

Më në fund erdhi momenti që Maria me të bijën të largohen nga kjo shtëpi qerpiqi, që pikon ujë dhe ofron vetëm të ftohtin.

Elvisi, Fatma, Maria dhe e bija nisen nga fshati Krutje drejt Lushnjes, atje ku i pret surpriza. Një surprizë e bërë, nga copëzat e zemërgjerësisë së shumë shqiptarëve. Në shkallët e pallatit ku do të jetojnë Maria e Kela, kanë dalë disa fqinj që i mirëpresin.
Edhe pak shkallë dhe do të mbarojë më në fund lodhja, vuajtjet dhe hallet që sillte një shtëpi qerpiqi, pa drita dhe pa kulm.
Fatma i jep 11 vjeçares çelësin e shtëpisë së saj të re. Një mrekulli tjetër e shqiptarëve. Kela hyn e para dhe sheh përreth. Ende nuk i besohet se më në fund, nuk do të ketë më në kurriz errësirën, netët e ftohta dhe të mësuarit me qiri.

Maria: Falenderoj të gjithë stafin tuaj, të gjithë shqiptarët që kontribuan për mua dhe vajzën time, shumë faleminderit.
Fatma: Këtu do të jeni të sigurta. Nuk do t’ju pikojë më tavani e nuk do të keni më ftohtë. Keni komshinj e njerëz rreth e përqark, jeni afër qendrës së qytetit të Lushnjes e jo më atje larg në fshat.
Elvisi: Shpresoj të jetoni të lumtur. Tani të mbetet vetëm të bëhesh mësuese.

Elvis Naçi i thotë Marias e Kelës që do të mendohet dhe për një pension për ta, në mënyrë që të jetojnë, më në fund, në kushte njerëzore.
Elvis Naçi: Tani besoj nuk mund të thuash nuk jam e barabartë me të tjerët. Të siguroj se shumë fëmijë nuk e kanë shtëpinë kaq të bukur. Do ta shikosh vetë, kur të ikim ne e të flesh këtu natën e parë, të dytë e të tretë, atëherë do ta besosh se kjo është shtëpia jote. Ne do të mendojmë për një pension patjetër për ju të dy.
Maria: Unë jam e kënaqur dhe me kaq. Jam shumë e gëzuar për vajzën më shumë, se puna ime iku. Për vajzën jam e lumtur, se ajo ka vuajtur.
Elvis Naçi: Vajzën e ke të mrekullueshme. Mos e lër shkollën dhe neve do të na kesh pranë, pasi ne po bëjmë dhe disa projekte për arsimin.