, heq dorë nga ajo dhe e lë në rrugë për ta kapur SPAK. Kjo, padyshim është një skemë e mazhorancës, por nuk kam asnjë të dhënë të dyshoj se SPAK po godet ato që mazhoranca lë në baltë.

Pasi mendoj që mazhoranca nuk ka lënë askënd në baltë, i ka mbrojtur deri në moment të fundit, i ka ofruar avokati publike, i ka ofruar dhe mbrojtje politike, kujtdo, thjesht ka hequr dorë kur kanë qenë të pambrojtshëm. Unë sot pres që përpara drejtësisë të shkojë kushdo zyrtar, që është në post publik dhe ka përgjegjësi jo vetëm morale, por dhe ligjore duke filluar, por jo vetëm, me kryetarin e Bashkisë Tiranë. E kam thënë, e përsëris, çështja e inceneratorëve është lakmues për drejtësinë e re.

Si e konsideroni shtyrjen e ligjit për Investimet Strategjike?

Disa muaj më parë, mazhoranca socialiste votoi kundër propozimin ligjor që depozitova në kuvendin e Shqipërisë në dhjetor 2022 për të pezulluar Ligjin e Investimeve Strategjike. Ndërsa në ditët e para të këtij viti të ri mësuam se mazhoranca socialiste po përgatitet që të shtyjë edhe më shumë afatin e Ligjit të Investimeve Strategjike, duke shtuar një tjetër peshqesh për shqiptarët.

Ironikisht, Parlamenti do të shqyrtojë një propozim deputeti të mazhorancës për të shtyrë Ligjin e Investimeve Strategjike. Nëse propozimi im, që u rrëzua nga mazhoranca, kishte në thelb zhbërjen e një ligji që jo vetëm ishte i qepur për interesat e një klientele të vogël, por njëkohësisht nuk ofronte asnjë vlerë të shtuar për ekonominë dhe investimet e huaja. Në të kundërt, propozimi socialist e ka të shkruar në ballë se çfarë synon të arrijë përmes shtyrjes së periudhës kohore të zbatimit të ligjit. Mjafton të shohim “punën dhe eficencën” që ka pasur Ligji Investitorëve Strategjikë për të kuptuar se kujt i duhet dhe përse po shtyhet zbatimi i tij. Kur mazhoranca rrëzoi propozimin tim, në korrik 2023, dha justifikimin se “Ligji do të përfundojë në fund të 2023 ndaj nuk ka arsye ta pezullojmë tani”. E vërteta është ndryshe.

Sjellja e mazhorancës na lë të kuptojmë se ajo jo vetëm që nuk ka ndërmend t’i japë fund zbatimit në kohë të ligjit, por duket se ka krijuar një varësi të tillë saqë do ta shndërrojë në normalitet atë. Dhe normaliteti nuk është një eufemizëm i imi, por një realitet që shqiptarët e kanë prekur që prej vitit 2015 kur me shumë pompozitet u miratua në parlament. Asokohe në emër të opozitës propozova dy amendamente, që u kundërshtuan dhe rrëzuan nga mazhoranca socialiste. Që me vullnetin dhe entuziazmin me të cilin miratoi ligjin në 2015, ia zgjati dy herë me radhë jetën në 2018 me dy vjet dhe në 2021 me dy vite të tjera. Dhe si për të përmbushur profecinë se socializmi i tyre nuk do zbehej nëse ia zgjasnin për të tretën herë, kanë vendosur të hidhen në sulm për të mbrojtur normalitetin socialist të këtij ligji.

Çfarë fshihet pas “normalitetit” të socialistëve?

Nga lista e gjatë e përfituesve mund të shihje investitorë të huaj më pak se gishtat e një dore, të gjithë përfituesit ishin e janë të dyshuarit e përhershëm. Përfituesit e zakonshëm që marrin tendera, PPP dhe koncesione, persona nën hetim për lidhje me krimin e organizuar apo deri dhe tek oligarkë rusë të shpallur “non grata” në SHBA. Këto janë investitorët strategjikë që pasurohen nga kompanitë guaska, që fshehin investitorët e vërtetë. Një ligj që nuk njeh e promovon garën, as konkurrencën, por ngushton tregun e mundësitë e tregut me ato që kanë akses te pushteti.

Ky normalitet socialist ka prodhuar njëkohësisht edhe një normë të re, që lidhet me investimet strategjike. E ashtuquajtura norma socialiste e investimit strategjik. Për ta përmbushur këtë normë duhet të kesh disa kritere që përcaktohen nga Këshilli Investimeve Strategjike; ku siç edhe dihet, preferohen personat me lidhje të ngushtë politike me qeverinë, mundësisht vetëm shqiptarë me kompani ‘offshore’ dhe pse jo edhe persona me lidhje me grupe kriminale brenda vendit.

Nëse investitori qëllon që të ndihmojë qeverinë në zgjedhje elektorale, atij i shënohet një plus i madh dhe është preferencial në përzgjedhjen në fjalë. Të gjitha raportet ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria ka nevojë për investime serioze dhe të mira në fushën e ekonomisë. Që qeveria duhet të ndryshojë vizionin ekonomik duke u dhënë zë investimeve reale strategjike, për politika reale fiskale dhe ekonomike që promovojnë meritokracinë dhe konkurrencën. Mazhoranca socialiste mendon se Shqipëria mund të përparojë vetëm përmes shtyrjes së Ligjit të Investimeve Strategjike. Më kot, pritet të ndryshojnë pikërisht ideatorët e një sistemi parlamentar që është kthyer në noterin “Aferim” të dëshirave strategjike të një pakice.

Si është e mundur që me gjithë skandalet e saj, lidhjet me afera korruptive dhe krimin e organizuar, përshkallëzimin e korrupsionit, maxhoranca dhe Edi Rama vazhdojnë të qeverisin të patrazuar as nga drejtësia e “pavarur”…?

Në një demokraci përfaqësuese qytetarët votojnë për forcat politike dhe jo për institucionet ligjzbatuese. Nëse sot qytetarët nuk kanë mundur të përzgjedhin ende një mazhorancë tjetër përpos të socialistëve kjo vjen edhe si pasojë e një opozite që mbase ka dështuar të jetë efektive në raport me kërkesat e qytetarëve. Sjellja jonë politike në këto dhjetë vite nuk ka qenë e përkryer përderisa nuk kemi mundur të marrim aq vota sa për të neutralizuar çdo faktor ekstraligjor që përdor qeveria. Kemi ndërmarrë disa gabime që na kanë kushtuar shtrenjtë dhe kemi pasur një filozofi që nuk ka rezultuar fituese. Në gjykimin tim, kjo mazhorancë nuk është e pamposhtshme, në të kundërt mendoj që përkushtimi, një tjetër taktikë dhe një filozofi tjetër në qasje mund të na ofrojë më shumë se sa këto rezultate. Jam nga ato politikanë që shoh nga vetja dhe nga forca ime politike për t’u përmirësuar. Aq më tepër sot teksa shoh që ka një hendek që duhet mbyllur mes nesh dhe forcës që qeveris për fatin e keq shqiptarët prej një dekade.

Një mazhorancë që gëzon të gjitha pushtetet përballë një opozite të përçarë! Si do të mundësohet ndryshimi, ku shqiptarët të gëzojnë të drejtat e tyre në Shqipëri e jo duke marrin rrugët e botës…?

Nëse shqiptarët sot janë duke marrë rrugët e botës ky është dhe faji jonë si opozitë që vazhdojmë ende të kemi kokën pas në disa debate të pakuptimta, duke mos fokusuar energjitë tek beteja opozitare. Personalisht gjykoj që ne duhet të ndryshojmë qasje dhe të jemi ofertë për një shoqëri që kërkon të dëgjojë se si do t’i zgjidhim problemet.

Pse gjithë ky abuzim me përdorimin e fondeve publike?

Një pushtet absolut korrupton në mënyrë absolute. Sot, po flasim për një qeverisje prej dhjetë vitesh që nuk është ndëshkuar në kuptimin duke e privuar mazhorancën nga numrat për të qeverisur e vetme.

Si mund të realizohet rotacioni politik? Çfarë i “zgjon”, apo i ndërgjegjëson shqiptarët se kjo qeveri e ky kryeministër duhet të ikin…?

Rotacioni politik mund të realizohet duke lënë pas hijet e të shkuarës dhe duke mësuar nga dështimet e djeshme. Opozita ka shkelur vazhdimisht në një tokë të shkretuar, rezultati i së cilës ka qenë përherë një opozitë më e vogël dhe një mazhorancë me arrogante. Shqiptarët i zgjon ndershmëria dhe vazhdueshmëria në çështjet politike. Në 2022 kur vijova me Komisionin Hetimor të Inceneratorëve, gjendja në Partinë Demokratike ishte më keq se sa sot.

Sapo kishte ndodhur 8 janari kur palët ishin vendosur kundër njëra-tjetrës në një betejë të pakuptimtë por sërishmi ai komision ishte eficient dhe kjo për shkak të një pune voluminoze nga ekspertët e atij komisioni deri tek çdo faktor brenda dhe jashtë PD-së. Këmbëngulja, angazhimi dhe ndershmëria në transmetimin e një ngjarje aq të thjeshtë gjunjëzuan një mazhorancë, që kishte po aq pushtete sa sot në kontroll. Mendoj ta nisim duke reflektuar në këto cilësi për të ndërtuar një opozitë që ka synim shqiptarët.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re