VALENTINA MADANI/ Arben Malaj, ish-ministri socialist i Financave vlerëson punën e SPAK-ut dhe vendimmarrjet e tij përgjatë vitit 2023. Sipas tij, për herë të parë në tranzicionin tonë të vështirë ra kultura e mosndëshkueshmërisë, por Malaj thotë për gazeta “Panorama” se i rëndësishme nuk është vetëm dënimi i disa politikanëve, por krijimi i një mjedisi ligjor, ku të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit.

Malaj flet për izolimin e liderit të opozitës, Sali Berisha dhe risjell në kujtesë zhvillimet politike në ‘97-ën pas rënies së firmave piramidale. Arben Malaj tregon për një nga mbledhjet e grupit parlamentar të PS-së, atë ku kërkohej arrestimi i Berishës. Por shprehet ai, Fatos Nano i sapodalë nga burgu u kërkoi deputetëve që të mos e mitizojnë Berishën, siç bënë me të gjatë kohës që ishte i burgosur.

Arben Malaj edhe sot është i bindur se duke mos i bërë presion gjyqësorit për arrestimin e Berishës, Nano dhe socialistët e shpëtuan vendin nga një konflikt civil, që mund të zgjaste dhe ashpërsonte një krizë vëllavrasjeje të nisur nga dështimi i PD-së me skemat piramidale. Kurse Edi Ramës sot i kujton se nuk duhet të fokusohet për vendin e tij në histori, por si të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve.

Z.Malaj! A mund të themi se viti 2023 ishte nën shënjestrën e SPAK-ut dhe vendimmarrjeve të tij?

Po, në vitin 2023 media dhe interesi publik u fokusuan dhe u ndikuan nga zhvillimet politike të nisur nga vendimmarrjet e SPAK, më shumë se çdo zhvillim tjetër ekonomik dhe politik. Kjo edhe për faktin se për herë të parë në tranzicionin tonë të vështirë ra kultura e mosndëshkueshmërisë. Pa, ndëshkueshmëria ishte një sëmundje që ka shoqëruar gjithë tranzicionin tonë, duke gërryer besimin në institucionet publike e politike, duke vrarë shpresën, duke rritur zhgënjimin dhe duke inkurajuar braktisjen e vendit.

Një numër i madh politikanësh, funksionarësh apo ishzyrtarësh, kryesisht të niveleve të larta të pushtetit qendror dhe vendor kaluan pragun e godinës së SPAK-ut gjatë vitit që lamë pas, por a ishte selektive drejtësia e re…?

Kjo i mbetet kohës për ta vërtetuar. E rëndësishme nuk është vetëm dënimi i disa politikanëve, por krijimi i një mjedisi ligjor, ku të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit.

Shqipëria hyri në listën e vendeve që burgosin liderin e opozitës 10 vite pas rënies së tij nga pushteti. A është vendimi i GJKKO-së një akt ekstrem i përndjekjes politike?

Reforma e SPAK-ut është një reformë e kërkuar dhe e imponuar nga komuniteti ndërkombëtar. Lakmusi për këtë të vërtetë është fakti se ajo reformë u votua nga 140 deputetë, që nuk kanë qenë kurrë të bashkuar për reforma kushtetuese siç është forma e gjyqësorit, ku jo pak prej tyre e parandienin fatin. Mazhoranca ka përgjegjësinë ligjore dhe morale që të mos ndikojë sadopak direkt apo indirekt në asnjë fazë të proceseve të SPAK.

A e bën më të drejtë Shqipërinë, nxitimi për të arrestuar Sali Berishën? Çfarë fshihet pas arrestimit të tij? A e rrit zemërimin e opozitës izolimi i Berishës?

Po ju përgjigjem me zhvillimet e vitit 1997 kur kërkohej arrestimi i Berishës. Nano në mbledhjen e grupit parlamentar për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Berishës theksoi se: “Mos e mitizoni Berishën”. Disa deputetë të grupit parlamentar të PS-së kërkuan me këmbëngulje arrestimin e Berishës. Jo pak deputetë theksuan veç të tjerave krimin e tij për arrestimin dhe vuajtjen e Nanos si i burgosur politik i Berishës. Arrestim që u vlerësua si politik edhe nga “Amnesty International”. Situata në grupin parlamentar të PS-së po nxehej në favor të kërkesës për arrestim të Sali Berishës. Pikërisht në këtë situatë ndërhyri Nano, ku theksoj se “Nëse Sali Berisha burgoset, do të kthehet në mit. Unë nuk dua që Sali Berishën të behet një mit, siç më bëtë mua ju socialistët. Unë dua të çmitizohem. Sa për vuajtjet në burgun e Berishës, i kam vuajtur unë i pari bashkë me ju”.

Dhe si u prit qëndrimi i z.Nano nga deputetët në mbledhje?

Pati kolegë që mbeten të pakënaqur me qëndrimin e Nanos. Por duke mos i bërë presion gjyqësorit për arrestimin e Berishës, Nano dhe socialistët e shpëtuan vendin nga një konflikt civil, që mund të zgjaste dhe ashpërsonte një krizë vëllavrasjeje të nisur nga dështimi i Partisë Demokratike me skemat piramidale. Mos harroni se gjaku i viktimave të pafajshme ende nuk ishte tharë dhe nënat dhe motrat e tyre ende vajtonin me kuje. Rreziku për mitizimin e Berishës ishte shumë i lartë në vitin 1997, edhe sepse në periudhën 1996-1998, një pjesë e lidershipit të PD-së bashkëpunonte dhe mbështetej nga banda kriminale. Një nga këto qytete ishte edhe Shkodra, ku deputetët e saj dhe të fortë e PD-së në 1997 morën peng prefektin e Shkodrës, Gëzim Podgoricën dhe për disa orë/ditë nuk e lanë të ushtronte detyrën. Në 2024, Berisha mund të mitizohet vetëm nga disa radikalë, por është shumë e vështirë, sepse Berisha është vetëçmitizuar, pasi që prej vitit 1997 nuk arriti për 25 vite të krijonte një opozitë shpresëdhënëse dhe konkurruese.

Një tjetër arrestim, këtë herë i kandidatit të opozitës në Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit, besoni se do të ketë pasoja për mbarëvajtjen e procesit të negociatave me BE-në?

Fatkeqësisht, lidershipi politik grek në vitin 2023 është larg lidershipit grek proevropian të vitit 2003, kur në Samitin e Selanikut u deklarua se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë në BE. Pas këtij samiti, edhe pse me disa vonesa, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur të avancojnë në fazat e integrimit në BE. Greqia e ka përdorur veton disa herë për vendet e Ballkanit Perëndimor, si në rastin kur kushtëzoj ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedoninë e Veriut. Greqia vazhdon dhe nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Aktualisht, vetoja e vendosur ndaj Shqipërisë për çështjen “Beleri” është në kundërshtim me frymën europiane. Greqia mund ta përdorë veton jo për çdo problem apo debat midis dy vendeve.

Përdorimi kushtëzues i vetos së saj më efektiv mund të ishte përpara anëtarësimit të plotë në BE. Kjo sepse që tani e deri në anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendet e tjera të Ballkanit në BE do të duhen shumë vite, ndoshta edhe një dekadë. Gjatë kësaj periudhe Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë një mbikëqyrje të rreptë nga BE për plotësimin dhe respektimin e kritereve të Kopenhagenit 1993. Respektimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe i të drejtave të minoriteteve është një kriter thelbësor dhe i panegociueshëm. Kur këto parime thelbësore shkelen apo nuk respektohen plotësisht, BE aplikon ngrirjen e fondeve të saj, siç ka ndodhur me Hungarinë dhe Poloninë. Standardet e demokracisë, garancitë për të drejta të plota dhe të barabarta për minoritetet respektohen më mirë kur vendet përparojnë në procesin e integrimit. Kur respekti i këtyre të drejtave vjen nga një vetëdija e qartë politike dhe jo nëpërmjet një mbulesë propagandistike të hirit të zjarreve të pashuara nacionaliste.

Pas 10 vitesh pushtet ku socialistët mbartin një cikël skandalesh që nuk kanë mbaruar, ndërkohë që shihet opozita si e keqja e këtij vendi? Pse ndodh një gjë e tillë?

Opozita po vonon dhe po humb mundësinë për të qenë opozitë shpresëdhënëse edhe për vitin 2025. Koha ecën shumë shpejt. Zgjedhjet janë bërë gjithnjë e më të vështira. Opozita duhet t’i prezantojë publikut pa vonesë vizionin alternativ për Shqipërinë 2030. Opozita duhet të evidentojë dhe promovojë figura të reja të së djathtës. Opozita do ta ketë të vështirë të fitojë, thjesht duke rritur agresivitetin politik, i cili në thelb nuk arrin të mundi mazhorancën, por e dobëson edhe më shumë opozitën për shkak të përçarjeve, ndarjeve dhe rindarjeve të papërfunduara që vazhdojnë në dinamikë vetëshkatërruese të saj.

Kush e bëri reformën në drejtësi sipas jush, Edi Rama dhe mazhoranca që ai drejton apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Mazhoranca ka meritën e saj, por jo të gjithën për reformën në drejtësi. Imponimi detyrues i faktorëve ndërkombëtarë veçanërisht SHBA dhe BE ka qenë vendimtar për këtë reformë. Kjo vërtetohet lehtësisht nga fakti se shumë rrallë në historinë e parlamentarizmit shqiptar, 140 deputetë e votuan këtë reformë në mënyrë unanime. Edhe opozita është pjesë e miratimit të ndryshimeve kushtetuese për paketën ligjore të reformës së re në drejtësi. Thelbi i kësaj reforme nuk është numri dhe emrat konkretë të të dënuarve, por krijimi i premisave pozitive që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Garancitë juridike për çdo shqiptar dhe të huaj nëpërmjet funksionimit të shtetit ligjor është ndryshimi më i madh dhe më pozitiv që duhet bërë në vendin tonë. Garancia juridike, një drejtësi e barabartë për të gjithë, një drejtësi e pavarur, e pavonuar dhe e pandikuar çliron energji pozitive te çdo shqiptar dhe mbështet më mirë çdo sfidë të saj.

Afera e djegësve dogji karrierën e disa figurave të njohura politike, ndërsa gjatë gjithë vitit hetimet nxorën në pah sesi makineria shtetërore kishte qenë pothuajse tërësisht në shërbim të biznesmenëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri…

Kapja e shtetit mbetet rreziku më i madh dhe plaga më e rëndë për një vend me demokraci hibride dhe përballë sistemeve autokratike të qeverisjes që po kërcënojnë demokracinë në shumë vende. Fakti që çështja ndodhet në procesin e gjykimit më detyron të respektoj mosnxitjen e debateve apo akuzave ndaj organeve të drejtësisë duke filluar nga SPAK. Politika ka përgjegjësinë e madhe të ndërtojë institucionet shtetformuese për të dënuar çdo akt korruptiv dhe për të çrrënjosur metastazat e sëmundjeve e vdekjepurëse të qeverisjeve.

Çfarë po i zgjat jetën këtij pushteti?

Ka një sërë faktorësh, por dy janë ndoshta më të rëndësishmit. E para, braktisja e vendit, një dëm që do ta paguajmë për një periudhë jo të shkurtër kohe. Shqiptarët në përgjithësi dhe të rinjtë në veçanti ndihen të lodhur dhe nuk përkushtohen për ndryshimet e domosdoshme në vendin e tyre, por emigrojnë lehtësisht në BE dhe Angli. Ata e kanë humbur shpresën, prandaj nuk preferojnë të qëndrojnë në Shqipëri për të krijuar “majanë” e vetëdijes kombëtare për ndryshimet e domosdoshme. Ky faktor jopozitiv ka vite që sundon zhvillimet tona shoqërore e politike. Mijëra shqiptarë po largohen gjithnjë e më shumë dhe gjithnjë e më shpejt. Faktori i dytë është vetë dobësimi i opozitës nga lufta e brendshme, nga ndarjet dhe ricopëtimet ende të papërfunduara. Kjo situatë sjell mungesë përgjegjësie politike të opozitës përballë shqiptarëve. Në vendet demokratike, edhe në ato me demokraci hibride siç është vendi ynë, pushteti duhet të ndryshohet vetëm me votë. Kërcënimet radikale nga disa liderë të së djathtës janë më shumë për konsum të brendshëm. Shumë prej individëve radikalë ofrojnë agresivitet partiak publik, që të konsolidohen në çdo listë zgjedhore. Tendencat e një pakice për të mitizuar liderin e opozitës synojnë në thelb garantimin e karrigeve të tyre partiake dhe parlamentare.

Si e lexuat deklaratën e kryeministrit Rama: “Unë jam Edi Rama dhe prapa më vjen historia dhe 2030-ta”?

Besoj se në ditët të fundvitit dhe në ditët e para të janarit 2024, shqiptarët meritojnë të kenë sa më pak ditë të mbingarkuar me politikë. Në përgjithësi, në vigjilje të këtyre festave, politikanët bëjnë një “armëpushim” duke ndalur përbaltosjen e ndërsjellë. Garat me histori nuk fitohen lehtë dhe është shumë e vështirë ta vetënoterizosh si të suksesshme pa kaluar shumë vite apo dekada. “Prapa më vjen historia” është përdorur rrallë. Një rast ishte edhe deklarata e Nanos “Unë jam Fatos Nano prapa më vjen historia” në një fjalim në asamblenë kombëtare të PS-së, kur PS-ja ishte përfshirë nga grindjet e gërryerjet e brendshme. Kjo deklaratë nuk u mirëprit atëherë nga disa kolegë dhe sidomos nga media.

Liderët politikë nuk duhet të fokusohen për vendin e tyre në histori, por nëse përmirësojnë jetën e përditshme të popullit të tyre, nëse ndërtojnë shtetin ligjor, nëse rrisin mundësitë e barabarta për arsim dhe shëndet më të mirë për popullin e tyre, nëse luftojnë kapjen e shtetit, korrupsionin dhe nepotizmin e sëmurë individual apo partiak, nëse investojnë për rritjen dhe konsolidimin e kulturës shtetformuese, atëherë është historia që do t’i ndjekë këmbë pas këmbe për t’i vendosur në piedestalin e saj. Duhet të jesh shumë i kujdesshëm për të mos e pasur raportin me historinë qëllim në vetvete. Ekziston një risk shumë i madh të biesh në autokraci apo diktaturë. Ekziston një ndarje shumë e hollë midis versionit të parë dhe versionit të dytë. Prandaj çdo politikan i majtë apo i djathtë duhet të inspirohet nga aksioma politike se “Burrat e shtetit punojnë për brezat e ardhshëm, ndërsa politikanët punojnë për zgjedhjet e ardhshme”, që duket se nuk janë larg.

Si e parashikoni 2024-ën për shqiptarët…?

Viti 2004 për sa u përket ritmeve dhe cilësisë së zhvillimit, ritmeve të rritjes ekonomike, nivelit të inflacionit, papunësisë, varfërisë dhe pabarazisë do të jetë një zgjatim i vitit 2023. Sfida kryesore e qeverisjes së vendit është që duke harmonizuar politikat monetare dhe fiskale të arrihet dhe mbahet inflacioni në 3%, objektiv që BSH synon të arrijë në gjashtëmujorin e dytë të 2024. Sfida e dytë është mbrojtja nga goditjet e jashtme, përkeqësimi i situatës në Ballkanin Perëndimor, zgjatja e dy konflikteve mes Rusisë me Ukrainën dhe e Izraelit me Hamasin sjellin pasiguri dhe paqartësi, duke filluar nga çmimet e energjisë dhe ushqimeve.

Njohja dhe trajtimi i kujdesshëm me ndjesi të lartë sociale mbetet sfidë kombëtare. Suficiti buxhetore dhe konsolidimi i financave publike, ndryshe nga viti 2023, duhet të vijë nga një rritje e arsyeshme e të ardhurave buxhetore. Kur suficiti vjen nga të ardhurat inflacioniste dhe nga mungesa e realizimit të shpenzimeve dhe investimeve, ai dëmton rrënjët e rritjes afatmesme dhe afatgjatë. Stabiliteti i financave publike duhet të vijë nga rritja graduale e të ardhurave duke përmirësuar mjedisin e biznesit, nga kontrolli i rreptë i shpenzimeve dhe investime dhe nga auditimi parandalues i çdo abuzimi në çdo hallkë buxhetore të vendit. Suficiti buxhetor duhet të vijë nga planifikimi shumë profesional i çdo shpenzimi dhe investimi. Kjo kërkon zbatimin e parimit të buxhetit, ku theksohet se “me të njëjtat para të vëna në dispozicion nga buxheti duhet të synohen përfitime sa më të mëdha”. Në menaxhimin e kujdesshëm të financave publike kërkohet të zbatohet parimi i parandalimit të përkeqësimit të situatës.

Duke qenë se në kohë krize, për të ndalur rënien e rritjes ekonomike imponohen paketa stimuluese dhe mbështetëse, që nënkupton më shumë fonde buxhetore të injektuara në ekonomi, krijimi i një hapësirë buxhetore (hapësirë fiskale) për injektimin e shpenzimeve në ekonomi pa cenuar stabilitetin e financave jo vetëm publike, duhet bërë në kohën kur ekonomia dhe buxhetit janë në situata zhvillimi pozitivë. Prandaj duhet ndjekur në menaxhimin edhe të buxhetit parimi se: “Çatia të rregullohet në ditët me diell”. Për efektet jopozitive të mbivlerësimit të parasë kombëtare, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave duhet të bëjnë një analizë të thellë të faktorëve ndikues dhe ose deformues të ofertës dhe kërkesës së euros në treg dhe trendin e kurseve të këmbimit për periudhat afatmesme. Për të zbutur efektet jopozitive të mbivlerësimit të monedhës kombëtare, BSH dhe MFE duhet të analizojnë pasojat dhe skemat mbështetëse për eksportuesit. Janë rreth 740 kompani, 75 mijë të punësuar direkt dhe 60 mijë të punësuar në zinxhirin e prodhimit të fasonerisë, që përfaqësojnë rreth 300 mijë shqiptarë të prekur nga rënia e eksporteve. Rënia e prodhimit të tyre duke humbur tregjet e eksportit sjell efekte negative në uljen e ritmeve të rritjes ekonomike, rrit papunësinë, varfërinë dhe pabarazinë. Këto 300 mijë familje nuk duhen braktisur, nuk kërkohet të mbështeten nga ndryshimi i kursit të këmbimit apo nga “paketa subvencionuese bujare”.

Kompanitë eksportuese duhen mbështetur nëpërmjet ndihmës shtetërore, si në rastin e COVID-19 duhet e konsideruar këtë mbështetje në luftën kundër rritjes së papunësisë dhe varfërisë nga falimentimi i eksportuesve. Viti 2024 do të jetë në thelb një produkt i zhvillimeve të brendshme, ku qeveria dhe opozita duhet të reduktojnë paqartësitë, pa siguritë dhe risqet potenciale kryesisht të jashtme. Pa reduktuar paqartësitë, pasiguritë dhe rreziqet potenciale, nuk mund të shpresojmë për vite me të mira, të cilat shqiptarët i meritojnë në përgjigje të sakrificave të tyre individuale e familjare. Një urim për gjithë shqiptarët për vitin e ri 2024 mund të ishte: Gëzuar vitin e ri 2024, me rritje të punësimit, rritje të të ardhurave relative, ulje të papunësisë, varfërisë dhe pabarazisë. Një kohezion dhe solidarit social sa më të plotë dhe më të madh si një vlerë e pa zëvendësueshme për të ardhmen tonë më të mirë!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re