Kardiokirurgut, Edvin Prifti, iu gjetën në shtëpi 250 mijë euro dhe 160 mln lekë. Atij i doli emri në përgjime në kuadër të operacionit për arrestimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha. Të shtunën u dha masa e sigurisë për mjekun e njohur, të cilin e lanë në burg. Ndërkohë edhe rrjeti ka shpërthyer pro dhe kundër kardiokirugut, Edvin Priftit

Ditën e sotme u diskutua gjatë kjo çështje në emisionin “Shqipëria Live”, ku në lidhje “Skype” ishte mjeku i njohur, Petrit Vargu.

“Të them të drejtën u befasova me ngjarjen, korrupsioni në shëndetësi ka ngulur shumë rrënjë. Është i gjithë sistemi ynë që është korruptiv. Ka korrupsion në nivele shumë të larta, një shëndetësi totalisht e shkatërruar. Nga drejtori i spitalit e deri te roja i spitalit”, tha Vargu.

Sipas tij, duhet një reformë e shëndetësisë që të largohet ky korrupsion që është ngulitur në sistemin e shëndetësisë.

“Unë kam dy vite që nuk shihem me Priftin, vetëm kam folur për dy pacientë që do i rekomandoja, se është duar artë. Nuk mendoj se është marrë me pastrim parash, e kam bindje. Shpresoj të kem të drejtë”, tha Vargu.

Mjeku i njohur shtoi se ai vetë nuk ka marrë asnjëherë para dhe nuk ka pranuar dhurata nga pacientët e tij.

“Në vendin tonë problemi i dhurimit të lekut nuk ka një kuadër ligjor. Një kardiokirurg ka një zanat shumë të vështirë, dhe kur shkon me donacione nuk shkon dot me 2 mijë lek. Nëse këtu ka akte ku ky i ka shtruar njerëzit për të marrë lek, të mbajë fajin dhe të marrë dënimin e duhur. Nëse familjarit i ka lindur në zemër të bëjë dhuratë, askush mos të bëhet xheloz. Këtu të përqendrohet edhe hetimi. Nuk ka asnjë ligj që e ndalon dhuratën”, tha Vargu.

Ky i fundit tregoi edhe arsyet se pse ai vetë nuk ka pranuar asnjëherë dhurata nga pacientët apo familjarët e tyre.

“Mua më kanë bërë dhuratë dhe e dinë të gjithë se nuk i pranoj. E para secili ka mënyrat e veta. Kjo është kulturë e imja, jam gatuar kështu në shtëpinë time. Anën ekonomike e kam rregulluar edhe me një firmë private. Më mjafton mirëqenia që kam krijuar për familjen time”, tha Vargu.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re