Mungojnë vetëm pak orë për të kuptuar se cila do të jetë kombëtarja që do ta mbyllë në vend të parë grupin e “ferrit” të këtij Europiani. Në Gelsenkirshen, sot në 21:00, do të zbresin në fushë Spanja dhe Italia, me këtë të fundit që ka gati një plan konkret për të provuar së ndaluari në çdo mënyrë “Furinë e kuqe”, e cila shihet favorite për fitoren e mbrëmjes së sotme. Pas suksesit shumë të lehtë kundër Kroacisë, Luçiano Spaleti, ka ekzekutuar në stërvitjet e fundit disa mundësi, më konkretisht 4 mënyra sesi mund të bllokojë forcën goditëse të Spanjës, e cila edhe pse nuk ka më Ksavit, Iniestat e Torresat vazhdon që të jetë e frikshme.

1) DUHET RRËMBYER TOPI

Pika e kthesës ndodhi në 1/ 8-at e Botërorit “Katar 2022”. “E burgosur” nga fiksimi i Luis Enrikes, Spanja u fundos pavarësisht 1200 prekjeve të topit, 1000 pasimeve dhe një zotërimi topit prej 76 për qindësh, pas së cilës erdhi vetëm një goditje në portë dhe asnjë gol, teksa në fund gjithçka mbaroi me Marokun që i eliminoi pas penalltive. Kaq u desh që federata të përshëndeste Enriken dhe t’ia jepte skuadrën Luis De La Fuentes, i cili në 1 vit e gjysmë e ka ristrukturuar. Mund të duket diçka negative që pas 136 ndeshjesh radhazi, kundër Kroacisë Spanja humbi për herë të parë kontrollin e lojës, por në të njëjtën kohë ajo tani luan me pasime të shpejta, vertikalizime me breshëri dhe vërsulje të shumta nga krahët. Ndoshta, tani Spanja s’e bën më atë “tiki-takan” spektakolare të një kohë, por duket më fluide dhe më e frikshme teksa kërkon të godasë portën nga kudo dhe me këdo. Kështu që gjëja e parë që duhet të bëjë Italia është t’i rrëmbejë edhe më shumë sesa Kroacia sferën, të marrë kontrollin e saj, por ndryshe nga ajo që “Axurrët” bënë me Shqipërinë, nuk duhet vetëm qarkullim, por edhe vertikalizim, presing i lartë dhe mbi të gjitha saktësi. Sepse fundja Spanja është një skuadër që të lë të luash dhe pse jo, Italia e Spaletit duhet të imitojë në maksimum lojën vertikale të spanjollëve, me pasime të shkurtra dhe të sakta, por gjithmonë drejt zonës rivale. Por mbi të gjitha, askush te Italia të mos zbresë në fushë për një barazim, ndryshe mbaroi…

2) MANÇINI ANTI-MORATA

Duke lënë mënjanë golin kundër Kroacisë në këtë Europian, mjafton të kthehemi 3 vite më parë për të kujtuar se vetëm dhurimi i një topi ndaj Moratës në “Uembli”, pa sulmuesin spanjoll që të infiltrohej mes Bonuçit e Kielinit dhe të barazonte golin e Kiezës. Morata është një sulmues shumë modern, jo tipik “pyka” e zonës, ai lojtari prej 30 golash në sezon, por di të luajë për skuadrën dhe ka një vizion fantastik loje, kur mendon edhe për asistent e tij. Kështu që Spaleti duhet të gjejë një morsë për të ndaluar ish-juventinin. Morata është shumë i shpejtë dhe ndoshta Bastoni e Kalafiori janë shumë muskuloz për ta ndjekur. Edhe pse kjo dyshe mund të konfirmohet gjithsesi, ndoshta një zgjedhje e Mançinit të Romës, i cili di të jetë i shpejtë, por ka edhe shumë teknikë, ndoshta mund të ishte zgjedhja për të zhdukur sa më shumë që të jetë e mundur nga fusha Moratën. Madje, Mançini mund të jetë shumë i nevojshëm edhe në fazën sulmuese, pasi ka një goditje tepër potente nga jashtë zone dhe një alternativë si kjo në një duel me Spanjën nuk duhet të mungojë kurrsesi.

3) RODRI, NË “KAFAZ”

Çelësi i lojës së Spanjës është Rodri, simboli i Mançester Sitit, një lojtar i kudondodhur, tek i cili Guardiola sheh pasqyrën e të pazëvendësueshmit Buskets që kishte te Barcelona e artë e kohës. Edhe pse luan mes trafikut, Rodri di të jetë shumë i shpejtë në mendim e pasim dhe mbi të gjitha shumë vertikal. Kështu që bllokimi i tij do të priste shumë linja pasimi të Spanjës. Zgjidhja? Markimi i tij nga ana e Barelës, që në cilësi është mjaft i ngjashëm, ndonëse interisti tenton më shumë sesa Rodri zonën rivale dhe goditjen nga jashtë zone. Dhe pa dyshim që ky mund të ishte një nga duelet teknikotaktike me spektakolare të këtij Europiani. Gjithsesi, Barela, i cili është fari i mesfushës së lojës së Italisë, nëse do të përqendrohej vetëm te shndërrimi i një hijeje ndaj Rodrit do të ulteshumë forcën e Italisë, prandaj ai duhet të ndihmohet shumë nga Fratezi dhe Zhorzhinjo për ta futur në “kafaz”, ose zgjedhja tjetër është që Spaleti të heqë dorë nga një lojtar ofensiv si Pelegrini dhe hedhja në fushë e Kristantes, me këtë të fundit që do të kishte si detyrë ndjekjen hap pas hapi vetëm të Rodrit.

4) POTENCË APO PRESING

Por që të mundësh Spanjën nevojitet që edhe të shënosh. Po, Skamaka është një lojtar shumë i fortë fizikisht që di të tërheqë ekipin, por edhe të provojë në mjaft mënyrë golin, ndonëse kur i kërkohet që të bëjë presing apo të ndihmojë prapa nuk e ka në gjak këtë veti. Kështu që Spaleti mund të mendojë për një zëvendësim të Skamakës me Retegin, një sulmues shumë atletik, i shpejtë, që luan në thellësi duke ardhur drejt zonës edhe nga jashtë, por mbi të gjitha, është nga ata sulmues që nuk kursehet që të bëjë një presing mbytës sa herë që rivalët luajnë topin nga pas. Dhe një lojtar më shumë përveç mesfushorëve italianë që bën presing mund të nervozojë jo pak Spanjën dhe ta shtyjë në më shumë gabime, në mënyrë që “Axurrët” ndoshta të kenë më shumë shanse për shënim. Gjithsesi, tani të gjithë presin zgjedhjet e Spaletit…

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re