Iraku, përpara këtij edicioni ka marrë vetëm njëherë pjesë në Kupën e Botës dhe ka qenë përpara 40 vitesh. Për të siguruar pjesëmarrjen e dytë, skuadra e drejtuar nga Graham James Arnold, një australian 62 vjeçar i dashuruar me futbollin, luftoi për 28 muaj duke luajtur ndeshje përmes dy luftërave, një udhëtim i pabesueshëm me trajnerin Arnold që rrëfehet për të përditshmen ‘La Gazzetta Dello Sport’.
Ju bëtë shumë mirë në botërorin e fundit me Australinë. Si arritët në Irak?
‘Kur më erdhi oferta e parë, familja ime nuk ishte shumë entuziaste nga ideja dhe miqtë më këshillonin të mos e pranoja kush me më shumë forcë e kush me më pak. Ishin të shqetësuar. Iraku ka një imazh shumë negativ në perceptimin botëror, por nga njëra anë unë isha në shtëpi prej 6-7 muajsh dhe po çmendesha, kurse nga ana tjetër isha përballur disa herë me Irakun kur isha në stolin e Australisë dhe gjithnjë kisha përshtypjen se ishte një skuadër me talentë por që i mungonte diçka. Pastaj ishte edhe misioni Botëror. Nëse kjo skuadër do të kishte qenë në Botëror edhe 10 vjet përpara nuk do të pranoja, por ta çoje në një kompeticion të tillë pas 40 vitesh m’u duk një sfidë e mrekullueshme për një si unë që është i çmendur pas futbollit. Doja të bëja të lumtur 46 milionë persona dhe kështu pranova’.
Jeni në një grup të tmerrshëm me Francën, Norvegjinë dhe Senegalin
‘Dhe çfarë pastaj? Presioni është te të tjerët. Në Irak të gjithë mendojnë se do të humbasim të treja ndeshjet, kështu që askush nuk ka kërkon asgjë, nuk kemi asnjë presion. Ky është botërori im i katërt dhe eksperienca më thotë se jo gjithnjë parashikimet respektohen, 4 vjet më parë në Katar pashë Arabinë Saudite të mposhtte Argjentinën. Unë kërkoj kurajon, energjinë dhe entuziazmin sepse kemi shansin të sfidojmë Mbappé, Haaland e Mané”.
Si ishte jeta në Bagdad?
‘E mrekullueshme. Vendi jeton për futbollin. Ditën që erdha këtu për të nënshkruar ishte ‘El Clasico’ mes Realit të Madridit dhe Barcelonës; ishte ditë festive dhe ndeshja ishte në të gjitha baret e qytetit, të gjitha. Janë të obsesionuar. Dhe futbolli vendas është shumë i ndjekur. Fakti që jetoja atje, që shkoja të shihja ndeshjet, i bëri irakianët të kuptojnë se unë isha shumë i interesuar, se isha pjesë e kulturës së tyre futbollistike dhe sociale. Si trajner më është dashur të përshtatem me motin e nxehtë, me orët e dedikuara lutjeve, jetën lokale duke organizuar stërvitjet dhe grumbullimin në bazë të zakoneve vendase. Unë jam përshtatur jashtë fushës së lojës, ata brenda fushës; në nivel disiplinor nuk toleroj asgjë. E kanë vlerësuar përpjekjen time dhe duke u njohur kemi kaluar problemin kryesor’.
Që domëthënë?
Presioni. Ky presion i madh popullor bënte që futbollistët të vinin në grumbullim me kokën ulur, të shtypur nga përgjegjësiar. Kishin atakë të panikut. Unë jam i aftë në aspektin psikologjik, di si të trajtoj trurin e njerëzve dhe tani me këtë kualifikim, mendja e lojtarëve të mi është e lirë, presioni është zhdukur dhe jam i sigurt se djemtë do të surprizojnë botën’.
Bëtë diçka të veçantë?
‘Gjëja e parë që bëra është se ndalova përdorimin e rrjeteve sociale. Në grumbullim, telefonin mund ta përdorësh vetëm për të folur me familjen dhe miqtë. Rrjetet sociale janë plot me gjëra të tmerrshme, negativë, joproduktive, gënjeshtra që hyjnë në kokën e personave. Aq më tepër kur je irakian; imazhi i vendit në botë është ai që është dhe të lexosh vazhdimisht gjëra të këqija nuk shërben për asgjë. Më ndoqën dhe mendoj se kjo është gjëja më e mirë që kam bërë që kur kam ardhur këtu’.
Në mars u detyruat të shkonit në Meksikë për të luajtur playoffin ndërkontinental të Kupës së Botës; shpërtheu lufta. Bombardime, hapësira ajrore u mbyll.
‘I kërkova FIFA që të shtynte ndeshjen, më tha jo. Por të paktën na ndihmuan me logjistikën; na vunë në dispozicion një charter nga Amani, kryeqyteti i Jordanisë dhe njerëzit e mi shkuan pas një udhëtimi 28 orësh me autobus. Në Aman qëndruan për 36 orë sepse ishte duke u kryer një sulm ajror me bomba dhe raketa që binin rreth hotelit të tyre. Kur mbërritën ne Monterrey i mblodha dhe iu thashë: ‘Mirë, çfarë të bëjmë me këtë luftë. Si ta përdorim si justifikim apo si motivim?. Larg rrjeteve sociale, larg imazheve të luftës në tv, përqendrim maksimal te ndeshja’. Bolivia u kalua dhe ja ku jemi në Botëror’
Por lufta nuk po ikën. Hapësira ajrore në Bagdad u mbyll përsëri
‘Po. Përpara një jave. Gjëja më negative në këtë pikë për lojtarët e mi është që nuk mund të arrihen nga familjarët dhe miqtë. Duhet të merrem me ta në nivel psikologjik’
Nga 26 futbollistë që keni grumbulluar, 9 kanë lindur në Evropë. Keni probleme me gjuhën?
‘Në fillim i vendosja lojtatët në pozicionet e tyre natyrale, por kishin probleme me komunikimin. Kështu që ata që flasin anglisht i kam vënë në krahun e majtë, kurse ata që flasin arabisht në të djathtë. Në mes, në qendër të mbrojtjes kam vendosur lojtarë që i flasin të dyja gjuheër për të menaxhuar komunikimin me lojtarët e krahut dhe ka funksionuar’
Mrekulli. Po në aspektin kulturor? Mes këtyre 9 lojtarëve a është dikush që nuk ka qenë kurrë në Irak?
Po, dhe u vonuan pak për të ardhur sepse ne shpesh jemi të detyruar të luajmë në fushë neutrale dhe askush nuk vjen te ne për një ndeshje miqësore, për arsye sigurie. Jam përballur me 2 kultura të ndryshme dhe jam përpjekur t’i bashkoj; pa këtë lidhje nuk do të ishim kurrë skuadër. Ishte diçka e bukur të shihje si formohej ky bashkim mes personave me rrënjë të njëjta të lindur dhe të rritur mijëra kilometra larg’.
Një nga evropianët është Marko Farji, i Venezias.
‘Po, një djalë i lindur në 2004 në Norvegji. Ka luajtur pak, ka nevojë për t’u përshtatur, por për mendimin tim është një futbollist shumë i mirë. Ka një dashuri të madhe për Irakun. Ja, kjo është një gjë shumë e bukur; pasioni i atij që ka lindur në Evropë, për flamurin, vendin, kombëtare. Dëshira për të bërë të lumtur prindërit, gjyshërit, të afërmit është një motor shumë i fuqishëm. Nuk është e nevojshme t’i motivosh, nuk vijnë thjesht të luajnë, kanë misionin për të bërë krenare familjet e origjinës’



