Një nga ironitë më të mëdha të historisë moderne të sportit dhe politikës po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale: Shtetet e Bashkuara janë bërë vendi i parë në histori që pret një ekip në Kupën e Botës dhe, po atë ditë, kryen sulme ushtarake ndaj vendit që ai ekip përfaqëson.

Ngjarja lidhet me Iranin, i cili ishte pjesë e Kupës së Botës 2026 që po zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Vetëm pak ditë më parë, administrata amerikane kishte lehtësuar kufizimet e udhëtimit për kombëtaren iraniane, duke i lejuar futbollistët të hynin më herët në territorin amerikan për ndeshjet e tyre të grupit.

Megjithatë, tensionet gjeopolitike mes dy vendeve u rikthyen fuqishëm. Gjatë orëve të fundit, SHBA kreu një seri goditjesh ndaj objektivave ushtarake iraniane, duke pretenduar se ato ishin përgjigje ndaj sulmeve të mëparshme iraniane në Ngushticën e Hormuzit. Sipas raportimeve, objektivat përfshinin sisteme radarësh, komunikimi, mbrojtjeje ajrore dhe infrastrukturë të lidhur me dronët dhe raketat.

Ndërkohë, në fushën e blertë, Irani luftoi deri në fund për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit. Kombëtarja iraniane mbylli grupin me tre barazime, përfshirë një 0-0 ndaj Belgjikës dhe një 1-1 dramatik ndaj Egjiptit, ku një gol fitoreje në minutat shtesë u anulua nga VAR. Megjithatë, fati i iranianëve nuk ishte më në duart e tyre. Barazimi 3-3 mes Austrisë dhe Algjerisë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve i la jashtë 32-shes së turneut, duke vulosur eliminimin e “Team Melli” pavarësisht se nuk humbi asnjë ndeshje.

Kështu, ndërsa në qiellin e Lindjes së Mesme vijonin raportimet për sulme dhe kundërpërgjigje ushtarake, aventura e Iranit në Kupën e Botës mori fund. Një kontrast i fortë mes futbollit dhe politikës, që ka prodhuar një prej historive më të pazakonta të këtij Botërori.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re