Nga VALENTINA MADANI/  Zef Preçi, ekspert i njohur i ekonomisë, verën me shqetësim se korrupsioni “ka fituar qytetarinë” në shoqërinë e sotme shqiptare dhe është shndërruar në një normë për elitën politike.

Ai thotë për Gazeta Panorama se korrupsioni kaloi nga banakët në nivelet e larta të shtetit duke e bërë të pajetueshme jetën për shqiptarët si nxitës I braktisjes masive të vendit. Ai apelon se korrupsioni ka marrë përmasa të frikshme dhe se veçse u sofistikua pas zbatimit të reformës në drejtësi.

Zef Preçi vë në dukje se korrupsioni shkatërroi mekanizmat e garës për qarkullimin e elitave në lidershipin e partive. Eksperti I njohur i ekonomisë flet për nismat e fundit të qeverisë njërën prej të cilat, atë të legalizimit të kanabisit mjekësor Korrupsioni shkatërroi mekanizmat e garës për qarkullimin e elitave në lidershipin e partive e konsideron se një lëshim i madh për rrjetet e krimit dhe aleatëve të tyre politike.

Lidhur me rrëzimin e kërkesës së PD-së për VKM-në që ka të bëjë me sekuestrimin e kateve pa leje, Preci shprehet se “çfarëdo uzurpimi i kompetencave të gjyqësorit nga ekzekutivi shënon kthimin pas dhe favorizon llojin e pushtetit të njohur si partia-shtet”. Ai mendon se referendumet duhet që të kthehen në një norme kushtetuese si kudo në vendet demokratike të Perëndimit, nëse nuk duam që një ditë të përfundojmë të gjithë të huaj në vendin e të parëve.

Z. Preçi, çfarë e kërcënon aktualisht ekonominë kombëtare?

Me termin “ekonomi kombëtare” ne ekonomistët kuptojmë prodhimin, shpërndarjen dhe tregtinë, konsumin e mallrave dhe të shërbimeve nga agjentë të ndryshëm të pranishëm në ekonominë e vendit, d.m.th. flasim në nivel makroekonomik. Pavarësisht përparimit të shënuar gjatë tri dekadave të fundit, ekonomia jonë kombëtare vazhdon të përballet me sfida serioze ekonomike, duke përfshirë problemet që lidhen me tregun formal të punës, lidhjet e pamjaftueshme me tregjet e jashtme, mungesën e aksesit në kapital për faktorët kryesore të rritjes, nivelin e varfërisë që rrok shtresa të gjëra të popullsisë, etj.

Këto sfida, përbëjnë njëkohësisht edhe kërcënimet kryesore ndaj ekonomisë sonë kombëtare në një periudhë afatgjatë, por të marra së bashku këto përmblidhen në keqqeverisjen konstante sidomos gjatë dekadës së fundit, me rritjen dukshëm të korrupsionit politik, në nivelin ende e varfërisë dhe rritjen ekonomike të ngadalshme si baza e prosperitetit të një kombi…

Në një terren më konkret, sipas mendimit tim, kërcënimet ndaj ekonomisë shqiptare lidhen me politikat aventureske të qeverisë që po çojnë në rrënimin hap mbas hapi të sektorit publik për garantimin e fitimeve pa risk të një grushti monopolistesh klientë të saj, në zgjerimin jashtë çdo kriteri të pranisë së kapitalit privat në infrastrukturën dhe në shërbimet publike në formën e partneriteteve publike-private (PPP), në politika të dyshimta makroekonomike siç është amnistia fiskale, amnistia e aseteve dhe amnistia penale apo legalizimi i kanabis-it gjoja për qëllime mjekësore, etj.

Meqë përmenda PPP-të, asnjë institucion përgjegjës në qeveri dhe as jashtë saj, nuk ofron tregues të performancës të shumicës së tyre, bëhen përpjekje të pamjaftueshme për të minimizuar rreziqet ndërsa po rritet pa kontroll borxhi publik, duke fituar kohën sot, por njëkohësisht, duke rritur riskun për ekonominë në të ardhmen e afërt, etj.

Pse korrupsioni arriti nga banakët drejt rangjeve të larta qeveritare?

Për shkak të punës sime të përditshme prej më shumë se 25 vitesh kam monitoruar konsolidimin e shtetit të së drejtës, hapat e ndërmarrë në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të enteve rregullatore, politikat publike kundër korrupsionit, perceptimin e qytetarëve mbi integritetin e institucioneve shtetërore, etj., dhe mendoj se vlen të ndaj me lexuesit tuaj disa gjetje në këtë fushë.

Kështu në perceptim publike dhe përfshirjes në të, qëndrimet e tyre ndaj këtij fenomeni si shkalla e ndërgjegjësimit për procedurat e denoncimit, pranueshmëria e korrupsionit, skepticizmi ndaj tij, etj., kemi vënë se në mënyrë konstante se korrupsioni është i pranishëm veçanërisht në nivelet e larta të qeverisjes, në një pjesë të konsiderueshme të zyrtarëve publike, etj.

Nëse këta tregues janë në nivelet më të larta në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, besimi se mund të ketë sukses në luftën kundër këtij fenomeni mbetet në nivelet më të ulëta në rajon. Sa i takon korrupsionit, mendoj se vendi ynë ka adoptuar një qasje disi formale, propagandistike dhe përgjithësisht të lidhur me koston e transaksioneve duke lënë përgjithësisht mënjanë çështjet që kanë të bëjnë me aspektet e psikologjise sociale. D.m.th., ky fenomen nuk është parë i lidhur ngushte me sjelljen njerëzore, e cila nga ana e vet është rezultat i marrëdhënies midis gjendjeve mendore dhe situatave sociale, nuk janë studiuar sa duhet kushtet sociale në të cilat ndodhin mendimet, ndjenjat dhe sjelljet dhe se si këto variabile ndikojnë në ndërveprimet sociale. Kështu korrupsioni “ka fituar qytetarinë” në shoqërinë e sotme shqiptare dhe është shndërruar në një normë shoqërore për elitën politike, administrative dhe të biznesit duke ngushtuar dhe përkeqësuar konkurrencën në çdo fushë të jetë ekonomike dhe sociale të vendit.

Nuk e teproj të shtoj se korrupsioni si normë sociale ishte, është dhe ndoshta do të jetë edhe për shumë kohë, edhe një ndër shkaqet kryesore përse vendi po bëhet përherë e më i pajtueshëm dhe nxitës për braktisjen masive të tij. Po kështu ndër shkaqet se perse korrupsioni ka marrë këto përmasa të frikshme dhe është sofistikuar së tepërmi siç është në ditët e sotme sidomos mbas fillimit të zbatimi te reformës në drejtësi, mendoj se janë edhe shkatërrimi thuajse plotësisht i mekanizmave që deri-diku garantonin garën dhe qarkullimin e elitave në lidershipin e partive politike si dhe transparencën e llogaridhënien e tyre, forcimi I prirjeve autoritariste brenda partive dhe mbartja e kësaj fryme edhe në institucionet shtetërore (kur janë në pushtet).

Nëse partitë politike prej 10-15 vitesh nuk bëjnë fare zgjedhje ose i kanë ato formale e pa garë reale, në strukturat shtetërore është forcuar dukshëm nervi partiak, d.m.th. politizimi i tyre në shkallë të gjerë. Studime tona më të thelluara dhe analiza e detajuar e disa nga shoqëritë publike me numrin më të lartë të punësuarve dhe të fondeve buxhetore të shpenzuara në to, tregojnë qartësisht se në mungesë të ideve që mund të tërheqin elektoratin dhe ngushtimi i dallimeve filozofike midis të majtës dhe të djathtës “natyrshëm” ka nxitur përdorimin politik të vendeve të punës dhe të posteve drejtuese në sektorin shtetëror si dhe të fondeve buxhetore duke ushqyer kështu në mjaft raste korrupsionin dhe abuzimin me detyrën shtetërore.

Kjo situatë shqetësuese e marrëdhënieve të partive politike me elektoratin e tyre, problemet e brendshme apo kriza e përfaqësimit (p.sh. te opozita demokratike) e shoqëruar me rritjen e ndikimit të oligarkisë mbi vendim-marrjet e ekzekutivit si dhe shtimin i numrit të “ligjeve të porositura” (d.m.th. mbas të cilave qëndrojnë emra firmash apo oligarkësh të caktuar të identifikuar qysh përpara apo gjatë miratimit të këtyre akteve nga Parlamenti) kanë “ngurtësuar” edhe vete sistemin e prokurimit në vend duke gjeneruar burime të qëndrueshme të parave të korrupsionit, të legjitimuara me dokumente detyruese për shtetin (siç është p.sh. kontrata emblematike e inceneratorit të Tiranës, ndaj të cilit nuk guxon të hetoj as vetë SPAK-u).

Kuptohet që kjo situatë nuk ka ardhur në një ditë, por është “ngjizur” hap mbas hapi edhe për shkak të mosangazhimit moral, të cilin individët dhe familjet shqiptare e përdorin për të pajtuar konfliktin midis sjelljes jo-etike apo në shkelje të ligjit t zyrtarëve e të politikaneve dhe kodeve morale të vendit, gjë që mund të shpjegojë edhe “normalizimin e korrupsionit” si një normë e pranuar gjerësisht në shoqërinë dhe institucionet shqiptare të kohës sonë. Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje është një provë tjetër plotësuese për këtë.

Pse shqiptaret vazhdojnë të vuajnë një krizë ekonomike, krizë pagash të ulëta dhe krizën e inflacionit…?

Shkaqet e krizës, siç e thamë më sipër, lidhen kryesisht me keq-qeverisjen por ndikohen edhe nga faktorë të tjerë, siç është kriza ekonomike botërore, ndikimi i agresionit rus në Ukrainë, etj. N morinë e këtyre faktorëve mendoj se duhet veçuar fenomeni i “proletarizimit” të fshatit shqiptar apo zvogëlimi në numër absolut ne vijimësi sidomos gjatë dekadës së fundit jo vetëm të popullsisë, por edhe i prodhimit bujqësor dhe blegtoral. Kështu sipas të dhënave të INSTAT vetëm në periudhën 2010-20 sipërfaqet e mbjella dhe numri i krerëve të kafshëve të prodhimit, për rrjedhojë edhe volumet e prodhimit janë zvogëluar mesatarisht me rreth ¼ e tyre. Në këto kushte rritja e inflacionit ishte e pritshme edhe pa ndikimin e krizës botërore shtrenjtimit të lëndëve të para, kryesisht atyre energjetike.

Ndërsa për politika shtetërore n mbështetje të prodhimit vendas që nxitin rritjen e shkallës së përpunimit të produkteve apo lëndëve të para vendase duke përfshirë ato minerare dhe energjetike, as që bëhet fjalë. Ndikimet e oligarkisë në këto sektorë duket se janë sinjifikative dhe qeveria është dukshëm në kontrollin e tyre, kështu që vendi ynë e mbështet ekonominë e tij në importet dhe prurjet monetare të emigrantëve e turizmin e lidhur me këta të fundit.

Pagat e ulëta të punës, përveç politikave qeveritare të paqarta në këtë fushë dhe përdorimin elektoral të këtij instrumenti të qeverisjes në sektorin publik, reflektojnë edhe produktivitetin e ulët të punës, mungesën e politikave shtetërore dhe të investimeve private në kualifikimin e fuqisë punëtore dhe menaxheriale, etj. Rritja e pagave të punës kohët e fundit në sektorin publik, përveç rritjes së kostos në buxhetin e shtetit, mund të sjellë edhe pasoja të paparashikueshme si në drejtim të rritjes së korrupsionit (përdorimit politik dhe shitjes së vendeve të punës), por edhe rritjen e kostos se të bërit biznes në vend dhe çrregullime të tjera në sektorin privat. Themelore është të rritet rendimenti i punës, përndryshe jemi larg së qeni ekonomie tregut në kuptimin e plotë të kësaj fjale.

Rritja e pagave për pushtetarët e administratën a duhej të reformohet? Sipas jush çfarë nxit kjo rritje…? Cili është burimi financiar?

Përveç indeksimit të përvitshëm të pagave si masë korrigjuese e mbrojtjes, mendoj se vendi unë ka nevojë për të njohur dhe zbatuar hap mbas hapi minimumin jetik si rruga kryesore që mbron shtresat me të varfra ku bëjnë pjesë edhe shumica e pensionistëve së bashku me grupet e tjera sociale përfituese të ndihmës ekonomike. Po kështu përmirësimi cilësor i arsimit dhe shërbimit shëndetësor do të mbeten çështje të mprehta të qeverisjes edhe për shumë kohë.

Rregullimet në hierarkinë e pagave të politikanëve dhe të administratës duhen bërë në vazhdimësi dhe duhen parë të lidhura ngushtësisht me rritjen ekonomike, me progresin shoqëror dhe ekonomik të vendit. Rritja e kohëve të fundit, për nga koha kur u ndërmor (në mes të vitit dhe në kushtet kur kriza ka përkeqësuar statusin social-ekonomik për shumicën e familjeve shqiptare) dhe nivelet e rritjes, edhe pse i ligjshëm formalisht (qeveria zotëronte numrat e nevojshëm në Kuvend për ta miratuar), mendoj se ishte një kambial elektoral në favor të mazhorancës aktuale dhe shkon në kahen e kundërt me përdëllimin qeveritar për ndihmën ndaj shtresave ne nevoje.

Miratimi i ligjit për legalizimin e kanabisit mjekësor është një vijë e kuqe e shkelur qartësisht…?

Qeverisja e vendit është përgjegjëse për rregullimin e sektorëve të ndryshëm duke përfshirë edhe prodhimin, përpunimin dhe eksportin e bimës së kanabis sative (kanabisit) për qëllime mjekësore, siç është bërë e njohur tashmë nisma ligjore përkatëse. Pra nuk ka vend të flasim për “vijë të kuqe”, vija të tilla i vendosin vetëm zgjedhësit (në vendet demokratike kur bëhen zgjedhje dhe forcat politike konkurrojnë me programe politiko-qeverisëse) dhe deri -diku edhe votuesi (në vendet si yni ku në mungesë të programeve kemi dajre, daulle, timon, tepsi, etj.).

Më mirë një strategji kombëtare për luftën ndaj trafikimit të drogës apo ligj për ta legalizuar atë?

Nëse do të flisnim për një strategji të luftës kundër drogës, duhej të flisnim për zhdukjen hapa mbas hapi brenda një kohe të caktuar të kultivimit, përpunimit dhe eksportit të kësaj bime. Por duke filluar nga “aksioni” policesk famëkeq kundër drogës në Lazarat mendoj se kemi ecur në drejtimin e kundërt, për të kulmuar me draft-ligjin që pritet ta shqyrtojë dhe miratojë Kuvendi në javët në vijim.

Strategji do të thotë zhvillim i qëndrueshëm ekonomik, edukim integruar në të gjitha nivelet dhe bashkëpunim ndërmjet aktorëve dhe faktorëve publike dhe private për të mos lejuar që segmente të ndryshëm të shoqërisë të ndjekin rrugën më të shkurtër të pasurimit duke u përfshirë në krim dhe duke shkatërruar jetën e qytetarëve në vendet e BE e këtu në Shqipëri.

Personalisht nuk besoj se ky koncesion, ky lëshim i madh që ju bëhet rrjeteve të krimit të organizuar dhe aleatëve të tyre politike dhe në institucionet ligjzbatuese si në polici, etj. për legalizimin e kanaleve të eksportit të kanabisit (sepse prodhimin e kanë “legalizuar” me kohe) e zgjidh problemin. D.m.th. po shtohen risqet për përdorimin sidomos nga adoleshentët dhe të rinjtë, për aksidentet në trafik, për korrupsion në licencim, mbikëqyrje dhe eksport, etj

A besoni se për çështje të tilla me rëndësi, si kultivimi i kanabisit mjekësor, mazhoranca duhej të inicionte një referendum të natyrës konsultuese për ta bazuar vendimmarrjen e jo konsultim me qytetarët përmes Këshillimit Kombëtar që nuk ka vlerën e një referendumi?

Për të ashtuquajturin “këshillim kombëtar” kemi folur edhe herë tjetër, mendoj se ishte njëlloj mbulese demokratike që synonte të fshihte grupet e vërteta të interesuar për të legjitimuar paratë e grumbulluara kryesisht në rrugë kriminale dhe përmes korrupsionit, kështu që nuk ja vlen ta komentojmë. Ndërsa referendumet duhet të luftojmë që të kthehen në një norme kushtetuese si kudo në vendet demokratike të Perëndimit, nëse nuk duam që një ditë të përfundojmë të gjithë të huaj në vendin e të parëve.

A mund të kontrollohet procesi i kultivimit për të mos pasur abuzime përgjatë rrugës…?

Sigurisht që në letër po, por aq sa kontrollojmë sot origjinën e produkteve bujqësore dhe blegtorale që konsumojmë…

A është një vendim të dëmshëm për shqiptarët, një vendim për legalizimin e krimit, drogës, vrasjeve…?

Ju ftoj juve dhe lexuesit e kësaj interviste të ndjekin në “Netflix” serialet historike mbi Narcos në vendet e Amerikës Latine për të kuptuar se në cilat rrjedha, shkatërruese për fat të keq, është futur me dhe pa vetëdije shoqëria e sotme shqiptare dhe ekonomia vendit. Mbas kësaj, secili mund dhe duhet të nxjerr konkluzionet e veta dhe të marrë përgjegjësitë e tij/ saj.

Pse shumë banorë të fshatit kultivojnë kanabisin si një kulturë parash me fitimprurëse se shalqiri?

Në kapitalizëm ka vetëm një motiv bazë të veprimtarisë ekonomike të individit apo familjes “qilim fluturues”: norma e fitimit. Por kapitalizëm do të thotë edhe rregulla të zbatuara në mënyrë të ndërgjegjshme dhe mbikëqyrje të rreptë shtetërore e zbatimit të tyre. Në Gjermani qarkullon një fjalë e vjetër që thotë: “rregulli të zgjat jetën”.

Deri atëherë – deri kur ta mësojmë edhe ne, vende si yni do ta matin kohën me periudhat e sundimit të këtij apo atij lideri dhe shumë njerëz do ta shohim partin si burimin kryesor të mirëqenies, pasurimit (ndonjëherë edhe rrënimit), por ende jo punën e vet të ndershme dhe me rregulla të qarta të lojës së ekonomisë së tregut…

Si e konsideroni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së opozitës për VKM-të e kateve pa leje? Në këtë rast a cenohet e drejta e pronësisë të qytetarëve?

Çfarëdo uzurpimi i kompetencave të gjyqësorit nga ekzekutivi shënon kthimin pas dhe favorizon llojin e pushtetit të njohur si partia-shtet. Por gjithësi, edhe kjo është çështje e qytetarëve dhe biznesit, heshtja tregon konformizëm dhe “ulje të qafës” që gjithsesi nuk premton për normalitet institucional dhe demokratik në vend.

Po atë për Portin e Durrësit…? Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e opozitës për të anuluar marrëveshjen e shtetit shqiptar me Emiratet e Bashkuara Arabe për portin e Durrësit…

E njëjta gjë si më sipër, dëshmi e nivelit të ndërgjegjes së gjyqtareve, dëshmi e “ndarjes” së pushteteve, dëshmi e “thellësisë” së reformës në drejtësi, provë e qartë e ndikimit oligarkik mbi vendimmarrjet e ekzekutivit.

Kryeministri Rama paralajmëroi rritjen e çmimit të energjisë, çfarë pasojash do të ketë për qytetaret e bizneset!?

Mbetet për t’u parë, si rregull “masat antipopullore” qeveritë i ndërmarrin në vitin e parë të mandatit me qëllim që në vitet në vijim qytetarët dhe bizneset “të mësohen” me këto masa. Rritja e çmimeve të energjisë nuk mund të mos çojë në rritjen e mëtejshme të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve, por edhe në përkeqësimin e përgjithshëm të klimës së të bërit biznes në vend.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re