Me role të ndryshme në skenën e teatrit aktori Jorgaq Tushe është një emër i njohur për publikun. Në drama dhe komedi ka marrë vlerësime për personazhet që ka sjellë në skenë. Dekada pranë teatrit si aktor, por me aktivitetin e tij i njohur dhe si regjisor, Jorgaq Tushe shprehet se nga puna që bëhej për teatrot dikur kanë humbur shumë gjëra.

Jo vetëm disiplina artistike që nuk është si dikur me teatrin, por sipas tij mungon dhe analiza në teatrot tona pas çdo shfaqje që vihet në skena të ndryshme. Në intervistën për “SOT” aktori Jorgaq Tushe flet për probleme të ndryshme jo vetëm për buxhetet që sipas tij duhet të jenë më të larta për jetën artistike, por kërkon dhe më tepër vlerësim për artistët.

Sipas aktorit në këto gati 30 vjet, qeveritë ndër vite janë marrë më tepër me infrastrukturë dhe probleme të tjera ndërsa arti dhe teatri është lënë pas dore. Duke folur për teatrin, ai tregon se dikur kërkesat ishin maksimale dhe kishte një kategorizim që iu bëhej aktorëve ato vite, gjë e cila sot mungon. Jorgaq Tushe mbaroi Institutin e Lartë të Arteve, dega dramatike, më 1972.

Fill me pas kreu studimet plotësuese për regji teatri në Rumani. Punoi si regjisor në teatrin “Petro Marko” të Vlorës deri në fillim të viteve ‘90 kur emigroi në Greqi. Aktor me prirje komike. Tushe realizoi disa figura interesante në skenë.

Në kinematografi ka interpretuar në disa filma, si “Liria a vdekje” më 1979 Taxhim Ymeri, “Plumba perandori” më 1980- avokati, “Skëterrë 43” më 1980 roli i mjekut, “Agimet e stinës së madhe” më 1981 Rezbati, “Koha nuk pret” më 1984 oficeri anglez, “Nata e parë e lirisë” më 1984 Nazifi, për të vijuar dhe me të tjerë filma edhe gjatë këtyre viteve të fundit.

 

-Si ka qenë ky sezon artistik për ju?

Në këtë sezon artistik jam angazhuar më tepër si aktor. Si regjisor jam në kërkim të një pjese të bukur, që duhet të qëllojë në shenjë, ndaj më tepër jam aktivuar si aktor. Pjesa e fundit që isha në teatër ka qenë një komedi e një autori anglez Robert Sheriff me regjisor Roland Mingën, dhe ishte me titull “Në shtëpi në orën shtatë”. Kjo komedi u ndoq me interes nga spektatorët e Vlorës.

Pati dhe disa anomali dhe ndërprerje që nuk vareshin nga ne, por më tepër ishin teknike. Por shfaqja u ndoq me interes nga spektatorët. Unë kisha një rol të bukur në këtë vepër. Por përpara se të vinte në teatër kjo shfaqje, erdhi në Vlorë dhe regjisori Haxhi Rama dhe organizoi një shfaqje të bukur me trupën e estradës së Vlorës, që ishte me titull “Pianobar”. Edhe kjo pati sukses në Vlorë, sepse ishte nga ato që ne i kemi lënë pas dore por i kemi përdorur shumë dhe në rininë time i quanim shfaqje me bosht, ku personazh e fillon dhe e mbaron deri në fund rolin e tij.

Muahmet Liko ndjesë pastë kishte një rol të mrekullueshëm dhe ai ishte figura më e arrirë e atij numri të estradës me bosht, që organizoi Haxhi Rama në Vlorë. Po një tjetër shfaqje ishte dhe ajo e grupit të të rinjve, një projekt organizuar nga bashkia e Vlorës, një shfaqje shumë e bukur estrade ku u krijua një grup me aktorë të rinj, që nesër mund të jenë aktorët e ardhshëm të estradës së Vlorës.

Regjisor i shfaqjes ishte Afrim Agalliu dhe materialet shkruar nga Ergys Alushi, një shfaqje që u prit shumë mirë nga publiku. Por eveniment për ne ishte dhe premtimi që na bëri kryetari i bashkisë së Vlorës Dritan Leli. Ai u shpreh se në këtë 4 vjeçar do të bëhet restaurimi i teatrit “Petro Marko” në Vlorë. Ai na e premtoi këtë gjë dhe pothuajse do të bëhet një teatër i ri. Ky ishte dhe lajmi më i mirë për ne, që na u dha kur na mblodhi kryetari i bashkisë se çfarë është bërë në 4 vite dhe çfarë do të bëjmë në 4 vitet e ardhshme.

 

-Ju jeni një aktor i njohur me aktivitetin artistik. Për ju sa është bërë për artin në vend?

Në këto gati 30 vjet, që pas ardhjes së demokracisë në vendin tonë, qeveritë ndër vite janë marrë më tepër me infrastrukturë, rrugën, pallatet, etj, ndërsa teatri është lënë pas dore. Qeveritë ndër vite nuk kanë investuar për artin në përgjithësi. Por t’ju them të drejtën tani me ardhjen e Edi Ramës në qeveri ka filluar dhe rikonstruksioni i teatrove në vend. Po marr si shembull teatrin në qytetin e Korçës, po përmend këtu restaurimin e teatrit të Fierit dhe tani presim dhe teatrin në Vlorë.

Ky ishte hapi i parë që u bë në këtë drejtim, por duhen dhe fonde më tepër për artin në vend. Por është dhe diçka tjetër problem, në teatrot në rrethe aktorët janë rrogëtarë. Nuk ka hyrë kapitalizmi në art. Unë jam aktor i lirë dhe kur ka nevojë teatri më thërret, bota e ka hequr me kohë, ne jo. Po marr shembull Teatrin Kombëtar, që atje aktorët janë me kontratë 1 apo 2 vjeçare. Por në teatër mungon konkurrenca, sepse nuk i jep shtytje artit, duke e pasur një artist 20 vjet apo 30 vjet rrogëtar.

Po ti shikosh shumë vetë në teatro nuk kanë lozur aq sa janë paguar. Kontrata për aktorët është futur vetëm në Teatrin Kombëtar por dhe te Teatri Eksperimental më duket po ashtu janë me kontratë, ndërsa në teatrot në rrethe jo. Pra jo të jenë në rrethe vetëm me rrogë aktorët, por me kontratë. Ka një projekt që duhet të jetë në teatër dhe është regjisori që iu aprovua pjesa dhe i thuhet kë aktor kërkon. Ai zgjedh aktorët jo vetëm te qytetit, që do të vërë pjesën teatrore, por mund të marrë dhe nga qytete të tjera.

Kjo është gjë e mirë. Mua më pëlqen q që të më shikojnë në skenë dhe te një teatër tjetër. Ose një aktor i Teatrit Kombëtar të vijë të luajë në Vlorë apo një aktor i Vlorës të jetë me rol në Tiranë në Teatrin Kombëtar. Çdo teatër në rrethe ka një trupë aktorësh që është e përjetshme, por duhet të jenë aktorët sipas kontratave në institucion, mund të jetë 1 apo 2 vite. Më pas e shikon se sa ka bërë aktori dhe flitet për kontratën sërish. Kjo do të ngrinte dhe nivelin artistik në teatro.

 

-Ju jeni shprehur dikur që artistët në rrethe kanë probleme me pagat e ulëta. Sa ka ndryshuar situata?

 

Pagat në rrethe janë me ndryshime. Kemi mbaruar të gjithë të njëjtën shkollë dhe diploma që marrim na jepet titulli “Aktor”. Edhe unë që kam qenë në Vlorë dhe në gjithë vendin. Por kjo rrogë që jepet nuk është unike për të gjithë teatrot, që varen nga bashkitë. Në bashkinë e Vlorës apo dhe në bashkitë e tjera nuk quhen aktorë, por ne paguhemi si specialistë nga bashkia.

Ndaj i kemi rrogat shumë të vogla dhe nuk janë unike, por kjo ka të bëjë dhe me statusin e aktorit. Por tani janë hequr dhe projektet. Pra edhe pse ne ishim rrogëtarë aty jepte bashkia x buxhet për një projekt dhe aktori merrte dhe një shpërblim. Tani dhe projektet i hoqën, dhe shpërblimet i hoqën, atëherë duhet që ti çojnë rrogat në një stad tjetër që të jetë i kënaqshëm për artistët siç janë në Teatrin Kombëtar.

 

-Çfarë mund të na thoni për niveli artistik të teatrit, ku janë problemet?

Para ‘90 ne kishim një sistem që bëhej shfaqja në teatër dhe më pas bëhej vlerësimi. Këtë vlerësim e bënte regjisori i shfaqjes, ku bëhej një analizë e veprës në skenë. Por sot nuk bëhet asgjë. Nuk bëhet asnjë analizë pas shfaqjes në teatër, asnjë nuk flet. Vetë regjisori që vë shfaqjet në skenë duhet me patjetër të bëjë një analizë dhe ti thotë gjërat në sy aktorit për çfarë ka bërë në skenë.

Nëse ka ndonjë problem të thotë përshembull: “Jorgaq Tushe me këtë rol nuk ke realizuar figurën artistike”. Sot mbaron një shfaqje në teatër dhe kush do të thotë nëse e ke bërë një figurë të mirë apo jo? Po flasim për nivelin artistik të teatrit dhe përgjigja ime është që bëhen shfaqje në Tiranë dhe të gjitha të mrekullueshme, nuk ka bileta. Pra shfaqjet tona janë të gjitha të mrekullueshme, sepse mungon analiza që nga lart, pra teatri vetë ai që bën prodhimin. Në çdo teatër tek ne duhet të bëhet analiza dhe të thuhen gjërat si janë.

 

-Sa është problem mungesa e dramës shqipe sot në teatrot tona?

Në kohën tonë dikur bëheshin konkurse ku i organizonte rrethi. Përshembull Vlora kishte 3-4 dramaturgë dhe shpallte një konkurs dhe në raste festash të veçanta. Por sot nuk ke një stimul të tillë që ta organizojë Ministria e Kulturës, siç u bë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, që u bë një konkurs kombëtar në Tiranë me autorët shqiptarë dhe u zgjodhën dhe fitues.

Teatri ishte ide detyruar ta vinte në skenë veprën. Por konkurse duhet të bëhen gjithmonë dhe kjo i jep shtysë. Të gjithë dramaturgët që ne kemi, fillojnë dhe që të shkruajnë. Por duhet të kemi një festival të dramës shqipe ashtu si e bën Gjakova. Në atë festival janë vetëm me pjesë shqiptare dhe kjo do ta nxiste dramaturgjinë dhe këtu në Tiranë.

 

-Artistët shprehen se buxhetet për artin janë të pakta. Për ju si ndikon kjo?

Ne në kohën tonë para ‘90 bënim katër premiera teatri dhe katër për estradën, por dhe përgatisnim një shfaqje për në fshat. Ato vite sistemi ishte i tillë që shkonim fshat më fshat. Por sot ka humbur interesi që lart.

 

-Sa dekada keni me aktivitetin artistik?

Kam shuam vite si aktor dhe regjisor, por këtu në Vlorë asnjë fletë lavdërimi nuk kam marrë. Merren më shumë me hallet e tjera të qytetit se sa me artistët.

 

-Ju keni dekada me teatrin, po si punohej dikur për jetën artistike?

Punohej shumë. Kishte shumë disiplinë artistike dhe kërkesat para ‘90 ishin maksimale. Atëherë kishte një kategorizim që iu bëhej aktorëve ato vite. Mbaroje shkollën u punësoje dhe kishe një rrogë, që ishte 6500 lekë të vjetra atë kohë. Pasi punoje 10 vjet dhe realizoje rolet dhe bëhej pas çdo shfaqje analiza, që ti kishe realizuar figura artistike kaloje në kategorinë e dytë me 7750 lekë të vjetra për atë kohë rroga.

Ky ishte konkurrimi që kishin aktorët me njëri- tjetrin dhe që të merrje kategorinë e parë si aktor, që unë e kam marrë atë kohë duhet të punoje dhe të shkëlqente puna. Por ky stimul mungon sot. Sot disiplina artistike në teatro është zero. Mund të thuash që është shfaqja e bukur, por nëse nuk të vjen spektatori atëherë kot që e thua.

 

-Sa vlerësohen sot artistët?

Artistët sot nuk janë të vlerësuar sa duhet. Në këtë sistem që po jetojmë vlerësohet më shumë ai që ka para se sa ai që nuk ka. Kush vlerësohet e shikojmë në jetën e përditshme.

Në vitet para ‘90 unë si aktor kisha vlerësimin më të madh nga spektatori kur kaloja rrugës apo takoja njerëzit. Por sot ai që ka para ka respektin e qytetit dhe jo artisti. Shikoni sot këshillat bashkiakë, a ka ndonjë aktor brenda? Nuk ka artistë në këshillat bashkiakë, sepse nëse ka ndonjë do ta ngrejë zërin për problemet.

 

-Si i shikoni sot aktorët e rinj?

Ne kemi një aktor të ri që quhet Margent Caushi që ka marrë dhe çmimin aktori më i mirë në “Kokofest”. Por ka ardhur koha për element të ri në teatrot tona. Unë shikoja që pa ardhur Margenti aktori më i ri në teatrin e Vlorës ishte 50 vjeç.

 

-Dikur teatri në vend sipas artistëve ka pasur më tepër lëvizje me shfaqjet, sot sipas jush çfarë ndodh?

Nuk ka buxhete. Ne si Vlorë nuk vëmi dot në Fier të vëmë një shfaqje. Në kohën më parë, ne kishim autobusin dhe shkonim bënim shfaqje në skena të tjera. Sot do para dhe ku t’i gjejmë? Teatrot duan të kenë autobusin për të lëvizur. Mungojnë buxhetet për turnetë e teatrit dhe nuk lëvizin aktorët.

 

Intervistoi: Julia Vrapi/Agjensia e Lajmeve Sot News/

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re