VALENTINA MADANI/ Ish-ministri socialist, Arben Malaj, apelon mazhorancën për dialog me opozitën, me qëllim që t’i jepet fund krizës parlamentare. Malaj thotë për “Panorama” se ndëshkimet e PS-së ndaj deputetëve të opozitës nuk e zgjidhin krizën në Kuvend.

Ai e vlerëson të natyrshme nisjen e përgatitjeve për zgjedhjet e 2025-ës, por paralajmëron risqet potenciale të abuzimit elektoral nga mazhorancat, kritikë kjo edhe nga raporti i OSDE. Për votën e emigrantëve, z.Malaj beson së është një mashtrim i përsëritur nga të gjitha partitë politike. Sa i përket SPAK-ut dhe BKH-së, Arben Malaj vlerëson se kryeministri, qeveria dhe Parlamenti duhet t’u sigurojnë mbështetjen maksimale dhe të mos ndërhyjnë në elementët operacionalë të tyre. Lidhur me situatën në Kosovë, Profesor. Dr. Studiues i Integrimit Europian bën thirrje që Albin Kurti dhe qeveria e tij t’u garantojnë SHBAvë dhe BE-së përkushtim maksimal në përmbushjen e angazhimeve për të lehtësuar bashkëpunimin me Serbinë bazuar në angazhimet reciproke.

Z.Malaj, si e vlerësoni situatën politike në vend?

Me një ndjenjë trishtimi. Bllokimi i Parlamentit nga opozita është i dënueshëm politikisht dhe moralisht, edhe për vetë opozitën. Ndërkohë që hapat e mazhorancës me rritjen e penalizimeve administrative për deputetëve, është një këndvështrim që ushqen krizën dhe nuk e zbut atë. Disa kërkesa të opozitës të mbështetura nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të pranohen. Duhet të lejohen dhe të lehtësohen në zbatimin e tyre. Atributi kontrollues i opozitave përmes dëgjimeve të kërkesave për interpelancë, pyetjeve me kryeministrin dhe anëtarët e qeverisë si dhe komisionet hetimore janë instrumentet më të rëndësishme të opozitës në përmbushjen e misionit të saj. Opozita është pjesë kushtetuese e funksionimit ligjor të vendit. Një mazhorancë që ndjen më shumë përgjegjësi për fatin e vendit sesa për veten, bashkëpunon me opozitën për sfidat jo vetëm politike të vendit duhet të ulet, të bisedojë dhe të reflektojë me çdo përfaqësues të opozitës, pa u lodhur për t’i “përçarë” dhe “dëmtuar” me instrumente dhe mjete jogjyqësore. Nuk them se meqenëse PS ka tri mandate qeverisëse do t’i japë pushtetin opozitës. Por, përballë sfidave të vështira integruese të vendit, është koha që mazhoranca të mos të udhëhiqet nga ambiciet për pushtet të pakufizuar dhe të zgjatur. Respekti për opozitën, shoqërinë civile dhe zërat e ndryshëm brenda saj dhe nga opinioni publik duhet të nxiten nga çdo shumicë qeverisëse. Një qeverisje e përmirësuar dhe efektive është një e mirë e përkohshme si për partinë politike që ajo përfaqëson, edhe për vendin e saj.

Braktisja e vendit mbetet një shqetësim i përfshirë së fundmi edhe në tri gjetjet e rëndësishme të raportit për tranzicionin shqiptar. Si i argumentoni ato?

Të tre së bashku sqarojnë arsyet kryesore të largimit dhe braktisjes së vendit. Konstatimi i parë – shqiptarët janë njerëzit më të zhgënjyer nga tranzicioni. Kjo mund të vijë nga dy arsye kryesore. Pritshmëritë në vitin 1991 ishin shumë të larta, sepse mbyllja e vendit ishte më e vështirë dhe se fillimi i tranzicionit gjetjet shqiptare me vetëm 200 dollarë për kokë në shumë absolute dhe 600 dollarë për kokë në fuqi blerëse. Arsyeja e dytë – është mospërmbushja e pritjeve në nivel të kënaqshëm për shkak të krizave të njëpasnjëshme, të cilat reduktojnë përfitimet reale. E gjetura e dytë e raportit – suksesi në biznes është i kushtëzuar nga lidhjet politike. Kjo vret konkurrencën e ndershme, shtrembëron tregjet, zvogëlon zgjedhjen dhe rrit kostot për mallrat dhe shërbimet për konsumatorët përfundimtarë. Shqipëria po bëhet më e shtrenjtë dhe shumë shqiptarë janë më të varfër për shkak të kësaj pasurie të çmimeve të banesave për mallra dhe shërbime. Për shkak të mungesës së konkurrencës dhe efektivitetit minimal të shumë organeve rregullatore, licencuese dhe mbikëqyrëse, konsumatorët përfundimtarë po varfërohen ndërsa pak individë fokusohen te frika. Varfërim financiar dhe moral të dëshpëruar. Konstatimi i tretë – suksesi personal në jetë (brenda Shqipërisë) përcaktohet nga lidhjet e ndikimit politik, kjo situatë nxit largimin masiv të atyre që jetojnë në vend. Kjo është shumë e lehtë për t’u vërtetuar, sot në botë ka shumë talente të shkëlqyer shqiptarë në karrierën e tyre profesionale. Por të njëjtët njerëz, të përballur me nepotizmin familjar apo krahinor, do të kishin dështuar, vetëm përkohësisht sepse do të kërkonin suksesin atje ku suksesi është i mirëpritur.

Kryeministri Edi Rama urdhëron administratën publike se si duhet të reagojë ndaj kontrolleve të BKH-së, a është normale një gjë e tillë?

Reforma në sistemin gjyqësor përmes procesit të vetingut në sistemin e prokurorëve dhe gjyqtarëve shpresohet të pastrojë këto institucione jetike. Për një shtet ligjor mund të ishte harmonizuar më mirë me zhvillimet në sistemin e prokurorisë për të mos krijuar disa qindra dosje të vonuara pas të gjithave disa qindra miliarda lekëve që i mungojnë ekonomisë nga zvarritjet e çështjeve gjyqësore për pronat dhe gjithashtu gjykatat administrative në të dy nivelet.

Ka shumë diskutime me këndvështrime të ndryshme për SPAK-un. Cili është këndvështrimi juaj?

SPAK është ndoshta investimi më i madh dhe shpresëdhënës për t’i dhënë fund kulturave të mungesës së pa ndërshkueshmërinë e të korruptuarve dhe të kapurve. Përfitimi më i madh është ndryshimi i kulturës së frikës ndaj të korruptuarve të veshur pushtet politike me kulturën e dhe fuqinë për të denoncuar dhe të dënuar të korruptuarit. E gjithë reforma për SPAK dhe BKH u nis nga partnerët tanë strategjikë dhe u votua nga 140 deputetë shqiptarë. Këto struktura duhet të mbështeten në aspektin legjislativ për përmirësimet e nevojshme dhe në atë financiar, sidomos kur qeveritë synojnë t’i pengojnë duke ulur jo vetëm mbështetjen financiare. Sa i përket këshillës së Kryeministrit “si duhen agjentë të BKH-së, cili është vlerësimi, besoj se baza ligjore dhe trajnimi intensiv dhe thellësisht profesional krijon premisa reale që SPAK-u dhe BKH të funksionojnë vetëm brenda ligjit. Nuk përjashtohen abuzimet, por besoj se puna e tyre ka një auditim periodik nga strukturat e përcaktuara në reformën ligjore, që përfshin piramidën institucionale, besoj se ka manuale të plota operacionale të bazuara në ligj dhe akte të qarta nënligjore që duhet të eliminojnë çdo keqpërdorimi i statusit të tyre specifik. Rasti special i kryeprokurores në Maqedoninë e Veriut ku djali i saj u kap duke marrë valixhe me euro që mami prokurore të mbyllte një çështje korrupotive është flamur i kuq edhe për institucionet tona të reja. Për rastin konkret nuk jam duke folur për emra konkretë, por kryeministrat që njohin dhe respektojnë shtetin ligjor nuk ndërhyjnë kurrë në këto detaje dhe nuk ushqejnë perceptime negative ndaj këtyre strukturave. Kryeministrat në një demokraci funksionale e dinë dhe e respektojnë rregullin e artë të shtetit ligjor që bazohet në ndarjen, balancën dhe kontrollin e pushtetit. Pra, tri pushtetet, legjislativi, parlamentarizmi dhe ekzekutivi – bashkëpunojnë mes tyre, por nuk mbivendosin kompetencat e tyre, nuk rrëmbejnë pushtetin e të tjerëve, nuk dhurojnë pushtetin e tyre te kolonat e tjera shtetformuese. Kur janë mazhorancë politike, parlamentare dhe qeverisë shpesh kryeministrat kërkojnë të ndikojnë te gjyqësori. Kur liritë politike tkurren, kur liria e medias së lirë blihet me përkëdhelje qeverisëse apo kërcënohen me penalitete të egra, kur individët në partitë politike por edhe në qeveri, në shoqërinë civile dhe në media dënohen për mendimin ndryshe, vendi rrëshqet natyrshëm në një qeverisë autokratike.

PS ka nisur një fushatë intensive anëtarësimi dhe aktivizimi për zgjedhjet e vitit 2025 duke synuar një tjetër mandatat…

Natyrisht, çdo forcë politike mund të vazhdojë aktivitetin e saj një vit para zgjedhjeve të ardhshme. Edhe Partia Agrare Ambientaliste e ka nisur këtë proces. Por PS, si mazhorancë qeverisëse dhe politike, duhet të mbajë premtimin e detyrueshëm për të bërë përmirësimet e nevojshme në kodin zgjedhor të kërkuara edhe nga gjykata kushtetuese. Çdo forcë politike dhe çdo drejtues që nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese në thelbin e saj është antikushtetues. Partia Socialiste, për të përmbushur premtimin publik ndaj emigrantëve, duhet të sigurojë votën e diasporës duke zbatuar vendimin e gjykatës kushtetuese dhe kërkesat e përsëritura të tyre, por edhe te OSCE. Kur ka vullnet pozitiv, gjithçka është e arritshme. Ndryshimet kushtetuese në kodin zgjedhor janë një test i përsëritur që ne qeverisemi nga politikanë që kanë si qëllim të vetëm dhe në çdo mënyrë edhe të paligjshme mbijetesën individuale në pushtet. Vendit i duhet një lidership që të mos “gjakoset” për të fituar zgjedhjet, por të mos lodhet për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, përfshirë demokratët, legalistët, monarkistët, ballistë dhe çdo përfaqësi tjetër politike. E ardhmja më e mirë e shqiptarëve nis nga barazia e mundshme, barazia e lirisë politike, barazia e mundshme ekonomike, barazia në çdo mundësi punësimi dhe promovimi. Për sa kohë shumica politike që prodhojnë oligarkë/elita do të absolizohen, Shqipëria rrezikon të mbetet e ndarë dhe e zhgënjyer. Ky vend i mrekullueshëm fatkeqësisht do të dëmtohet nga largimet dhe braktisjet. Do të dominohet nga varfërimi shpirtëror dhe material.

Si e shikoni ecurinë e procesit të negociatave me BE-në?

BE-ja duhet të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor për të avancuar në procesin e integrimit. BE-ja duhet të mësojë nga konflikti i Rusisë me Ukrainën. Në këtë rast, SHBA-të dhe BEja në një analize retrospektivë kuptuan se duhej të kishin vepruar më shpejt me disa republika të ish-Bashkimit Sovjetik për përfshirjen e tyre në aleancën euro-atlantike. Kjo do të eliminonte çdo mundësi që Rusia t’i kthehej ëndrrës së saj për superfuqi. Ajo e synon këtë jo vetëm duke u bashkuar me ish-republikat ruse, por duke pushtuar pjesë të tyre. Kjo i ndodhi Gjeorgjisë disa vite më parë, kjo po i ndodh aktualisht Ukrainës. Ky rrezik përfshin edhe sot disa ish-Republika Jugosllave dhe veçanërisht Ballkanin Perëndimor. BE-ja duhet të kuptojë se çdo vonesë në përfshirjen e shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE e bën të pamundur pushtimin e tyre nga Serbia apo Rusia. Historia e përgjakshme e Ballkanit Perëndimor na paralajmëron. Kostot e konflikteve janë disa herë më të mëdha se kostot e investimeve për paqen e qëndrueshme dhe mirëqenien në rritje të të gjitha vendeve. Është koha për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE.

Në gjykimin tuaj si po ecën zgjerimi i BE-së dhe çfarë mësimesh mund të nxirren prej tij?

Bazuar në shtatë zgjerimet e BE-së, duket se procesi burokratik i integrimit mund të zgjasë disa dhjetëra vjet, por mund të përfundojë brenda një viti. Dhjetë vendet e para ish-komuniste nga lindja u bashkuan me BE në 2004, pas një procesi integrimi pa kushte paraprake dhe pa shumë hapa. Rumania dhe Bullgaria u anëtarësuan në vitin 2007, ato u lejuan të bëheshin vende anëtare të BE-së edhe pse BE kishte shqetësime të mëdha përnivelin e korrupsionit të shfrenuar dhe kapjen e shtetit. Kroacia u bë anëtare në vitin 2007, ajo pati një proces më dinamik dhe u bë vend anëtar i bazuar në parimin e meritës për reformat, që e ndryshuan nga një vend me dominim nacionalist në një vend me mentalitet dhe përkushtim evropian. Nëse 10 vendet e para pritej për 15 vjet (1989-2004), Rumania dhe Bullgaria u bashkuan në vitin 2007 vetëm 3 vjet më vonë për shkak të integrimit të tyre të përshpejtuar, edhe pse nuk plotësonin kriteret e anëtarësimit në BE që kërkojnë që anëtarët e rinj të kenë një demokraci të konsoliduar, një ekonomi të gjallë dhe respekt maksimal për pakicat etnike dhe fetare. Ishte një rrezik real dhe në rritje i dominimit rus në sektorët e tyre strategjikë që do të rritej më shumë proporcionalisht me vonesat ne pritje. Rumania dhe Bullgaria u toleruan për t’u anëtarësuar në BE-së pa vonesë. Në qoftë se vonoheshin bashkë me ta, në BE do të “hynin” edhe ndikimet ruse në politikë, ekonomi dhe ushtri. Duke mbetur jashtë BE-së, qoftë edhe përkohësisht, ky ndikim do të rritej dhe do të ishte më i dëmshëm për Rumaninë dhe Bullgarinë, por edhe për vetë BEnë. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rreth 33 vjet që presin të anëtarësohen në NATO dhe BE me të drejta të plota. Aktualisht, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia janë në të njëjtin nivel rreziku nga ndikimet joperëndimore si Rumania dhe Bullgaria. Por Serbia dhe BH nuk mund të mbështeten me integrim të përshpejtuar sepse mund të bllokojnë vende të tjera në Ballkan duke filluar me Kosovën. Prandaj, anëtarësimi si grup i vendeve të Ballkanit Perëndimor është alternativa më e mirë. Ndërsa Kosova dhe diplomacia shqiptare duhet të koordinohen për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në NATO sa më parë. Kjo praktikisht e bëri të pamundur për Rusinë dhe Kinën përdorimin e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës si një zjarrvënës në Ballkan.

Cilat janë disa nga rreziqet dhe pasojat e vonesës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor?

Vonesat do të prodhojnë kosto të rënda njerëzore, sociale, ekonomike dhe politike jo vetëm për vendet në konflikt në Ballkanin Perëndimor. Kostot njerëzore përfshijnë të vrarët dhe të plagosurit. Në koston sociale përfshijmë numrin në rritje të të papunëve dhe të varfërve, të cilët janë viktimat e para të konflikteve, paqartësive dhe pasigurive në të ardhmen në rajonin tonë. Në pasojat ekonomike kemi parasysh kostot e rënda ekonomike të konflikteve në rajon. Për shembull, në vitin 1993, kur ishJugosllavia u shpërbë në mënyrë jopaqësore, (Çekia u nda nga Sllovakia në mënyrë paqësore), prodhimi i saj vendës u ul me rreth 38% dhe në vitin 2001, në konfliktin me Kosovën, Serbinë. humbi edhe 18% të PBB-së së saj. Pra, në një periudhë tetëvjeçare nga viti 1993 deri në vitin 2001, Serbia humbi gjysmën e të ardhurave për frymë.

Dhe sa ndikon konflikti Serbi-Kosovë në rajonin tonë?

Ai ka shumë rëndësi dhe është elementi më kritik në perspektivën gjeostrategjike të këtyre vendeve, por edhe të rajonit tonë. Duket se Serbia nuk ka vetëdijen në lidershipin e saj për të marrë vendime të vështira, por që Serbisë do t’i japin një perspektivë të qartë pro evropiane, pro paqes së qëndrueshme dhe mirëqenies në rritje. Mjafton një fakt aktual, varësisht sa po u kushton situata konfliktuale e dy vendeve. Serbia po bën një armatim të përshpejtuar dhe kryesisht nga dy vende jomiqësore me NATO-n dhe BE-në. Edhe sikur t’i marrë këto armatime “falas”, pasojat e armatimit Serbia do t’i paguajë me kosto më të lartë. Kostoja më e madhe është nëse Serbia me vetëdije pranon të shërbejë si dora e zgjatur e atyre vendeve për të ndezur zjarrin e pashuar të konflikteve në Ballkan. Asgjë nuk është falas dhe pa kosto financiare. Kjo do të thotë se miliarda dollarë do të përdoren nga Serbia për t’u armatosur sa me rëndë dhe me teknologji sa me të avancuar të cilat kanë edhe kostot më të rënda financiare. Jo në të njëjtën masë edhe Kosova po shpenzon për armatosjen e saj.

Pra, si në rastin e Serbisë dhe Kosovës, qindra-miliona dollarë ose euro do të zhvendosen nga financimi për paqe të qëndrueshme dhe rritje të mirëqenies në financimin ushtarak. Ekziston vetëm një ndryshim thellësisht thelbësor midis tyre, Serbia armatosur për të prodhuar konflikte, Kosova armatoset për të mbrojtur jo vetëm nga këto rreziqe dhe sulme potenciale aktuale. Por nëse të dyja vendet do të ishin anëtarë të NATO-s dhe BE-së, kjo do të eliminojë rreziqet e mundshme jo vetëm dypalëshe. por do të eliminojnë edhe pasiguritë dhe pa qartësi për të ardhmen dhe zhvillimet e tyre në rajon.

Pozicionet kritike nga SHBA dhe BE janë shtuar për kryeministrin Albin Kurtin, si e analizoni këtë situatë?

Është momenti për reflektim të plotë dhe të ndershëm nga Kurti në radhë të parë, por edhe nga faktorë të tjerë politikë. Lidershipi i Kosovës dhe opinioni publik duhet të harmonizohen dhe maksimizohen në përmbushjen e zotimeve të marra prej tyre. Kjo është jetike për de-përshkallëzimin e situatës dhe për të sjellë një angazhim publik që eliminon konfliktet. Konkluzioni aktual i zotit Escobar se Kurti nuk e trajton SHBA-në si partner, duhet të jetë një kambanë alarmi për të mos aktivizuar “krenarinë sovrane” në politikën dhe opinionin publik të Kosovës, por për ta bërë Kosovën një bashkëpunëtore mirënjohëse me SHBA-të dhe BE-në. Përgjegjësia për angazhimet e marra që intensifikojnë situatën kritike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gatishmëria për bashkëpunim, eliminimi i vonesave apo pengesave që krijohen herë pas here është obligim moral dhe politik ndaj popullit të Kosovës dhe ndaj partnerëve strategjikë të Kosovës, të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

Mbetemi pak të debati për ndalimin e përdorimit të dollarit në çdo pjesë të territorit të Kosovës. Si e vlerësoni këtë situatë?

Ndalimi i përdorimit të dinarit nuk është një debat i lehtë, por një debat që duhet të udhëhiqet nga parimi i moskrijimit të konflikteve potenciale midis dy vendeve. Partnerët ndërkombëtarë nuk po kërkojnë mos aplikimin e kësaj mase, por me të drejtë kanë dy vërejtje. E para, mosnjoftimi në kohë i Serbisë, kjo nuk nënkupton marrje leje dhe e dyta shtrirja në kohë. Jam i bindur se qëllimi i Bankës së Kosovës është në përputhje me statusin e saj ligjor. Por jo çdo hap teknik është i suksesshëm nëse nuk konsultohet me palët që afektohen nga masat e saj. Një qeverisje e mirë e Bankave Qendrore vlerëson se komunikimi nuk është një element imazhi por një parakusht për sukses. Dinari ka qenë në përdorim ndoshta që nga dita e parë e pavarësisë së Kosovës, pra për rreth 23 vjet. Kosova duhet të bashkëpunoj me partnerët, të bëjë një zgjatje në afat të implementimit të kësaj mase, të njoftojë zyrtarisht Serbinë dhe BE-në për arsyet e masës dhe vendimin e saj për ta riparë vendimin pa e kthyer atë, por duke e bërë me transparent dhe duke e zgjatur më shumë në kohë.

Vili është vlerësimi juaj për rolin e BK në sfidat ekonomike dhe sociale të Kosovës?

Institucionet e pavarura dhe kushtetuese të Kosovës, kanë pasur një asistencë teknike nga shumë institucione dhe kanë përfituar nga nisja e çdo hapi legjislativ dhe politikëbërës nga e para. Vlerësimet e mia për kolegët e BK janë pozitive dhe i inkurajoj në rritjen dhe kontributeve të saj profesionale në sfidat ekonomike të Kosovës. Banka e Kosovës, si çdo bankë qendrore, ka pavarësinë e saj institucionale dhe operacionale, por duhet ta shfrytëzojë mirë këtë status të veçantë. Edhe pas krizave të njëpasnjëshme financiare, kritikat janë të shumta për pushtetin e deleguar në bankat qendrore. Kjo sepse në “pavarësinë absolute” institucionale qeverisëse e kanë deputetët e tyre sepse zgjidhen drejtpërdrejt nga votuesit. Sot, nga autorë të ndryshëm, pavarësia e bankave qendrore vlerësohet si një pushtet i deleguar. Bankat qendrore kanë edhe statusin e këshilltarëve të qeverive, sepse pa harmonizuar politikat monetare me politikat fiskale nuk mund të arrijmë të mbajmë nën kontroll inflacionin. Kjo është shumë e nevojshme dhe e dobishme për të ruajtur fuqinë blerëse të çdo të ardhure, duke përfshirë pensionet, fondet për politikat sociale, pagat dhe fitimet. Por në këtë harmonizim synohet arritja e objektivave makroekonomike, rritja e punësimit, zvogëlimi i papunësisë, ulja e varfërisë dhe shpërndarje më e drejtë e përfitimeve të rritjes ekonomike ndërmjet grupeve shoqërore, duke zbutur pabarazinë. Aq jetike është lufta kundër pabarazisë, plaga më e madhe aktuale që po dëmton ekonominë dhe demokracinë, saqë ish-kreu i FMN-së, Michael Candessys, do të theksonte se: “Në aspektin ekonomik, pabarazia është e dëmshme, në atë moral, shqetësuese dhe në aspektin politik shpërthyes”. Lufta kundër pabarazisë, papunësisë dhe varfërisë duhet të jetë në qendër të çdo programi politik dhe ekonomik, duke përfshirë edhe Bankën Qendrore. Nuk është rastësi që filozofi kinez Konfuci do ta bënte të qartë se: “Në një vend i qeverisur mirë, varfëria të turpëron (nuk ke luftuar edhe më shumë kundër varfërisë). Në një vend të keqqeverisjes, pasuria/personale është ajo që të turpëron”. Këto objektiva arrihen më lehtë kur në vend, rajon, por edhe në ekonominë globale, dominon vullneti pozitiv, dominon siguria, pritshmëritë lehtësohen, paqja e qëndrueshme konsolidohet.

Çfarë rëndësie merr bashkëpunimi i Kosovës me SHBAtë?

Kosova kurrë nuk do t’i humbasë partnerët e saj strategjikë, qoftë edhe përkohësisht. Detyra e parë dhe kryesore e çdo lideri të Kosovës është që të mos ju dëmtojë sadopak, të mos vonojë bashkëpunimin e sinqertë dhe të përkushtuar me SHBA-të dhe BE-në. Mbështetja nga SHBA-të ka ndikim pozitiv edhe tek partnerët e tjerë. Kosova e arriti lirinë dhe pavarësinë me mbështetjen e qartë dhe të vendosur të NATO dhe BE të dy partnerë strategjike të Kosovës janë të pandjeshme ndaj veprimeve të pakoordinuara dhe lodhjes së vonesave të pajustifikueshme. Po ndaj me lexuesit një përvojë jo vetëm personale. Në momentin kur kolegu Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes, po punonte shumë intensivisht për mbështetjen e partnerëve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO së bashku me kolegët Pandi Majko dhe Marko Bello, secili në vizita të veçanta, në mbështesnim këtë sfidë prioritare kombëtare. Ne patëm takim edhe në NATO ku mora tri mësime speciale. Së pari, SHBA punon ngushtë me BE-në për sfidat e zgjerimin e NATO dhe BE.

Në një nga takimet në NATO u takuam me ambasadoren e SHBA-ve në NATO, Viktoria Nuland, e cila na priti me të drejtë me këmbët e para. Sapo u ulëm, ajo iu drejtua ministrit Mediu me një ton arrogant duke pyetur çfarë ishte “qershia mbi tortë” në zgjedhjet lokale? Ishte vrare një komisioner/votues i opozitës në Shijak. Pavarësisht shpjegimeve, Nuland theksoi e zhgënjyer se: “Po na lodhni me evropianët për t’i bindur që ju të hyni në NATO, shkoni dhe flisni vetë me ta për rezervat e tyre”. Nuk dua që Kosovës t’i vijë ky mesazh lodhje nga SHBA në sfidën e vështirë të konsolidimit si shtet i pavarur. Mësimi i dytë – kur ministri i Mediu po prezantonte më shumë optimizëm reformat e qeverisë për të lehtësuar anëtarësimin në NATO – gjenerali që na priti na i bëri të qartë se “përpara se të vraponi duhet të mësoni të ecni. Kjo vlen edhe për ne, sepse drejtuesit shpesh kërkojnë rezultate shumë të larta në një kohë shumë të shkurtër, gjë që është e vështirë për t’u arritur dhe arritjet janë të paqëndrueshme. Mësimi i tretë – në një tjetër takim të NATOs – kur ministri Mediu theksonte ambiciet për reforma thelbësore për anëtarësim në NATO, në përgjithësi, kuptova se Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të bërë për konsolidimin e saj si një demokraci funksionale, prandaj gjenerali amerikan i NATO-s na këshilloj që: Nuk hahet ariu me një kafshatë”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re