Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një intervistë për “Panorama TV” ka folur për çështjet më të nxehta të politikës shqiptare, buxhetin 2024, tensionet në Kuvend, progres raportin, por edhe marrëveshjen e fundit të kryeministrit Rama me homologen e tij italiane Meloni.

Sipas Tabakut, buxheti 2024 parashikon një rritje të taksave në 70 mln euro, ndërsa thekon se qeveria nuk planifikon të mbledhë asnjë të ardhur shtesë.

“Buxheti është në kufijtë e çdo buxheti tjetër socialist që është prezantuar. Kemi 145 mln euro koncesione që rriten me 9% nga viti në vit, kemi pothuajse 200 mln euro arbitrazh që është një faturë prej 400 mln euro dhe 200 do të paguhen këtë vit. Kemi një projekt të rim, 400 mln euro që është porti i Durrësit”, shprehet Tabaku.

Sa i takon progres raportit për Shqipërinë, Tabaku thotë se nuk ka asnjë ndryshim nga viti i kaluar. Ajo shpreson që qeveria të reflektojë dhe ta mbajë raportin si një plan pune.

Ndërsa për pasqyrimin në progres raport të shembjes së Prestige Resort, Tabaku u shpreh se “Media është sektori ku Shqipëria performon me keq, me media që sulmohen nga qeveria dhe shpesh herë kjo vështirëson jo vetëm punën e gazetarëve, por edhe raportimin e fakteve”.

Sa i takon tensioneve në parlament, Tabaku thotë se “qeverinë nuk e ndryshojmë dot në mënyrën si do veprojë, ajo që ne duhet të bëjmë është të reformojmë opozitën”.

“Sot qytetarët kanë nevojë për qartësi, për argumente që ta kuptojnë që kjo është mënyra si ajo që PS po e bën keq, PD do ta bëjë më mirë dhe më ndryshe”, deklaroi Tabaku.

Ajo thekson se komisionet hetimore parlamentare janë e drejta kushtetuese e opozitës. Tabaku shprehet se zyrtarë të SPAK i kanë thënë se puna e komisioneve hetimore parlamentare është e ndryshme nga puna e organeve të drejtësisë.

Pjese nga intervista

BUXHETI 2024

Tabaku: Kemi një rritje të taksave që shkon në 70 mln euro, që godet shtresën e mesme dhe profesionistët e lira me një taksë të re. Qeveria nuk planifikon që të mbledhë të ardhura shtesë nga miradministrimi, sepse është formalizuar një ekonomi informale prej 30%. Megjithëse janë rritur taksat përsëri nuk mund ti marrë nga buxheti i shtetit.

Buxheti është në kufijtë e çdo buxheti tjetër socialist që është prezantuar. Kemi 145 mln euro koncesione që rriten me 9% nga viti në vit, kemi pothuajse 200 mln euro arbitrazh që është një faturë prej 400 mln euro dhe 200 do të paguhen këtë vit. Kemi një projekt të rim, 400 mln euro që është porti i Durrësit. Pjesa më e madhe e sektorëve, duke filluar me bujqësinë  dhe duke vazhduar me radhë janë në rënie. 9% është rënie në bujqësi, arsimi në rënie, shëndetësia në rënie. Është një buxhet që nuk nxit ndonjë sektor të veçanta, as nuk stimulon turizmin, bujqësinë, teknologjinë e informacionit. Nuk kuptohet se ku do shkojë qeveria me këtë  buxhet. Nuk ka një mbështetje për asnjë nga shtresat e shoqërisë, por edhe formalizon këtë korrupsionin e koncesioneve që tashmë zyrtarizohet.

RAPORTI I PROGRESIT PËR SHQIPËRINË

Tabaku: Progres raporti reflektoi që në të paktën 12 nga fushat kryesore nuk ka asnjë progres nga viti i shkuar. Të vetmet fusha që kanë ndryshime janë administrata publike që është në përkeqësim si rezultat i militantizmit dhe statistikat që kanë një përmirësim të lehtë.

Ne ndodhemi në të njëjtën status qua si vitin e kaluar. Progres raporti njeh si të vetmin zhvillim të parlamentit miratimin e ligjit për procesin e integrimit si një mënyrë për opozitën që të marrë pjesë në këtë proces, por edhe për ti bërë gjërat me konsensus.

Shpresoj që qeveria të reflektojë, të marrë progres raportin dhe ta bëjë plan pune. Kemi 10 vite që diskutojmë u hapën apo jo negociatat. Shpresoj që të kemi një hapje reale të kapitujve. Kjo është pozitive edhe për opozitën sepse na lejon më shumë ne mbikëqyrje në parlament.

Demokracitë funksionale kërkojnë parlamente, debate dhe llogaridhënie, nëse kjo nuk funksion është problematike. Parlamenti njeh hapësirën që opozita ka për komisionet hetimore, për interpelanca, i njeh si të drejta kushtetuese të opozitës. Shpresoj që qeveria të reflektojë pas progres raportit për të na lejuar që ti rikthehemi parlamentit.

SITUATA NË KUVEND?

Tabaku: Ne qeverinë nuk e ndryshojmë dot në mënyrën si do veprojë, ajo që ne duhet të bëjmë është të reformojmë opozitën. Ne duhet të përdorim cdo hapësirë parlamentare për ta bërë këtë. Sot qytetarët kanë nevojë për qartësi, për argumente që ta kuptojnë që kjo është mënyra si ajo që PS po e bën keq, PD do ta bëjë më mirë dhe më ndryshe.

FRIKË E MAZHORANCËS NGA KOMISIONET HETIMORE?

Tabaku: I vetmi Komision hetimor që ka funksionuar që ka përgjegjës para drejtësisë është komisioni hetimor i inceneratorëve. Pas atij komisioni mazhoranca nuk ka pranuar më asnjë komision hetimor. E kuptoj frikën e qeverisë nga kontrolli parlamentar, por nuk është kjo mënyra si funksionon parlamenti.

DEKLARATA E KREUT TË SPAK PËR KOMISIONET HETIMORE, A DO NDRYSHOJË QËNDRIM PS?

Tabaku: Nuk kishte asnjë dyshim, unë e kam diskutuar gjatë komisionit të integrimit, kam shkuar disa herë në SPAK kur kam dëshmuar për punën e komisionit hetimor dhe ky ka qenë mendimi që më kanë transmetuar mua. Ideja është që komisioni i inceneratorëve e ka ndihmuar SPAK në hetimin. Politikisht bërja transparente, dëgjesat e hapura, presioni politik rriti edhe presionin publik.

PROGRES RAPORTI PËR SHEMBJEN E PRESTIGE RESORT

Tabaku: Media është sektori ku Shqipëria performon me keq, me media që sulmohen nga qeveria, me media që janë në presion, me media që kane edhe interesa biznesi të lidhura me qeverinë dhe shpesh herë kjo vështirëson jo vetëm punën e gazetarëve, por edhe raportimin e fakteve. Por reflekton edhe presionin qe qeveria ushtron në mënyrë të padrejtë në median e lirë. Është sektori ku nuk kemi pasur asnjë lëvizje, por regres. Është një fushë që ndryshon me vullnet politik, vullnetin për të mos bërë presion mbi median.

MARRËVESHJA PËR EMIGRANTËT

Tabaku: Unë jam duke mbledhur informacione, ka pak transparencë. Duhet të kishte pasur një debat publik. U informova se do vijë si ligj në parlament dhe ne do ushtrojmë hapësirën parlamentare për ta kundërshtuar nëse bie ndesh me të drejtën që ka Shqipëria. Nëse cënon hapësirën tonë, cënon integrimin e kështu me radhë. Në të kundërt ne do ti drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetutës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re