Ministria e Punëve Publike dhe Strehimit e Izraelit është zbuluar se ka planifikuar rritjen e numrit të kolonëve hebrenj që jetojnë në rajonin e Luginës së Jordanit në Bregun Perëndimor nën pushtim.

Në lajmin e gazetës ‘Israel HaYom’ thuhet se pas miratimit të buxhetit të vitit 2021 në parlament, qeverisë izraelite do t‘i paraqitet plani për kolonët hebrenj në Luginën e Jordanit.

Në lajm theksohet se për zbatimin e planit në fjalë do të ndahet një buxhet prej rreth 28 milionë dollarësh dhe se qeveria izraelite do të zgjerojë njësitë e vendbanimeve hebreje që janë të pranishme në rajon.

Pritet që buxheti i vitit 2021 i Izraelit të paraqitet në parlament në muajin nëntor.

Lugina e Jordanit emërohet si territor prej 1.6 milion dynym mes Jordanisë dhe Bregut Perëndimor. Në Luginën e Jordanit, e cila përbën 30 për qind të Bregut Perëndimor, jetojnë rreth 65 mijë palestinezë dhe rreth 13 mijë kolonë hebrenj që banojnë në 38 njësi vendbanimesh të paligjshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re