Ish-futbollisti anglez Joe Cole beson se Granit Xhaka do të ishte një përforcim i rëndësishëm për Chelsean, duke vlerësuar eksperiencën dhe ndikimin që mesfushori shqiptar mund të sjellë në skuadër.
Sipas raportimeve, Chelsea ka paraqitur një ofertë fillestare prej 8 milionë paundesh për 33-vjeçarin, por ajo është refuzuar nga Sunderland. Megjithatë, thuhet se Xhaka ka arritur tashmë një marrëveshje verbale me klubin londinez.
Interesimi për mesfushorin vjen me kërkesë të trajnerit të ri të Chelseat, Xabi Alonso, i cili ka bashkëpunuar me Xhakën te Bayer Leverkusen, ku së bashku fituan titullin e Bundesligës me një sezon historik pa humbje.
Joe Cole e sheh këtë lëvizje si një sinjal pozitiv për drejtimin që po merr Chelsea në merkato.
“Ndjekja e Xhakës është një shenjë e mirë për tifozët e Chelseat, sepse tregon se kufizimet për të afruar vetëm lojtarë të rinj për t’i zhvilluar janë lënë pas. Klubi po bën hapa pozitivë dhe ai më duket karakteri i duhur për dhomën e zhveshjes”, u shpreh Cole.
Megjithëse pranoi se Xhaka mund të mos jetë zgjedhja e parë në formacion përpara Moises Caicedo dhe Enzo Fernandez, ish-reprezentuesi anglez theksoi se eksperienca, personaliteti dhe aftësitë drejtuese të mesfushorit do të ishin një vlerë e shtuar për skuadrën londineze.



